Andrea Boçeli, duet me Inva Mula në turneun rus
|
|
Këngëtari italian këndon “Con te partiro” me sopranon shqiptare, Inva Mula
Boçelli, duet me Mulën në Rusi
Andrea Boçelli ka vendosur që në koncertin e tij të parë në Rusi të këndojë së bashku me një këngëtare shqiptare, jo më pak të njohur në botë se ai, Inva Mulën. Si ndalesë të parë të turneut të tij evropian këngëtari italian ka zgjedhur Shën Petërburgun. Në sheshin e madh “Palace Square” Andrea Boçelli dhe Inva Mula kanë kënduar në një duet një prej hiteve më të mëdha të këngëtarit, “Con te Partiro”. Dueti
Andrea Boçelli s’kishte dhënë kurrë më parë një koncert në Rusi. Ndoshta pikërisht për këtë arsye ai zgjodhi Shën Petërburgun, për të hapur turneun e tij evropian. E bashkangjitur kësaj zgjedhjeje do të qëndronte edhe një duet me Inva Mulën, soprano shqiptare me famë botërore e mbesë Rusie njëkohësisht. Shtoji kësaj dhe një prej baladave më të mëdha të 20-viteve të fundit, “Con te partiro”. Rezultati? Një turmë prej 100 mijë vetë s’ka mundur t’i shpëtojë ekzaltimit që vetëm muzika mund të shkaktojë, pikërisht ajo muzikë, e cila sipas Anais Nin, mund të shkrijë në një gjithë pjesët e trupit tonë. Mbase ky ekzaltim ka shërbyer për të mbrojtur një prej shqetësimeve, mbase të vetme të asaj nate, të ftohtit të acartë. Sipas një artikulli në gazetën britanike “The Independent”, ndërsa tenori shoqërohej drejt skenës mund të shiheshin re fryme që i dilnin nga flegrat e hundëve. E këto s’janë kryesisht kushte klimaterike të përshtatshme për të kënduar, aq më tepër kur të kënduarit në fjalë është teknikisht shumë kërkues.
Koncerti
Rreth 100 mijë vetë morën pjesë në koncertin e Boçellit në Shën Petërburg, të cilët nuk kanë pasur nevojë të paguajnë biletë siç ndodh rëndom në aktivitete të tilla, e aq më tepër nëse protagonist është një këngëtar i famshëm. Kjo për arsye se miliarderi rus, Roustam Tariko, dikur pastrues rrugësh, ka financuar koncertin për shkak të nostalgjisë së tij për “madhështinë perandorake të Rusisë”. E ndërsa albumi i tij më i fundit përmban një përzierje të emrave të popit e rokut, siç është Kristina Agilera, Elvis Presli, nuanca të muzikës latine e hite të vjetra të Frenk Sinatrës, Net Koul etj., në koncertin e tij në Rusi ai ka kënduar vetëm muzikë tërësisht klasike.
“Con te partiro”
(Time to say goodbye)
Time to say goodbye
Paesi che non ho mai
Veduto e vissuto con te
Adesso si li vivro
Con te partiro
Su navi per mari
Che io lo so
No no non esistono piu
Con te io li rivivro
Con te partiro
Su navi per mari
Che io lo so
No no non esistono piu
Con te io li rivivro
Con te partiro
Io con te
Andrea Boçelli
Andrea Boçelli sapo ka hedhur në treg albumin e tij të dhjetë ndërkombëtar “Amore”. Para dhjetës vitesh këngëtari shpërtheu në skenën muzikore me “Romanza”, një përmbledhje pasionale baladash origjinale italiane të rrymës pop. Me “Amore” Boçelli i rikthehet romancës e pasionit të “Romanza”, por në një drejtim krejtësisht të ri muzikor. Albumi i tij më i fundit përmban këngë që shtrihen në një hapësirë kohore prej 1920-1980, të cilat janë kënduar më parë nga vokalistë legjendarë si Edit Piaf, Luis Migel, Nat King Koul, Frank Sinatra etj. Në album gjendet dhe një këngë angleze në nderim të Elvis Preslit, “Can’t help falling in love”.
Inva Mula
Më 1988 u emërua soliste në TOB, ndërsa viti 1992 shënoi fillimin e karrierës së saj jashtë vendit. Më 1992 fillon punë në korin e Operas së Parisit, ku qëndroi vetëm 6 muaj. Po në këtë kohë merr pjesë në konkursin e parë “Domingo” që u organizua në Operën e Bastijës dhe aty fiton çmimin e parë. Prej asaj kohe, Inva kalon nga njëri sukses në tjetrin. Që në fillimet e karrierës ajo përballon role të ndryshme të repertorit verdian. Ajo ka fituar një sërë çmimesh si dhe ka marrë pjesë në një numër të madh koncertesh në gjithë botën. Inva Mula rikthehet çdo verë në Teatrin Antik të Butrintit me një koncert të titulluar “Inva live në Butrint”.
Kortezi e Tirana Observer
|
|
|
|