MTV, koncert sensibilizues në Vlorë kundër trafikimit njerëzor
|
|
U zhvillua mbrëmë në Plazhin e ri në Vlorë koncerti “MTV EXIT”. Shqiptarët u përfaqësuan me Besën dhe grupin “Kthjellu”
MTV, koncert madhështor në Vlorë
Ndërpritet për orë të tëra koncerti. Trafiku i rënduar bllokon në mes të rrugës artistët e huaj Një atmosferë e jashtëzakonshme mbrëmë në Plazhin e ri në Vlorë. Këngëtarët më të sukseshëm të momentit, të huaj e shqiptarë u ngjitën në një skenë madhështore të ngritur prej MTV-së, kanalit televiziv më të famshëm muzikor botë. Për të përcjellë një mesazh kundër trafikimit të qenieve njerëzore në skenën e MTV-së u ngjitën këngëtarë të tillë si italiania Carmen Consoli e shoqëruar nga një grup instrumentistësh, Panjabi MC, Morandi, Guru e shumë të tjerë, të cilët interpretuan këngët e tyre më të njohura përpara një publiku prej rreth 15 mijë vetësh. Të rinjtë shqiptarë kënduan e kërcyen për orë të tëra nën ritmet e një muzike të zgjedhur posaçërisht për ta. Koncertin e hapi këngëtarja e re, por e suksesshme, Besa, e cila u zgjodh nga MTV, për të përfaqësuar muzikën shqiptare. Ajo këndoi tre prej këngëve të albumit të sapo hedhur në treg, që mban emrin e saj. Pas atmosferës së krijuar nga Besa, rrodhën të tjera ritme, që elektrizuar publikun e e shumtë në numër. Në skenë u ngjit grupi nga Shkupi “Bla, bla, bla” e më pas grupi nga Kosova “Kthjellu”, i cili këndoi 4 këngë, mes të cilave edhe atë fituese në “Top Fest 3” “Diçka”, së bashku me Alban Skënderajn. Pas pjesës shqiptare pati një ndërprerje të koncertit, për shkak të bllokimit në trafik të këngëtarëve të huaj. Për shkak të numrit të madh të spektatorëve të ardhur për të ndjekur koncertin segmenti rrugor nga Skela për në Plazhin e ri u bllokua nga rradhë të gjata makinash. Megjithatë atmosfera muzikore nuk mungoi edhe gjatë ndërprerjes, deri sa në skenë u ngjit këngëtari Guru. Në një miniskenë një DJ (dixhej) serviri muzikë për publikun, i cili gjithsesi dëfreu dhe u tregua shumë i duruar, duke pritur për orë të tëra të ftuarit. Më pas mbërritën edhe këngëtarët e premtuar, që sollën në bregdetin shqiptar muzikën italiane, indiane e amerikane. Një gërshetim i bukur rrymash, zërash e gjuhësh, që padyshim shkaktoi efektin e pritur tek të rinjtë që ndoqën koncertin. Ata panë se si idhujt e tyre dhanë mesazhe për një jetë më të mirë, pa viktima trafiku, qofshin këto gra e vajza, apo fëmijë. Koncerti i mbrëmshëm u organizua nga MTV, në bashkëpunim me “Sëedish International Development Cooperation Agency” dhe IOM. Ky bashkëpunim ka lindur prej vitit 2004 dhe synon uljen e nivelit të trafikimit të qënieve njerëzore sidomos në Evropën Lindore, ku ky fenomen është edhe më i theksuar. Kjo është edhe arsyeja pse pas Vlorës stacionet e rradhës do jenë qytete të tjera të Lindjes, si Varna e Bullgarisë, Mamaia në Rumani, Chisinau në Moldavi, Kiev, St. Petersburg e Minsk. Koncerti gjeti mbështetjen edhe të sponsorve të fuqishëm në Shqipëri, si dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. I veshur sportiv, mes të rinjve, që u argëtuan deri në orët e para të ditës së sotshme, ishte edhe ministri i MTKRS-së, Bujar Leskaj, i cili gjithashtu shijoi spektaklin e MTV-së. Koncerti organizuar mbrëmë do mund të ndiqet përmes televizionit “Klan” disa ditë më vonë, ndërsa do transmetohet edhe nga MTV dhe një rrjet i tërë televizionesh të huaja.
