Faqja kryesore e muzikës Lista e plotë e artistëve Te gjitha albumet TOP-40 Kenget TOP-20 albumet Ndihmë
Muzika Top
   
Menu
  Anida Take, një jetë në skenën artistike shqiptare  
Agim Prodanin nuk ma zëvendëson dot askush

Emri i saj në fakt nuk është Anita siç shumë kush mund të jetë mësuar ta thërrasë, por Anida. Kjo ishte surprizë edhe për mua, pasi këtë e mësova vetëm nga biseda me të. Në trinitetin e saj si artiste nënë dhe bashkëshorte, Anida përcillet në këtë intervistë në lartësinë e një gruaje që me të vërtetë e ka merituar suksesin dhe respektin. Udhëtojmë në jetën e saj mes të kaluarës dhe të sotmes dhe njohim jo vetëm recetën e një modeli femëror të suksesshëm, por dhe të një gruaje që i ka mbijetuar kohës, që ka gëlltitur dhimbjen fizike dhe ka prekur lumturinë njerëzore. Ashtu e bukur, e respektueshme, e ëmbël, e mençur me emocionin dhe turpin e saj akoma vashëror Anida mbetet krenari në plejadën e femrave shqiptare.


Zonja Anida, si e jetoni muzikën tani?

-Nuk mund ta kuptoj jetën pa muzikë. Kam lindur duke kënduar dhe do vdes duke kënduar. Kur kam oferta për të kënduar, kurrë nuk i refuzoj, ndërkohë që intervistat i kam pak të zorshme.

Sa rëndësi i keni dhënë punës, në jetën tuaj?

-I kam dhënë rëndësi të madhe. Nëse kam arritur të bëhem diçka në jetë, kjo ka qenë vetëm nëpërmjet punës, punës dhe punës.

Keni qenë shumë aktive si në profesion dhe në marrëdhëniet me familjen. Sa ju ka kushtuar gjithë ky përkushtim?

-Unë nuk kam qenë vetëm këngëtare në jetë. Së pari kam qenë një kolege me një partner të vështirë. Kur them të vështirë, dua të them se ai ka qenë maniak pas të përkryerës, dhe bashkëpunimi me të, ka qenë i vështirë, por i suksesshëm. Nëse unë kalova disa vite si kolege me Agimin, në një marrëdhënie profesionale dhe shoqërore, theksoj se kanë qenë marrëdhënie shumë korrekte pa interes mashkulli për një femër, besoj se rolin kryesor e ka luajtur korrektesa dhe përkushtimi për punën. Këtë gjë, ai ma ka përsëritur shpesh kur ishim të martuar. Kur e kujtonim kohën tonë të punës në bodrumet e radios, ai më thoshte:”Ndjehesha shumë në siklet kur vija me vonesë, dhe të gjeja duke më pritur gjithnjë e rregullt dhe në orar”. Kjo ishte arsyeja që i fitova zemrën, atij djali të edukuar dhe të talentuar, që gjithnjë ishte i rrethuar nga këngëtare shumë më të bukura se unë, shumë më tërheqëse se unë. Unë e kam respektuar gjithnjë veten. Kështu e fitova Agimin, pa bërë asnjë përpjekje. Duke respektuar veten, duke u mbrojtur kur duhej, e urtë, punëtore, kokulur, dhe pa dyshim dhe me seriozitet.

Kjo do të thotë se duke i patur këto karakteristika individuale, tuajat, ja u lehtësuan jetën?

