Faqja kryesore e muzikës Lista e plotë e artistëve Te gjitha albumet TOP-40 Kenget TOP-20 albumet Ndihmë
Muzika Top
   
Menu
  "Këngë Magjike", mbledh emrat më të spikatur të skenës shqiptare  
“Kënga magjike” tri ditë te kompleksi “Tropikal”

Ka treguar se gjithmonë është në gjendje të arrijë më të mirën. E kështu do të ndodhë edhe këtë herë, në mënyrë të padiskutueshme. Sepse realisht Ardit Gjebrea ka jo vetëm përvojën e duhur për të organizuar një eveniment të përmasave mbarëkombëtare, por edhe idetë e njerëzit e zgjedhur për t’i bërë ato konkrete. Producentin dhe drejtuesin e “Kënga magjike” e kemi gjetur mbrëmjen e së enjtes në ambientet e kompleksit “Tropikal” në Durrës, duke xhiruar për netët e prezantimit.
“Duke pritur kënga magjike 2007”, gjatë të cilave përmes ekranit të televizionit “Klan”, publiku do të njihet me këngëtarët dhe këngët pjesëmarrëse në këtë event të rëndësishëm muzikor. Pranë tij është si gjithmonë e kujdesshme dhe e vëmendshme bashkëshortja Anila, ndërsa shohim si bashkëpunëtor edhe Aldon Lipen. Tri ditët e xhirimit të “Kënga magjike” kanë qenë pa dyshim të ngarkuara për Arditin dhe stafin e tij, po të kemi parasysh se xhirimet fillojnë rreth orës 10:00 të mëngjesit për të vazhduar deri vonë pas mesnate.
Edhe pse është një punë shumë voluminoze dhe e lodhshme, duket se Arditi nuk shkëputet për asnjë çast nga skena e xhirimeve, me përjashtim të momenteve, kur së bashku me këngëtarët ulen për të ngrënë në restorantin e këtij kompleksi. Pas tetë vitesh festivali, “Kënga magjike” vjen në edicionin e tij të nëntë me surpriza të reja, por mbi të gjitha me emra artistësh të afirmuar dhe dinjitozë. Gjithsesi, Gjebrea nuk ka lënë pa përfshirë edhe artistët e rinj, të cilët ndonëse mund të jenë debutues në këtë festival, kanë shfaqur talent dhe vlera të merituara për të qenë pjesë e tij. Megjithatë duhet të përmendim, se këtë vit spikasin emra këngëtaresh të afirmuara, të cilat i kishin munguar skenës shqiptare, mes të cilave Aurela Gaçe, Gili, Leonora Jakupi, Anjeza Shahini etj.

NJË SKENË E MAGJISHME PËR “KËNGA MAGJIKE”

E ndërsa është shprehur se mendimi i tij i parë shkon për përmbajtjen artistike të festivalit, Ardit Gjebrea nuk ka lënë kurrsesi jashtë vëmendjes formën. Gjithçka është një surprizë e bukur që, në fakt, i ka lënë të çuditur edhe vetë këngëtarët, në momentin që kanë parë skenën e përgatitur për të kënduar. Duke qenë se Gjebrea ka kërkuar që ajo të mbetet një surprizë për publikun, mbrëmjen e 22 tetorit, kur këngët do të fillojnë të linçohen, do të përpiqemi të mos e zbehim interesin e publikut, duke u shprehur se bëhet fjalë për një gjetje tepër të veçantë dhe surprizuese, që është realizuar edhe falë motit të mirë.