Sot në Plazhin e ri të Vlorës zhvillohet koncerti “MTV Exit”. Krahas këngëtarëve të huaj, Carmen Consoli, Guru, etj. edhe Besa e “Kthjellu”
Muzika kundër trafikut
Plazhi i ri i Vlorës kthehet sot në një skenë të madhe koncerti. Carmen Consoli, Panjabi MC, Morandi, Guru do këndojnë për të rinjtë shqiptarë. Është pikërisht kanali më i madh muzikor televiziv MTV, në bashkëpunim me “Swedish International Development Cooperation Agency” dhe IOM, që organizojnë këtë koncert, në kuadrin e një fushate sensibilizuese kundër trafikimit të qënieve njerëzore. Dhe për organizatorët nuk ka rrugë më të mirë sensibilizimi se dhënia e mesazheve përmes gojës së idhujve të të rinjve, që janë edhe kategoria më e rrezikuar nga ky fenomen. Në të njëjtën skenë me këngëtarët më në modë në Evropë, Amerikë e Azi, do ngjiten edhe këngëtarë shqiptarë. Tiranën e përfaqëson Besa, ndërsa nga Kosova vjen “Kthjellu”, një nga grupet më të dashur të të rinjve, sidomos pas dy trofeve të fituara në “Top Fest 3”. Menjëherë pas mbërritjes në Tiranë, drejtori ekzekutiv i “MTV Europe Foundation”, Thomas Ehr dha një konferencë për shtyp. Sipas tij, arsyeja pse MTV u përfshi në luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore në vitin 2004 ishte nevoja për të sensibilizuar njerëzit kundër këtij fenomeni në rritje. “Fenomeni i trafikimit prek drejtpërdrejt audiencën e MTV-së”, - thotë Ehr-i, duke shtuar se bëhet fjalë për një problem që na përket të gjithëve dhe përmes aktiviteteve dhe valëve të MTV-së është munduar të sensibilizojë sa më shumë njerëz. Ehr-i ka qenë për herë të parë në Shqipëri në vitin 1993 dhe sipas tij shumë gjëra kanë ndryshuar prej atëherë. Ai tha se ishte i vështirë realizimi i koncertit në këtë periudhë, pasi artistët janë të zënë më shumë se kurrë me koncerte e festivale, “megjithatë jemi të kënaqur për artistët që arritëm të sjellim, pasi janë ndër emrat më të suksesshëm për momentin”. Jo vetëm për faktin se përbën një ngjarje kulturore, por edhe për misionin e tij, koncerti mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pas Vlorës, ku mendohet të fitohet një publik prej rreth 15 mijë të rinjsh, koncerti vazhdon turin e koncerteve në qytete të tjera të Evropës Lindore, në Varna të Bullgarisë, Mamaia në Rumani, Chisinau në Moldavi, Kiev, St. Petersburg e Minsk.
Përfaqësimi
Besa, përfaqësuesja shqiptare në MTV
Duket se dalja në treg e albumit të parë i solli fat këngëtares së re, Besa Kokëdhima. Stafi i MTV-së në Shqipëri, ka përzgjedhur pikërisht atë si përfaqësuesen shqiptare në skenën e koncertit që mban logon e kanalit më të madh muzikor. Duket se përfaqësuesit e MTV-së e kanë parë atë si një nga këngëtaret më të suksesshme të momentit në Shqipëri. Besa do ketë shansin që jo vetëm të këndojë në këtë skenë, por edhe të transmetohet nga një rrjet kanalesh televizive të huaja dhe TV “Klan”. Vetëm pak ditë më parë Besa hodhi në tregun muzikor albumin që mban emrin e saj ku përfshihen 11 këngë të reja.
Të dhëna
Pse fushata kalon nga Shqipëria
Vetëm pak muaj më parë Organizata e Kombeve të Bashkuara në një raport të sajin e konsideroi Shqipërinë si një nga vendet e origjinës së trafikimit të qenieve njerëzore. Nuk dihet se sa është numri i të trafikuarve, megjithatë disa vite më parë, raportet flisnin për shifra alarmante. Në vitin 2001 burime zyrtare tregonin se 100 mijë gra dhe vajza shqiptare ishin trafikuar në Evropën Perëndimore dhe vende të tjera të Ballkanit gjatë dhjetë viteve të fundit. Megjithatë një vit më vonë, një tjetër dokument zyrtar deklaroi se rreth 6000 gra dhe vajza ishin trafikuar jashtë vendit për shfrytëzim seksual. Në raportet më të fundit, sipas agjencive të Kombeve të Bashkuara, UNHCR, UNICEF dhe OSBE/ODIHR, në Shqipëri është ulur niveli i trafikimit të qënieve njerëzore nga viti në vit.
Kortezi e Shekulli
|
|
|
|