- Nuk më kanë kushtuar shumë. Unë u bëra bashkëshorte e Agimit, por siç thotë populli “ i vura shpatullat shtëpisë”. Sepse Agimi, duke qenë krijues, kishte nevojë për kushte dhe lehtësime në familje. Unë, e dobët kam qenë, por e fuqishme, dhe e kam adhuruar familjen, shtëpinë. Më ka pëlqyer gjithnjë ambienti familjar, dhe harmonia. I jam dhënë familjes me mish e me shpirt. Fëmijët nuk i çoja në çerdhe sepse kisha frikë se më sëmureshin, dhe nuk mi mbanin mirë edukatoret. Por unë punoja, dhe më duhej të shkoja në estradë dy herë në ditë. Në mbrëmje ne kishim shfaqje dhe më duhet të dilja para spektatorëve. Spektatori nuk do t’ia dijë për problemet dhe punët që ka këngëtari në shtëpi, kështu që shumë herë vija kompresa me ujë të ftohtë në sy, për të larguar lodhjen dhe për të më kthyer shikimin. Agimi ka qenë shumë i lidhur me shtëpinë. Pianoja, cigarja dhe Anita kanë qenë pjesë e pandarë e jetës së tij. Gjatë gjithë jetës kam qenë organizatore e punëve, sepse më duhet të mendoja për ushqimin, pazarin, gjellën, tavolinën, fëmijët. Por ka qenë diçka që unë e kam pëlqyer, dhe nuk e kam ndjerë si rëndesë.

Nuk ndjeheni e lodhur nga gjithë këto përpjekje?

-Jam e lodhur, por e bëj përsëri. Tani jetoj me djalin dhe përsëri merrem me këto punë. I shërbej shumë. E kam kënaqësi ti shërbej njerëzve.

Ta kanë vlerësuar këtë përkushtim Agimi dhe fëmijët?

- Tani më ngacmove shumë. Pasi jetuam 31 vjet së bashku dhe rregulluam kushtet tona, pra, u sistemuam me shtëpinë që jemi sot, ndërsa po hanim drekë me djemtë dhe unë ndjehesha e lodhur, Agimi u tha atyre: “Dëgjoni djema, unë gruan dhe ju nënën tuaj të themi të drejtën e kemi shfrytëzuar pak. Sot e tutje, do marrim angazhim që ta ndihmojmë. Ti Flori do të hekurosësh, ti Kujtim do bësh pazarin, dhe unë në shtëpi do bëj sa të mundem.” Unë i dëgjoja, dhe u lumturova, dhe pse me mendjen time përsërisja që përsëri do i bëja vetë, sepse e kisha në natyrë këtë gjë. Atë ditë u nisa për në Elbasan dhe kur u ktheva e gjeta të vdekur Agimin.

E ndjeni shumë humbjen e bashkëshortit?

-Mos më thoni! Dje kam qenë në varreza dhe jam akoma me velin e trishtimit. Ndërsa flas, jam e ngarkuar me kujtimet e mia. E kam ndjerë shumë, por e kam marrë me filozofi sepse jeta është ndërtuar në këtë mënyrë, ikën një njeri, lind një tjetër, rritet, vdes. Por ndiej mungesën e tij si shok, si mikun më të mirë që pata. Jam përpjekur që ta kompensoj, duke krijuar me njerëzit marrëdhënie miqësore, duke qenë një nënë e lumtur, por dhe vjehrre e lumtur. Nuk jam besimtare, por çdo mëngjes them: “O zot, faleminderit!”

Anida si vjehrrë. Si janë raportet me nusen tuaj?

-Nuk e ndjej veten vjerrë. Unë nuk kam vajzë, por dhe po ta kisha nuk mendoj se do kisha dashur më shumë dhe do kisha më shumë konfidencë se kam unë me Gentën. Ndjehem shumë e plotësuar me të. Dje që isha në varreza shkova tek varri i nënës së Gentës dhe i thashë: “Nuk të njoha asnjëherë, por ti e linde, e rrite, për ta gëzuar unë!” Genta është më e mirë seç të gjithë e njohin. Shkoj çdo të shtunë, që ajo ka ditën e pushimit, dhe drekoj me djalin dhe nusen. Ky është një ligj me të cilin nuk mund të luhet.

Po ju keni patur vjerrë?

