Tenori i ri shqiptar Saimir Pirgu nxjerr albumin e parë
|
|
“Universal” një nga shtëpitë diskografike më të mëdha në botë hedh në tregun muzikor albumin e tenorit shqiptar Saimir Pirgu, “Angelo, casto e bel”
Saimir Pirgu, ëngjëll, i thjeshtë dhe i bukur Askush nuk do çuditej të quanin një këngëtar me një barrë vitesh mbi supe, “Pavaroti shqiptar”. Po kur bëhet fjalë për një 24-vjeçar, duket e pabesueshme. Prej dy vitesh edhe në Tiranë po flitet për Saimir Pirgun, ndërkohë që në skenat e Vjenës, Berlinit, Hamburgut, Londrës… tenori është ndër më të kërkuarit. Korr suksesin e radhës, që deri më sot nuk e ka arritur asnjë këngëtar tjetër shqiptar. “Angelo, casto e bel” (Ëngjëll, i thjeshtë dhe i bukur) është albumi i tij i parë që realizohet nga një prej shtëpive më të mëdha diskografike në botë “Universal”. Ka ndodhur të realizojë albume në shoqërinë e sopranos së madhe ruse Anna Netrebko e këngëtarëve të tjerë me emër, por tani Saimiri provon të ecë vetë. Dhe fakti që vetë “Universal” merr përsipër albumin e djaloshit shqiptar, do të thotë se e ka dhënë një shenjë. Albumi i Pirgut përmban 11 arie nga opera si “Instant charmant” nga Manon, “Dalla sua pace” nga Don Giovani, “Un aura amorosa” nga Cosi fan tutti, etj. Të gjitha nën shoqërimin e një orkestrës “Haydn” me dirigjent Gustav Kuhn. Fotografitë e albumit i ka realizuar Kanjo Take, ndërsa dedikimin, vetë bashkëatdhetari i tenorit, shkrimtari Ismail Kadare. Dhe tashmë zëri i shqiptarit, që në Itali njihet si “i përkëdheluri” i Pavarotit dëgjohet në shumë vende të botës. Në muajin janar, Saimiri ndodhej në Tiranë për rikthimin në skenë të “Traviatës” verdiane. Interpretoi për herë të parë rolin e Alfredos dhe u pëlqye e u duartrokit si të kishte një jetë që e luante rolin. Atëherë albumi i tij kishte përfunduar dhe po i jepej dora e fundit, por Saimiri nuk tha asgjë për të. Ndoshta jo për supersticion, por për modesti. Saimir Pirgu është një nga ata të rinj që i është dashur të punojë shumë për të arritur diçka. Pa asnjë traditë familjare, pa një mbështetje të fortë prej saj. Vetëm me vullnet. Pas sukseseve të njëpasnjëshme në skenat evropiane, është i ndërgjegjshëm për talentin që e administron mirë, sado i ri. Nuk e mohon se është e vështirë t’i shpëtosh delirit të madhështisë, megjithatë ai thotë se “sa herë që ndiej se po përfshihem nga një dallgë e tillë, takoj miqtë e mi më të mirë që nuk kanë asnjë lidhje me muzikën dhe artin dhe zbres sërish prej reve me këmbë në tokë”. Dhe në të vërtetë është një djalë me këmbë në tokë. Teatri Shtetëror i Vjenës lidhi një kontratë 8-vjeçare me tenorin shqiptar. Drejtori i teatrit, mjaftoi vetëm një herë ta dëgjonte për të lidhur një kontratë të gjatë. E ndërkohë emri i tij figuron edhe në kalendarët artistikë të Bolonjës, Berlinit, Hamburgut. Suksesi i papritur nuk ia shkëputi lidhjet me Tiranën, që i dha vetëm 4 vjet shkollë në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Në vitin 2004 ai interpretoi këtu për herë të parë rolin e Nemorinos tek “Elizir d’amore” i Donizetti-t, për tu rikthyer me një rol më pretendues në “Traviatën” e Verdit, ku interpretoi përkrah sopranos Mariana Leka. Në