Faqja kryesore e muzikës Lista e plotë e artistëve Te gjitha albumet TOP-40 Kenget TOP-20 albumet Ndihmë
Muzika Top
   
Menu
  Elsa Lile drejt Sanremos  
Nga përtej detit, me një zë të dridhur, tregon se e ka festuar fitoren në një disko…duke pirë e kërcyer deri në orët e vona të natës. Në mëngjes, është ngritur më e qetësuar…atëherë ka besuar se ëndrra ishte realizuar. Pjesa e mbetur e kësaj ëndrre do t’i realizohet më 20 dhjetor, kur të shkelë për herë të parë Sanremon

Zefina Hasani



Silueta njerëzish shikonte t’i afroheshin gjithnjë e më shumë përpara syve. Ndiente se shumë prej tyre i shtrëngonin duart, të cilat i dridheshin pa pushim. Më kot mundohej t’i mbante nën kontroll…ato vazhdonin të dridheshin, aq sa edhe autografet që i kërkonin, i dilnin më shumë si shkarravina. As ajo vetë nuk e kuptonte që mbi ato copa letrash po hidhej firma e saj.
Si jehonë e largët i dukeshin zërat e të tjerëve, ndërsa i thoshin “Bravo Lila, bravo”. Nuk mund të përqendrohej kurrsesi në lumturinë e saj, nuk po e linin që ta ndiente pakëz, vetëm për vete, atë çfarë kishte fituar, sepse gazetarët e ngacmonin me pyetje dhe fotoreporterët i kërkonin të pozonte pak edhe për gazetën a revistën e tyre. Nuk po e linin të ikte nga ai vend. Ndërkohë i mbërritën edhe telefonatat e para të urimit. Në këtë çakërdisje, kaloi më shumë se një orë mbi skenën ku u zhvillua spektakli “Destinacioni Sanremo” (i cili u transmetua në Rai Due). Pikët ishin dhënë nga juria, fitorja ishte siguruar. Emri i vajzës shqiptare ishte shqiptuar si fituesja e radhës (me pikët maksimale) për të hyrë në Festivalin italian të Sanremos. Por ajo vetë, Elsa Lila, ende nuk e kishte besuar. Vonë, shumë vonë do ndihej e çliruar nga hutimi. Vonë shumë vonë do ta ndiente gëzimin e fitores…atëherë kur po festonte në një disko, bashkë me miqtë e saj të shtëpisë diskografike BMG.
* * *
Këto janë të parat detaje që Elsa Lila tregon nga përtej detit. Zëri i saj, ndërsa nis rrëfimin, është ende i ngarkuar nga emocioni-“Tani sapo jam kthyer në Romë dhe ende nuk e kam marrë veten nga gëzimi”,-thotë ai zë i dridhur-“Mbrëmë kam festuar gjithë natën me njerëzit që më shoqëronin në atë “arenë lufte”, pra me njerëzit e shtëpisë diskografike BMG, me të cilët unë bashkëpunoj prej kohësh.” Kërcyen e pinë në atë disko aq sa deshën, të çmendur të gjithë nga gëzimi. E më shumë se askush tjetër, e çmendur nga fitorja ishte vetë ajo.“Nuk kam pse ta mohoj. E si mos të jesh e çmendur nga gëzimi kur siguron një fitore të tillë, kur nis të shikosh si të realizohet përpara syve ëndrra e madhe. E dëshiroja shumë këtë sukses, pa mundur kurrë të besoja se do të mund të arrija aty ku doja. Pasioni im më i madh është muzika. Dua të ec gjithmonë e më lart në këtë rrugë që kam nisur.” Ëndrra e saj është që një ditë ajo të bëhet një këngëtare e madhe. Është e bindur kur thotë se një pjesë të kësaj ëndrre ka nisur ta relizojë në Shqipëri, në vendin e saj të lindjes. “Pjesa tjetër e kësaj ëndrre të madhe do të vazhdojë të realizohet pak e nga pak këtu në Itali. Më tej, nuk i dihet si do të më vijojë jeta. Por gjithmonë pranë muzikës, gjithsesi”,-shton Elsa duke qeshur. I është larguar disi emocioni dhe zëri i saj është bërë më i qetë, ndërsa i rikthehet rrëfimit për ato që ndodhën pas spektaklit-“Pasi festuam ca orë në disko, unë ndihesha shumë e lodhur dhe vajta të flija. Sot jam zgjuar në orën 10. Ndihesha më e qartë në mendje, më e qetësuar, por përsëri nuk arrija të kujtoja gjithë ç’kishte ndodhur një natë më parë. Mbaj mend që kam marrë shumë telefonata urimi, por nuk di të them se kush ka qenë njeriu i parë që më ka telefonuar. Edhe sot zilja e celularit nuk ka pushuar dhe më ka shoqëruar përgjatë gjithë rrugës deri në Romë. Sot ndihem jo më si në ëndërr, siç ndihesha mbrëmë, por ndiej se jam në botën e vërtetë dhe se, më datën 15 dhjetor, do të jem në Tiranën time të dashur”. Pohon se e ka shkelur shumë shpesh udhën Romë-Tiranë. Gjithmonë ka pasur me vete një emocion të çuditshëm. Ndoshta nga malli, nga mungesa që ndien për njerëzit e saj të afërt, të cilët e kanë rritur që kur ajo ishte një vajzë e vogël fare. Në valixhet e udhëtimit ka transportuar kujtimet mes dy vendeve, mes dy shtëpive të saja. “Kam ardhur gjithmonë në Shqipëri për pushimet verore dhe për Vitin e Ri. Kam ardhur dhe kur më kanë ftuar për spektakle e festivale. Edhe këtë herë do ta marr këtë udhëtim pas një ftese që më është bërë për festivalin e fundvitit mbi skenën e të cilit unë nisa të besoj se ëndrrat edhe mund të realizohen. Emocioni që kam pasur me vete në çdo udhëtim këtë herë do të jetë edhe më i madh”- Sepse këtë herë do të ngjitet në atë skenë me një fitore të madhe.
* * *
Po i numëron me gishta ditët që duhet të kalojnë, për të ardhur në Tiranë. Edhe pse, në të vërtetë, vetëm pak muaj më parë ka qenë. Nuk mund të qëndrojë gjatë, më 20 dhjetor duhet të jetë në Sanremo, sepse: “Më 20 dhjetor do të jetë edhe mbrëmja e prezantimit. Emocionet më mbytin kur e mendoj atë ditë dhe është normale, sepse e shkel për herë të parë atë vend të shenjtë”,-zëri nis t’i dridhet sërish dhe fjalët t’i ngatërrohen. “Jam në makinë dhe tani më duhet të zbres”,-ndërron bisedën ajo. Pastaj të thotë një faleminderit, nga andej përtej detit. “Do të shihemi së shpejti në Tiranë”…janë të fundit fjalë që, më pas, mbyten nga sinjali i telefonit.