-Foton e vjerrës akoma e mbaj mbi kokën e krevatit tim. E kam dashur shumë vjerrën, dhe kemi qenë bashkë deri në fund të jetës. Më kujtohet që Agimi më thërriste lule, ndërsa ajo lulishte ( Më thoshte:Je më shumë se një lule). Edhe sot, ky emër më ka mbetur tek njerëzit e shtëpisë.

Cilat janë këshillat tuaja për një grua, që të jetë e lumtur dhe e suksesshme në jetën e saj?

-Të jetë vetvetja. Të jetë e sinqertë me partnerin dhe me fëmijët. Duke qenë kështu ka harmoni në familje dhe pa dyshim lind dhe respekti, dhe ajo familje nuk do të përjetojë probleme të rënda.

Por nëse një grua ka kontradikta me bashkëshortin. Çfarë mendimi keni për rebelimin e saj dhe për divorcin?

-Në momentin që nuk ka riparim marrëdhënia dhe partneri ka probleme, unë mendoj se gruaja duhet të kërkojë zgjidhjen e kësaj lidhjeje. Kur në familje ka dhunë, ajo duhet të rebelohet. Unë po ta kisha patur në jetën time, nuk do e kisha toleruar. Gjithnjë duke iu referuar korrektes sime personale. Nuk ka pse të sakrifikojë gruaja gjithë jetën për hir të fëmijëve, ose për hir të një interesi mbijetese. Ajo duhet të zgjedhë rrugën e saj në jetë. Nuk jam pro tradhtisë në familje. Por mbasi njeriu e ka zgjidhur martesën, jam dakord dhe me një martesë të dytë dhe të tretë. Dhe më duket se kështu ka ardhur koha tani. Familja është tepër e shenjtë dhe do mbrojtur, por gjithnjë kur ajo është e shëndoshë. Mendoj se elementi kryesor është kujdesi dhe zgjedhja e partnerit. Sot lidhjet bëhen shumë shpejt. Unë i vë rëndësi shumë njohjes paraprake. Unë me Agimin kam kaluar shumë kohë njohjeje, para se të vendoseshim të lidheshim. Njohja pa piksynime është e rëndësishme. Femra intrigon kollaj. Pikërisht për këtë shkak sot vihemi përballë historish të çuditshme dhe këto na bëjnë që meshkujt ti shohim me sy të keq. Pavarësisht se këtu kanë pjesë dhe femrat.

Çfarë ju bën ju sot, të ndjehemi mirë me veten tuaj?

Unë ndihem mirë se jetoj. I kam fëmijët mirë me shëndet, dhe njerëzit që më rrethojnë janë mirë. Ndihem një nënë e përkëdhelur.



Shtatzënia ime e parë më ka lënë 9 muaj në shtrat

Thatë që keni patur dy lindje shumë të vështira. Si ka qenë ardhja e fëmijëve të tu në jetë?

- Fëmija i parë erdhi në momentin e duhur, pas gjashtë vjetësh që ne ishim lidhur. Por shtatzënia ime e parë ka qenë shumë e vështirë. Kam kaluar në fëmijëri sëmundjen e brucelozës, dhe më kujtohet që kam bërë mbi dy mijë inxheksione për të mbajtur fëmijën, sepse rrezikoja abortin. Kam kaluar shumë kohë në spital dhe personeli mjekësor më ka mbajtur në pëllëmbë të dorës. Më kujtohet që ndërsa arrinte momenti i ardhjes së fëmijës, doktor Glozheni u thotë punonjësve të tij “Gati i keni enët e gjakut!”Kur dëgjova profesorin, mendova se situata ishte e rrezikshme dhe unë perceptova që mund të humbja djalin. Atëherë kam menduar: “Nëse do zbres ato shkallët e maternitetit pa djalë, do hidhem nga shkallët!” Nuk është mirë që e them, por atëherë e mendova me të vërtetë. Unë nuk mund ta kuptoja dot jetën, pa fëmijën. Mendoni që, vetëm pas tre muajsh, kam mundur të ngrihem në këmbë e të eci. Kur kam dalë nga spitali kisha shtuar 28 kile, flokët më ishin zgjatur dhe babai mezi më njohu. Më kujtohet që nuk më bënte asnjë veshje dhe unë kam marrë një copë kambrike që e përdrodha në trup si veshjet indiane, deri sa formova gardërobën time të re. Edhe pse kanë kaluar 40 vjet, ka mbetur në historinë e maternitetit, fakti që, kam ndenjur 9 muaj në shtrat, deri sa realizova ardhjen e fëmijës tim në jetë.