Teatrin e Operës dhe Baletit Saimirin e duan. Këngëtaret nuk ngurrojnë t’i “shkulin” faqen dhe ai thotë me të qeshur “Të gjithë këtu më trajtojnë si të vogël, kush më thotë këlysh e kush manar”. Nuk kanë faj, ai është gjithnjë i qeshur dhe rrezaton mirësi, ndryshe nga ç’mund ta imagjinojë shumëkush duke dëgjuar për karrierën e tij artistike. “Më ndodh shpesh që të dal para pasqyrës dhe të pyes veten, mos është ëndërr kjo që po jetoj tani. Kur prindërit e mi erdhën për të më ndjekur në konkursin e madh të Salszburgut, i pritën me limuzinë dhe për ta kjo ishte e paimagjinueshme. Unë jam rritur si gjithë fëmijët e tjerë, kam njohur realitetin e një punëtori të thjeshtë në Itali, që punonte dhe studionte dhe tani, po përjetoj një tjetër realitet. Për mua është ëndërr të cilës ende nuk i besoj, por që shpresoj që të mos mbarojë shpejt, pasi gjithçka e kam arritur vetë”, - thotë Pirgu në një nga intervistat dhënë për gazetën “Shekulli”. Edhe sot që emri i tij është i lakuar në skenat më të mëdha të Evropës, ai i rikthehet kohëve të shkuara, atëherë kur duke dëgjuar koncertin “Tre tenorët” vendosi të bëhej tenor, të vinte nga qyteti i lindjes Elbasani në Tiranë për të vazhduar liceun e më pas të shkonte në Bolzano të Italisë, ku i duhej të punonte edhe si larës pjatash. I rikthehet kohërave kur ende kishte një gjysmë regjistri zë dhe ëndërronte të futej qoftë edhe në një kor operash dhe nuk e imagjinonte se do fitonte shumë, do shkelte shumë skena, se gazetat do flisnin për të dhe se “Pavaroti i ri do të vinte nga Shqipëria”.
Ismail Kadare
“Në një qytet të pluhurosur të Shqipërisë së mesme, një djalë 14-vjeçar, me emrin Saimir Pirgu, në një kasetofon të vjetër gjithë zhurmë, ka dëgjuar për herë të parë “Tre tenorët” dhe ka vendosur të bëhet tenor. Kjo ka ndodhur në vitin 1995. Pas mbarimit të Liceut Artistik në Tiranë, djaloshi niset për në Itali, për të plotësuar ëndrrën e vet, u shkruante prindërve se studionte për muzikë, por ata e kishin të vështirë ta besonin. Kishte raste kur shqiptarët shkruanin se po studionin për art apo për diplomaci, e në të vërtetë ishin bërë banditë. Kur ai u kthye për herë të parë në Shqipëri prindërve iu duk tërësisht i pakuptueshëm. Thoshte se ishte bërë tenor. Dhe, bashkë me honoraret, u tregoi afishet që mbanin emrin e tij. Çmimet “Tito Schipa” dhe “Caruso”, Claudio Abbado, Mozart, Gustav Kuhn, Staatsoper Ëien, Donizetti. Royal Covent Garden, London. Salzburg festival. Kishte kënduar në ato salla, ishte duartrokitur, ishte vlerësuar si rrallë kush. Por prindërit, siç e tregon ai vetë, prapë nuk e besuan. E kishin më lehtë të kujtonin se ishte thyes bankash sesa tenor. Kjo ishte Shqipëria dhe imazhi i saj. Përpara se të besonin se nxirrte art, besonin te gangsterët e saj. Ndërkaq, një tufë djemsh dhe vajzash të reja, me libra, me piktura, violina dhe arie operash, po rrekeshin t’i kthenin letrat e fisnikërisë popullit të vet. Saimir Pirgu është një ndër ata. Zëri i tij tronditës ngjan se vjen njëherësh nga thellësitë e lartësitë. Ai ka veçantinë e rrallë të zërave që, bashkë me këngëtimin, kërkojnë ringjalljen shpirtërore të popullit që i lindi.”
Alma Mile
|
|
|
|