Aurela Gaçe: “Kam vendosur të qëndroj gjatë në Shqipëri”

Përveç pjesëmarrjes në “Kënga magjike”, këngëtarja do të punojë për një album të ri

Ka mbërritur në Tiranë mesditën e së enjtes, ndërsa në mbrëmje përgatitej për xhirimet e “Kënga magjike”. Dhe në fakt duket se orët e gjata të fluturimit nuk e kishin lodhur aspak këngëtaren Aurela Gaçe, e cila pas një shkëputjeje disa vjeçare nga skenat shqiptare rikthehet për të qenë pjesë e festivalit “Kënga magjike”.
Ndonëse me një pamje tepër të veçantë dhe ndryshe nga hera e fundit, që ajo ka qenë në Shqipëri duket se në karakterin e Aurelës nuk ka ndryshuar asgjë. Është po ajo vajza çapkëne dhe alegro, që ndonëse e kupton fare mirë vëmendjen e kolegëve dhe të mediave mbi rikthimin e saj, impresionohet realisht vetëm nga pritja e publikut shqiptar dhe nga emocionet e daljes në skenë.
E kemi takuar Aurelën vetëm pak minuta përpara se ajo të niste xhirimin e këngës, me të cilën do të prezantohet në festival. Duket se kjo është e vetmja gjë, që e emocionon dhe pranon se është kthyer në Tiranë pikërisht për të jetuar këto ndjesi, të munguara gjatë gjithë këtyre viteve. Flet me pasion për çastet kur përgatitet të dalë në skenë dhe pranon se pret me padurim të jetë në sallën e Pallatit të Kongreseve përpara publikut shqiptar. E në fakt, emri i saj mes këngëtarëve profesionistë në festivalin “Kënga magjike 2007” i bëri të gjithë të mendojnë se do të përballen me një konkurrente të fortë, me një zë të spikatur, që nuk mund të hyjë në festival, pa pretenduar të marrë një çmim. Por duket se synimi i Aurelës është larg këtij mendimi. “Unë nuk e kam ndjerë mungesën e çmimeve - shprehet ajo. Jam vlerësuar nga publiku dhe nga juritë dhe nuk kam mangësi në këtë drejtim. Arsyeja e vërtetë, që më bëri të jem në këtë festival përveç prestigjit dhe emrit të tij ishte dëshira për të ndjerë edhe një herë emocionet dhe momentet e përgatitjeve për të dalë në skenë. Për të shijuar edhe një herë duartrokitjet dhe kënaqësinë që të fal skena. Sa për çmimin ai është pjesë e garës, por nuk duhet të kthehet në qëllim në vetvete”, tregon duke qeshur. Edhe pse eventet muzikore nuk i kanë munguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Aurela Gaçe duket më shumë se e sinqertë kur tregon se këngëtarët shqiptarë atje duhet të këndojnë vetëm për shqiptarët dhe nuk mund të pushtojnë dot skena të mëdha ashtu si mund të pretendojnë. E pikërisht kjo dëshirë për skena të mëdha, duket se Aurelën e ka kthyer në Tiranë për të qëndruar më gjatë. Përveç pjesëmarrjes në festivalin “Kënga magjike” ajo tregon se do të punojë paralelisht edhe për të nxjerrë albumin e saj, të cilin shpreson ta hedhë në treg verën e ardhshme. Është ky një impenjim serioz, për të cilin thotë se do e mbajë për një kohë të gjatë në Shqipëri. “Do të qëndroj gjatë këtë herë, sepse duhet të punoj për albumin”, tregon ajo. Ndërkohë në horizont nuk duket asnjë lajm i ri për jetën private të këngëtares. “Asgjë e re - shprehet Aurela kur e pyesim në lidhje me këtë fakt. Dhe si për t’i vërtetuar fjalët e saj nxjerr në pah gishtat duke u shprehur se nuk ka asnjë unazë, që të shprehë diçka.


Gili: “Sekreti i bukurisë sime është dashuria”

Sërish e shoqëruar nga bashkëpunëtori dhe bashkëshorti i saj Iliri, në këtë rikthim në skenën shqiptare. Prej vitesh dukej se Gili kishte hequr dorë nga festivalet në Shqipëri dhe ja ku e shohim tek “Kënga magjike”. Me një pamje që vërtet të befason, ajo gjithmonë e më tepër krijon imazhin e femrës, për të cilën vitet duket se nuk ecin. E megjithatë tashmë djemtë e saj janë rritur, i madhi 16 vjeç dhe i dyti 8, ndërsa Gili mbetet e re dhe di të jetë atraktive në skenë. E kemi gjetur së bashku me këngëtarët e tjerë në ambjentet e kompleksit “Tropikal”, tepër e kujdesshme për të dëgjuar edhe këngët e kolegëve të Kosovës, të cilët duket se kanë kërkuar mendimin e saj.

