Ndahet nga jeta Artistja e Merituar Luçie Miloti
|
|
Shuhet “Bilbili i Ballkanit”
Ka vite që është shkëputur nga skena. Por emri i saj është lidhur gjithëmonë ngushtë me të. Në orët e para të para dites së djeshme, këngëtarja e njohur popullore, Luçie Miloti ka ndërruar jetë në Tiranë. Për probleme shëndetësore jeta e këngëtares është mbyllur në moshën 76- vjeçare, vetëm pak ditë pasi ka festuar këtë përvjetor. Miqtë e artit dhe të afërm të tjerë, sot do të bëjnë homazhe në Teatrin e Operas dhe Baletit nga ora 11.00 deri më 12.00. Më pas trupi i saj do të përcillet për në banesën e fundit.
Rruga e një këngëtareje
Brezat e sotëm, Luçie Milotin ndoshta e kanë dëgjuar vetëm si emër, por ajo ka qenë një artiste e fuqishme në skenë. E njohur për zërin e rrallë me të cilin i dha jetë këngës shkodrane, Miloti e ka përqafuar herët skenën. Ishte vetëm 12 vjeç kur këndon për herë të parë në qytetin e saj të lindjes në Shkodër. Do të spikaste që në fillim si një zë i veçantë. Luçie Miloti ka lindur në 11 maj 1930 në një familje me tradita muzikore. Rruga e saj artistike do të niste në Radio Shkodra dhe më pas do të angazhohej në shtëpinë e Kulturës të qytetit të Shkodrës, nën dirigjimin e Preng Jakovës. Transferimi i familjes në vitin 1946 do ta afronte në jetën artistike kryeqytetase. Fillimisht emërohet si soliste në Radio Tirana nën drejtimin e Paulin Palit dhe një vit më vonë emërohet si soliste në filarmoninë shqiptare me krijimin e institucioneve të tjera kulturore artistike profesioniste të kryeqytetit, Luçija u aktivizua në Estradën e Tiranës dhe në 1957, emërohet soliste në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Gjatë kësaj periudhe do të jenë të shumta këngët që do të kompozohen për zërin e saj. Do të vazhdojë si soliste në Ansamblin Popullor deri në moshën 45 vjeçare, kur del edhe në pension. Kjo ishte një periudhë e vështirë për këngëtaren që e ndjente se mund të jepte edhe më tepër. Por kjo kohë do të shënonte edhe përfundimin e karrierës së saj artistike.
Vlerësimet
Në kujtimet e artistëve bashkëkohës me të, Luçie Miloti vjen si një këngëtare e veçantë. Skenën e pushtonte vetëm me zërin e saj, sepse asnjëherë nuk i përdorte gjestet shoqëruese. Në repertorin artistik numërohen 500 këngë të cilat këngëtarja i ka përcjellë edhe në botën e huaj. “Çila sytë, due me te pa”, “Për mue paska kane kysmet”, “Bishtalecat palë palë”, “Shpend ma i parë i bukurisë”, “Zanusha”, “Me zaman asaj furije?, “Çu çue Rushja”, etj do të ishin disa nga këngët që dëgjoheshin nëpërmjet Radio Tiranës. Në formimin profesional të mëtejshëm do të këndonte këngë si “Kaçurrelat e tu”, “Synin tënd larushe mij çike”, “Me t’shi hajtshamos” etj. Luçie Miloti në karrierën e saj ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, si në skenat e shume kryeqyteteve të Ballkanit dhe madje të botës. Në Varshavë është vlerësuar me titullin “Bilbili i Ballkanit”, ndërsa në Bullgari muzikologët e kanë cilësuar si “Bilbili me zë kristalor”. Për kontributin e saj muzikor, më 1961 ka marrë titullin “Artiste e Merituar” dhe urdhrin “Mjeshtër i madh” nga ish-Presidenti Rexhep Mejdani.
|
|
|
|