A ndjeheni një nënë e shpërblyer nga fëmijët e tu?

-Për sa i përket marrëdhënieve të tyre me mua, absolutisht po. E kam pak peng djalin e madh që vazhdon të jetë beqar, por kështu e sheh ai jetën e tij, dhe mua më duket vetja e pafuqishme të ndërhyj në zgjidhjet e tij. Do dëshiroja shumë që sa të jetoja ta shihja dhe atë të sistemuar me familje, por nuk është e mundur të realizohet gjithçka që do zemra e një nëne.

Në familje jo gjithçka shkon në mënyrë perfekte. Ka dhe të meta që duhet të suportohen. Ju keni përtypur ndonjë të metë të bashkëshortit tuaj?

- Nuk them se ishte një e metë e dëmshme, por Agimi nuk dilte nga shtëpia. Unë si grua e re që isha, e dashuruar marrëzisht pas tij, do doja që ai të më shoqëronte. Me përjashtim të dy viteve të para kur ishim të fejuar, më pas ai nuk më shoqëronte as në shëtitje, as në vizita. Unë u mësova me këtë gjë, dhe e mirëkuptova. Për mua ishte e rëndësishme që ai nuk ndërronte partnere. Edhe kur shkonim nëpër mbrëmje atij nuk i pëlqente të kërcente, mua po. Nuk është se më ndalonte të kërceja me partnerë të tjerë, por unë e ndjeja që atij i vinte keq ti hidhesha në qafë një mashkulli tjetër, dhe unë nuk e bëja. Pra ka patur gjëra të vogla, të këtij lloji. Agimi më thoshte gjithnjë: “Jam menduar se kë mund të vija në vendin tënd, por nuk e kam gjetur kurrë një zëvendësuese”. E njëjta gjë më ka ndodhur dhe mua. Kur kam qenë në Austri, para disa vitesh, njerëzit rreth e rrotull, me të cilët krijuam miqësi i thoshin djemve: “Kjo e ka humbur shokun prej vitesh. Tani ka nevojë për një friend, një shok”. Me atë gjermanishten time të çalë u thosha: “Nuk kam mundur kurrë të gjej, njeri më të mirë se atë që kisha. Nuk më bën përshtypje që kam 20 vjet pa të”.

Realisht si e jetoni lidhjen me të?

-E mendoj ditë dhe natë. Ai është pjesë e jetës sime. Shumë herë ndalem, afër fotografisë së tij mbi piano, dhe i them:”Ah more Agim, kështu është jeta, pas pak do vij tek ty dhe unë”. Flas me të. Pastaj gjëja që më ngushëllon është fakti që për të flitet shumë. Kjo më sjell kënaqësi. Nuk është në këtë moment duke pirë kafe me mua, por është në një shoqëri që e kujton, në respektin, në vlerësimet dhe superlativat e njerëzve. Me rastin e 45 vjetorit të festivalit kalova një moment shumë të vështirë. U bë një homazh për artistët që nuk jetojnë më, dhe duke parë secilin prej tyre në sallë, mendoja se çdonjëri ishte një kolloz, shihja fotot dhe u shkëputa nga realiteti duke u futur në botën e të vdekurve. Më pas drejtuesi i festivalit thirri emrin tim, por unë e ndjeva që këmbët më ishin bërë kallkan dhe pasi i dhashë një shtytje trupit dola në skenë, dhe më kaloi gjithçka. Unë e kam këtë gjë:po të jem para publikut, tjetërsohem.