Ç’mund të na thuash për këngën me të cilën po prezantohesh në “Kënga magjike”?

Gjithmonë përpiqem të sjell diçka të veçantë gjatë pjesëmarrjeve të mia në festivale dhe besoj se edhe këtë radhë ia kam arritur qëllimit. Si gjithmonë me ndihmën e Ilirit, që është autor i këngës dhe i vargjeve.

Edhe këtë radhë jeni në Shqipëri së bashku me Ilirin. Gjithmonë udhëtoni së bashku?

Pothuajse gjithmonë, sepse Iliri përveç se bashkëshorti im është edhe bashkëpunëtor dhe krijues i këngëve të mia.

Është interesant fakti, që shpesh shfaqeni me imazh të ri dhe shumë në formë, cili është sekreti i look-ut të Gilit?

Kam një dashuri të madhe që më mban të re brenda vetes, por edhe kujdesem mjaft për pamjen time dhe i kushtoj vëmendjen e duhur.

Cilat janë impenjimet e tua të përditshme në Kosovë?

Besoj se impenjimet dhe kënaqësitë e mia gërshetohen së bashku. Janë muzika dhe familja. Kam dy djem, të cilëve iu kushtoj vëmendjen e duhur dhe përpiqem të gjej një pikë të mesme, që muzika të mos më rrëmbejë kohën e familjes dhe familja të mos hyjë në kohën e muzikës.

Jashtë skenës, je një grua që i bën të gjitha punët e shtëpisë?

Jo, nuk më pëlqen të merrem me punët e shtëpisë. Fatmirësisht më ndihmon vjehrra.

Djemtë e tu janë të rritur tashmë. Si ndjehen nga fakti, që nëna e tyre është personazh i njohur në publik?

Iu duket krejtësisht normale, sepse janë rritur me këtë ide dhe janë mësuar me imazhin tim skenik.



Jehona Sopi e tradhtuar nga shoqja e saj e ngushtë

E tradhëtuar nga shoqja e ngushtë, që do të martohet me të dashurin e saj. Ky nuk është fati i Jehona Sopit, por teksti i këngës, me të cilin ajo është pjesëmarrëse në festivalin “Kënga magjike”. Një këngë tepër e spikatur dhe e performuar me shumë profesionalizëm nga bukuroshja kosovare. Këngëtarja e cila tashmë është afirmuar në ekranin muzikor shqiptar vjen për të parën edhe në një eveniment shumë prestigjoz, siç është festivali “Kënga magjike”, duke qenë në këtë mënyrë edhe më pranë publikut shqiptar. Të enjten në mnbrëmje, së bashku me shumë këngëtarë të tjerë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, Jehona ka qenë e pranishme në xhirimet e prezantimit të këngëve pjesëmarrëse në festivalin e përvitshëm “Kënga magjike”.
E njohur gjithmonë për pamjen e saj tepër të veçantë dhe mënyrën origjinale të prezantimit në skenë edhe këtë radhë Jehona nuk ka dalë jashtë stilit të saj. Flokët bjondë, këtë radhë të krehur dhe jo kaçurrelë, (siç e kemi parë tek klipi i këngës “Përvjetori”) i jepnin një pamje krejt ndryshe, që në momentin e parë nuk të bënte të besoje, se vajza që kishe përpara ishte vërtet Jehona. Megjithatë gjithmonë me dëshirën për t’u dukur e bukur, pyet me kuriozitet nëse imazhi i saj real është po aq i këndshëm sa edhe ai skenik. “Dukem më bukur në televizor apo kështu live”, pyet ajo duke buzëqeshur, ndërsa është duke pirë diçka me këngëtaren Rezarta Shkurta në barin e kompleksit “Tropikal”, ku këngëtarët e diasporës janë vendosur.
Studente në degën e psikologjisë në Universitetin “Dardania” në Prishtinë, këngëtarja kosovare e ka parë festivalin “Kënga magjike”, jo vetëm si një event prestigjoz dhe skenë profesionistësh, por edhe si një aktivitet në të cilin ajo do të ketë mundësinë të jetë më parë publikut shqiptar, që duhet thënë se e pëlqen dhe e vlerëson po aq sa edhe publiku kosovar. Është kjo arsyeja, që e bëri Jehonën të vendoste për të marrë pjesë në festival. Ndonëse këtë radhë qëndrimi i saj në Shqipëri nuk ka qenë shumë i gjatë, shpresojmë se ajo do të jetë sërish në Tiranë, në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve. Le të shpresojmë se ajo do të jetë një prej të votuarave të publikut për t’u kualifikuar.


