Në 45 vjetorin e Festivalit të Radio Televizionit Shqiptar
|
|
“Trashëgimia shpirtërore shqiptare në fushën e këngës dhe nevoja për standarte në mbrojtjen, ruajtjen dhe popullarizimin e saj”
Këtë vit do të organizohet festivali i 45 i këngës në RTV publik shqiptar dhe kësaj ngjarjeje të rëndësishme të jetës sonë kulturore po i paraprihet me festime dhe përkujtimore të lllojeve të ndryshme, të cilat në thelb konsistojnë në lartësimin e vlerave të këtij aktiviteti dhe të artistëve që e krijuan dhe e lartësuan atë. Nuk është e tepër të themi se Festivali i Këngës në Radio-Televizionin Publik Shqiptar vazhdon të mbetet tribuna më e rëndësishme e kultivimit të këngës sonë. Megjithë decentralizimin e skemës së festivaleve të së ashtuquajturës: “muzika e lehtë”, në këto vitet e fundit (këtu kam parasysh disa aktivitete të tjera të kësaj fushe si “Kënga magjike” “Top fest” apo edhe “Mikrofoni i artë”), mund të themi se tradita e krijuar, koncentrimi i lëndës muzikore dhe përkushtimi institucional për këtë aktivitet ende e klasifikojnë atë si më të rëndësishmin festival të këngës mbarëshqiptare. Në këtë vështrim, një ngarkesë dukshëm të posacme po i jep këtij festivali edhe fakti se këngët fituese të tij do të përfaqësojë muzikën shqiptare të kësaj fushe, në festivalet Europiane.
Duke qënë se jemi në prag të zhvillimit të këtij aktiviteti, në kushtet kur disa here e kemi ngritur problematikën e nevojës që ka ky festival për t`u institucionalizuar në bazën e tij ligjore, po vendos edhe një herë atë në vëmendjen e publikut ë gjerë, por dhe te këshillit të ri drejtues të RTV Shqiptar dhe Drejtorit të Ri të Përgjithshëm me besimin e marrjes në konsideratë të tyre.
1. Nevoja për hartimin dhe aprovimin e Statutit të Festivalit të Këngës në Radio-Televizioni Shqiptar
Këtë vit mbushen plot 45 vjet të jetës dhe organizimit të Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar. Eshtë pa fijen më të vogël të dyshimit një traditë e shkëlqyer, e cila është e tillë si për vlerat që i ka sjellë muzikës sonë, e apo aq mbështetjen që i ka dhënë me dhjetra artistëve të krijimit dhe interpretimit për t`u afirmuar edhe më tej në skenën shqiptare dhe më gjerë. Në një vështrim më të përmbledhur, mund të pohojmë se ishte ky festival i cili krijoi deri në një fare mase edhe idiomën e këngës së muzikës së lehtë shqiptare. Në kohën kur festivali është shndërruar realisht në një pjesë të rëndësishme të muzikës sonë, kur respekti për të gjithë krijuesit dhe interpretuesit e tij (pjesa më e madhe e tyre janë ndarë nga kjo jetë), është më shumë se një obligim moral; në këtë kohë integrimesh europiane të jetës dhe shoqërisë shqiptare; kur dhe përfaqësimi i këngës shqiptare po institucionalizohet në mjediset ndërkombëtare të këngës, kërkohet me urgjencë që Këshilli Drejtues i Radio-Televizionit Shqiptar të aprovojë Statutin e Festivalit të Këngës në Radio-Televizioni Shqiptar si dokumenti bazë ligjor i ruajtjes, zhvillimit dhe popullarizimit të këngës shqiptare në këtë aktivitet.
Mbi Strukturën e Festivalit
Lidhur me strukturën e festivalit dëshiroj të shprehem se ajo duhet të jetë gjithpërfshirëse, dhe në pikëpamje të organizimit multikulturore, ku në të të zërë vend natyrshëm si kënga, por edhe elementët e tjerë të një shfaqjeje të madhe kulturore. Ndër të tjera, në mënyrë të vecantë kemi parasysh si respektin për traditën e madhe të këngës shqiptare, e po aq hapësirat e lira që festivali duhet të krijojë për përfaqësimin e të rinjve dhe tendencave bashkëkohore në muzikën shqiptare. Në këtë pikë, duke pasur parasysh “dëmin” që i ka sjellë këngës sonë deri më tani mungesa e një Statuti të përgjithshëm rregullues për festivalin, dëshiroj të pohoj se struktura e festivali mund të përbëhej nga dy elementë bazë:
Së pari nga koncerti i këngës së kompozuar nga kompozitorët profesionistë, të cilët detyrimisht duhet që të porositën nga organizatorët për pjesmarrjen e tyre në festival, pra pa përzgjedhje; dhe së dyti koncerti i alternatives së këngës shqiptare, ku do të merrnin pjesë të gjithë ata që aspirojnë për një këngë tjetër. Nata finale mendoj se mund te ishte një përzgjedhje e të dy netëve të para. E theksoj këtë fakt pasi mungesa e kompozitorëve profesionistë në festival duket se e ka ulur ndjeshëm nivelin e këngës, por dhe se bashkimi pa asnjë lloj kriteri i tendencave të ndryshme së bashku, në një pështjellim të përbashkët, ka sjellë një prishje të traditës së festivalit të këngës në Radio-Televizioni Shqiptar.