Thatë që e përjetuat dhimbshëm parakalimin e kolosëve të muzikës. Keni frikë nga vdekja?

-Jo shumë, sepse më ka përgatitur Agimi. Ai fliste shumë për vdekjen. Në një periudhë lodhjeje profesionale, unë kalova një lloj depresioni ku e kisha frikë vdekjen e Agimit. Dhe ai punoi shumë me mua. Ai gjithnjë e thoshte që unë do jetoja më shumë. Edhe pse kishim vetëm 7 vjet diferencë. Ai ishte shumë i lodhur dhe jeta e puna që bënte, e sfiliti. Vuante nga pagjumësia dhe gjithë natën vetëm krijonte. Flinte në mëngjes, atëherë kur ripërtërihej jeta. Ajo që për mua ka qenë e rëndë, ka qenë mënyra se si u ndava me të. Nuk isha e përgatitur dhe nuk u gjenda aty, ti rrija pranë, të më linte një amanet. Por humbjet duhen gëlltitur, sepse mua më takon të ruaj dinjitetin e bashkëshortit, të fëmijëve të mi dhe të familjes. Me kalimin e kohës njeriu mëson të jetojë me humbjen. Ndaj dhe grave që kanë humbur bashkëshortët, u them se duhet t’ia lënë kohës. Mos ta sfilitin veten, ashtu siç bëra unë.



Im shoq kishte një xhelozi pozitive ndaj meje

Duke kaluar tek kënga, pasioni juaj i madh ju dhe vetë e thatë që i harroni të gjitha dhimbjet.

-Flas për Agimin sikur e kam diku aty. Ndonjëherë tregohem e kujdesshme, se mos i mërzis njerëzit, por ai ka qenë dhe është shumë i pranishëm në jetën time profesionale. Para katër vjetësh kam qenë në Kosovë, në një eveniment shumë të bukur dhe elitar. Kisha 50 vjet pa shkuar në Kosovë dhe mezi prisja të kisha një ftesë. E ndërsa këndoja para të pranishmëve flisja dhe për Agimin dhe bëja me kokë. Më dukej sikur diku do ta shihja. Dhe u dërgova dhe të pranishmëve puthje me dorë. Dhe pastaj mendova për atë gjest, se si do i dukej Agimit. Në fakt shumë vjet më parë, ndërsa isha rreth të 50-ave, në një koncert recital, u kam dërguar puthje me dorë spektatorëve dhe ai ishte mbrapa perdes dhe më ndiqte. Më kujtohet që menjëherë sa e takova e pyeta:”Mos bëra gabim?” Dhe ai më tha:”Jo Anida, është e drejta e moshës. Ndaj mos u rezervo!”

Ka qenë xheloz ndaj jush?

-Jo xheloz, në kuptimin negativ të fjalës, por ka qenë. Unë e kuptoja, dhe rezervohesha.

Keni qenë shumë e kujdesshme, atëherë?

-Kam patur një natyrë të ekuilibruar. Në moshën time të duket sikur jeta është e shkurtër. Por në fakt e gjithë koha që jetova me Agimin, dhe e sotmja pa praninë e tij reale por me praninë shpirtërore, përbën një cikël të pandashëm, sepse kemi jetuar dhe folur kaq shumë, sa për shumë momente gjej ngushëllim tek fjalët e tij.

Zonja Anida, para tre vjetësh ju keni promovuar dhe një album të ri. Në moshën 70-vjeçare i keni dhuruar publikut këngët e të paharruarës Take. Nga buron ky vitalitet?

-Nga dashuria. Dashuria për këngën, për punën, për njerëzit sepse kam dashur që ti dhuroj gjithçka atyre.


Intervistoi: Arlinda Canaj
Kortezi e Panorama


Veshja