Leonora Jakupi: Eshtë koha të kem një partner

Si gjithmonë e bukur dhe me një vështrim të ëmbël, edhe këtë radhë prania e Leonora Jakupit nuk mund të ketë kaluar pa tërhequr vëmendje. Ndërsa është prezantuar në skenën e xhirimeve “Duke pritur kënga magjike”, në ambientet e kompleksit “Tropikal” pasi ka përfunduar këngën e saj, ajo është përshëndetur me disa nga koleget shqiptare, përpara se të nisej drejt kryeqytetit, ndërsa të premten në mëngjes është rikthyer në Prishtinë. Pranon se i ka munguar skenës shqiptare për një kohë të gjatë, ndonëse ka qenë pjesë e ekraneve muzikore me këngë dhe klipe të reja. Kërkon të mos tregojë shumë në lidhje me jetën e saj private, duke u shprehur se është koha të ketë një partner, por që ende nuk e ka gjetur dashurinë.

Me çfarë je duke u marrë momentalisht?

Për momentin kam realizuar këtë këngë, me të cilën do të marr pjesë në festivalin “Kënga magjike”. Njëkohësisht jam duke punuar edhe për një këngë të re, të cilës do t’i bëj edhe një videoklip. Vazhdojnë edhe angazhimet e mia në koncerte apo mbrëmje rinore.

Kush janë bashkëpunëtorët e tu në këtë event?

Eshtë Darko Dimitrov dhe Asim Bonjaku.

Cila është arsyeja, që këtë vit vendose të jesh te festivali “Kënga magjike”?

E dua shumë publikun shqiptar dhe e ndiej se i kisha munguar prej një kohe të gjatë, ndaj nëse edhe këtë herë do të mungoja nuk do të ishte mirë. Ky është një festival që sjell gjithmonë të reja dhe gjëra sensacionale.

Mendon që mund të jesh fituese?

Kam parë emra këngëtarësh shumë të njohur të skenës shqiptare. Këngët që kam dëgjuar më pëlqyen shumë dhe them që do të jetë një garë dinjitoze dhe e fortë, ndaj nuk mund të flasim për çmim, është ende herët. (qesh)

Meqë po flasim për publikun. Ku e ndjen se ke më shumë fansa, në Shqipëri apo në Kosovë?

Kudo ku ka shqiptarë, nuk bëj ndonjë dallim.

Si arrin ta mbash trupin në formë, sepse të shohim në linja të mira. Cili është sekreti, ndonjë dietë, palestra?

Në këtë periudhë realisht nuk kam treguar ndonjë kujdes të veçantë. Shpresoj që këto ditë të filloj palestrën, ndërsa sa për dietat nuk i preferoj. Ndoshta për jetën e përditshme jam mirë, por për në ekran do të duheshin edhe disa kilogramë më pak.

Gjithmonë publiku shqiptar ka dashur të dijë për jetën tënde private. Mund të na zbulosh diçka?

Jam vetëm. Nuk kam të dashur.

Kështu thonë të gjitha këngëtaret që duan t’i fshehin lidhjet e tyre...

Jo nuk kam asgjë për të fshehur. Edhe pse tani kam kohën që të kem një partner, vazhdoj të jem ende vetëm.

Si duhet të jetë partneri ideal për ty?

Të ketë karakter të fortë, intelekt, të dijë të ndajë fansat e mi dhe miqtë e mi.



Kortezi e Panorama


Veshja