Kriteret e pjesmarrjes dhe përzgjedhja
Mendoj se kjo pike është nga më rëndësishmet, për funksionimin e një aktiviteti të rëndësishëm kombëtar sic është edhe festivali në fjalë. Eshte e tepërt të përmend se në këto 16 vitet e fundit u prish ajo traditë e mire e krijuar (e pa shkruar), që pjesmarrja në festival kushtëzohej nga paraqitja e këngës si melodi, këngës si tekst dhe këngës si orkestracion. Kjo prishje e rregullit, përvecse legjitimoi pa asnjë arsye te dukshme imponimin e rregullave të reja (sic është p.sh., sjellja e materialit muzikor të përfunduar nën CD), por nga ana tjetër, me mbretërimi i Play-Backut, e la arkivin dhe bibliotekën e Radio-Televizionit Shqiptar pa asnjë pentagram të shkruar duke humbur në këtë mënyrë kujtesën historike të shkrimit muzikor të këngës. Ky është një shembull kokëfortë, pasi Radio-Televizioni Shqiptar nuk i boton më librat muzikore ku përfshiheshin këngët e festivalit së bashku me meloditë dhe tekstet përkatëse.
Nga ana tjetër, zgjedhja si shpëtim përmes Play-backut, solli si pasojë shmangjen e etapave të përzgjedhjes dhe të gjykimit profesional të jurive, izolimin deri në paralizim të funksionimit të orkestrës së mrekullueshme të Radio-Televizionit Shqiptar, dhe së fundi shmangu nga roli i orkestruesit dhjetra kompozitorë, të cilët deri para viteve 90` orkestronin vetë këngët e tyre, duke sjellë një variacion kuptimplotë të këngës së tyre në festival. Të gjitha këto, u zëvendësuan me prodhimet e disa studiove muzikore dhe disa firmave, të cilat me gjithë punën e madhe të bërë, duhet kuptuar se në fund të fundit kanë përballuar “gabimisht” një volum pune që vetëm pjesërisht u takonte. Më tej, në kuptim të komunikimit artistik të këngës me spektatorin, u krijua një marrëdhënia artificiale, e cila po stabilizohet vetëm në këto dy-tre festivalet e fundit. Mendoj se një kriter i rëndësishëm i pjesmarrjes duhet të jete edhe i kënduari dhe i interpretuari i drejtpërdrejtë. Ka ikur koha e emergjencës e përfaqësuar nga Play-Backu. Publiku shqiptar nuk i parapëlqen dhe nuk i ka në krye të vendit prodhimet inorganike, apo ato që thirren ndryshe si të modifikuara gjenetikisht.
Pa u zgjatur ne rregullat që duhet të jenë për ngritjen e Jurisë dhe funksionimin e saj, cmimet e festivalit, respektimi i të drejtës së autorit, publikimi eskluziv i materialeve audio dhe video nga vetë RTVSH, garantimi dhe shpallja e buxhetit te festivalit nga fondet e RTVSH-se etj, dëshiroj të theksoj se të gjithë krijuesit shqiptarë ndjehen më të inkurajuar prej faktit se edhe kënga shqiptare e gjeti rrugën e përfaqësimit për në tribunën europiane të këngës. Cështja se kënga fituese e festivalit në RTVSH duhet ta përfaqësojë Shqipërinë në festivalin Eurpian apo duhet të jetë një këngë tjetër fituese në ndonjë festival tjetër, mendoj se për momentin është e parakohshme. Pavarësisht se është një cështje që hap diskutim, dëshiroj të them që së pari aktivitetet e këngës shqiptare kanë nevojë të institucionalizohen mes veti. Kjo do të thotë që duhet të jemi shumë më seriozë për të ngritur dhe aprovuar të gjitha ato dokumente ligjore dhe artistike të cilat do të ndikojnë që kënga jonë të përsoset artistikisht dhe që spektatori shqiptar i cili paguan për zhvillimin e artit të vet të jetë gjithmonë dhe më i kënaqur me nivelin e këngës së re shqiptare.
Më së fundi, edhe integrimi i muzikës sonë në Evropë, ashtu si për cdo fushë tjetër fillon që nga standartet e organizimit të aktiviteteve muzikore, standarte të cilat nuk mund ti gjesh gjëkundi tjetër përveçse në dokumentat e shkruara ligjorë, të cilët përsa i përket këngës shqiptare ende nuk ekzistojnë.
Prof. Dr. Vasil S. TOLE
|
|
|
|