Dritare
Mes muzikës dhe arkitekturës

Iku nga Shqipëria dhe i vijoi studimet në Liceun Shkencor të Leçes. Në bankat e asaj shkolle, ndërsa mësonte, ndër të tjerat edhe vizatimin teknik, kuptoi se po i lindte një pasion i ri…të merrej me arkitekturë. I dukeshin shumë interesante vizatimet dhe ndihej e arrirë kur profesorët e vlerësonin punën e saj. Dhe, kur u çlirua nga ai lice, vendosi të vazhdonte shkollën, pikërisht për arkitekturë.“Sepse, mendoj se njeriu duhet të provojë më tepër se një alternativë”. Kështu Elsa u largua nga Leçe, për të nisur një jetë të re në Romë, atë të studentes së lirë e të pavarur. Studimet nisën me seriozitetin e duhur, ndërsa mendja i lëvrinte pa pushim tek muzika. “Nuk doja ta lija me aq dëshirën time për këngën, nuk doja t’i lija në sirtarë arritjet e mia, ndaj realizova disa materiale të reja në anglisht dhe në italisht dhe u paraqita me to në disa shtëpi diskografike. Në fund m’u përgjigj shtëpia BMG, me të cilën nisa bashkëpunimin”,-tregon Elsa. Është ky një bashkëpunim i frytshëm për të. Suksesi nuk vonoi t’i trokasë në derë që nga dita kur u njoh me ata njerëz. Sanremon e siguroi me këngët e “gatuara” në atë shtëpi diskografike… “Uomini non cambiano”, të Mia Martinit dhe këngën e krijuar prej saj “La porta del silenzio”, me të cilat mori 40 pikët e jurisë dhe u rendit në treshen më të mirë, krahas dy konkurrenteve të tjera, Alina dhe Dolcenera.

Ndrojtja për jetën private

Asnjëherë nuk ka dashur ta ngacmojnë për jetën e saj private. Për fëmijërinë gjithnjë pak ka treguar. Lutet të mos ia prekin kujtimet e largëta. Megjithatë, diçka ka treguar…Ishte gjyshi (nga i ati) ai që ia vuri emrin Elsa. U krijua ky emër si një bashkim inicialesh të emrave të prindërve të vajzës dhe të emrit të tij. Gjyshi e donte shumë vajzën e sapolindur, sepse ajo ishte e vetmja vajzë që i kishte hyrë në derë (vetë kishte qenë baba i shumë djemve). Ndaj dhe Elsa, tek rritej, më shumë se çdokënd tjetër donte gjyshin e saj. Kur iku në Itali, vajza dhe gjyshi e patën shumë të vështirë në ndaheshin nga njëri-tjetri. Ndaj ajo i kishte premtuar se do të kthehej shumë shpejt për ta parë. Atje, në Itali, Elsa kishte kuptuar se gjyshi i saj, krejt pa e ditur, i kishte vënë emrin e një shenjti. Në kalendarin katolik italian, ku çdo ditë ka shenjtin e vet, Elsa kishte lexuar edhe santa Elsën (ishte dita e katërt e korrikut dhe në atë ditë ka lindur edhe ajo vetë). Që nga ajo ditë, vajza është ndier më e mbrojtur se kurrë nga Zoti, nga engjëlli i saj, santa Elsa. Tek ai shenjt ka besuar gjithë dhembjet e saja, të cilat i ka mbartur që nga koha kur prindërit e saj u ndanë. Askujt tjetër nuk ka dashur t’ia tregoj këto dhembje. Ka mundur të tregojë vetëm se nëna i ka munguar shumë, edhe atëherë kur nga shtëpia e gjyshes i dërgonte letrat me shkrimin e saj prej fëmije, edhe atëherë kur merrte letra prej duarve të saja. Kështu e mbajtën lidhjen nënë e bijë derisa …ajo u nda nga kjo jetë. Vajza u rrit më pas duke ndier jo vetëm mungesën e nënës, por edhe të letrave të saja, më shumë se kaq. Mbështetej për çdo gjë tek gjyshërit dhe tek babai i saj, Edmond Lila. Këtij ia besonte të gjitha dëshirat dhe ëndrrat. U bënë miq të mirë me njëri-tjetrin, edhe atëherë kur i ati vendosi të martohej me italianen Marie Rozaria. Elsa, motra e saj, babai dhe italianka krijuan në Leçe familjen e re. Ndërsa në murin e asaj shtëpie rrinte i varur portreti i nënës së Elsa Lilës.

Kortezi e gazetes Shekulli


Veshja