Festivali për fëmijë kurorëzon fituesit
|
|
Shpallet fituese kënga "Universi", e kompozuar nga Kaçinari, me tekst të Papingjit
SHKODËR-Festivali i 40-të Mbarëkombëtar për fëmijë u mbyll me suksesin e Alfred Kaçinarit. Kënga "Universi" e kompozuar dhe e orkestruar prej tij me tekst të Jorgo Papingjit dhe e kënduar nga Ester Hoxha (nga Tirana), u vlerësua me çmimin e parë nga juria e festivalit e cila u kryesua nga Robert Radoja. Me çmim të dytë u vlerësuan dy këngë-"Ritmi i prindërve tanë" me muzikë të Xhavit Ujkanit, tekst të Jorgo Papingjit, kënduar nga Kledi Xamo dhe "Më bëj, një zanë" me muzikë të Shpëtim Saraçit, tekst të Jorgo Papingjit e kënduar nga Era Saraçi dhe Lira Qefalia. Me çmim të tretë u vlerësuan: "Ne presim, por s'e dimë" me muzikë dhe orkestrim të Roland Gulit, tekst të Paulin Shtjefnit, kënduar nga motrat Xheneta dhe Memela Alia, "Kapedani i gjyshes" kompozuar nga Namik Jahja, me tekst të Xhahid Bushatit, kënduar nga Nensi Domnori, "Kasper" me muzikë dhe orkestrim të Naim Krasniqit, tekst të Riza Deshikut, kënduar nga Rinesa Deshniku nga Prishtina. Krahas këtyre çmimeve tradicionale, juria ka dhënë dhe vlerësimet e tyre për tekstin më të mirë, për interpretuesen më të mirë ….
Kështu Jorgo Papingji mori kupën e festivalit për tekstin më të mirë me këngën fituese "Univers". Ndërsa si këngëtarja më e mirë u cilësua Erjona Bushi, kënga e së cilës "Fidanë ëndrrash do të mbjell" nuk hyri në natën e tretë të festivalit. Kjo këngëtare e vogël, e sapo kurorëzuar do të përfitojë nga çmimi 21 ditë pushime në Ohër.
A. Dushi
|
|
|
|