Faqja kryesore e muzikës Lista e plotë e artistëve Te gjitha albumet TOP-40 Kenget TOP-20 albumet Ndihmë
Muzika Top
   
Menu
  Këngëtari i mirënjohur Goran Bregoviç elektrizon publikun shqiptar  
Për herë të parë në një koncert live në Pallatin e Kongreseve, artisti serbo-kroat Goran Bregoviç

Goran Bregovic, “po” Tiranës me gjithë kaba


Pranoi të vijë në Shqipëri, me të parën. Dhe jo vetëm të sjellë gjithë bandën e tij, por të këndojë edhe folk shqiptar. Në 1 dhe 2 prill, në skenën e Pallatit të Kongreseve jep koncert një nga emrat më të mëdhenj të muzikës ballkanike, Goran Bregoviç (Goran Bregovic). I ftuar nga “Media Art” ai do të sjellë në Tiranë edhe bandën e tij prej 42 këngëtarësh e instrumentistësh. Sipas producentit Arben Tasellari, artisti serbo-kroat do të ekzekutojë live 28 prej krijimeve të tij më të njohura, që nga “In the death car”, “War”, “Hop, hop, hop” e shumë të tjera, tashmë të njohura edhe për publikun shqiptar. Por jo vetëm kaq. Tasellari bën të ditur se Bregoviçi u ka kërkuar një CD me këngë polifonike shqiptare dhe kaba me klarinetë. “Krahas këngëve të repertorit të tij, Bregoviç do interpretojë në këtë koncert edhe disa këngë polifonike”.
Ndërsa koordinatorja mes Beogradit dhe palës shqiptare, Izidina Leka, thotë se kontakti i parë i Bregoviçit me muzikën shqiptare është një takim me grupin polifonik të “Janinës” dhe se është shprehur që polifonia shqiptare është “më e bukura në gjithë Ballkanin”. Puna për realizimin e koncertit të 1 prillit nisi para disa muajsh, qysh në momentin që artisti pranoi ftesën e bërë nga pala shqiptare. “Takimi ishte tërësisht i rastësishëm, në Teatrin Kombëtar të Beogradit. Ia bëmë propozimin dhe ai pranoi me shumë kënaqësi, madje tha që duhet të kishte qenë më parë në Tiranë”, - thotë Gëzim Agolli, një tjetër organizator i koncertit, duke shtuar se datat 1 dhe 2 prill ishin të vetmet data të lira në kalendarin e artistit të njohur për muzikën e tij thuajse në të gjithë botën. Për një artist të këtyre përmasave, sigurisht që edhe shpenzimet janë të mëdha. Megjithatë organizatorët, edhe pse nuk përmendin shifra, thonë me bindje që ai po vjen në Tiranë për një shumë parash 40% më të ulët nga ajo që ai merr në vende të tjera. Sepse e ka quajtur këtë një “çmim promovues” për Tiranën. “Gjithsesi, të organizosh një koncert të tillë kushton. Për të qenë gjithçka në rregull, fonia vjen nga Athina. Edhe në Tiranë ka fonistë të mirë, por pajisjet nuk janë tërësisht të kompletuara. Duhet pasur parasysh që bëhet fjalë për një bandë prej më shumë se 40 vetash, që interpreton live e që kërkon një numër të madh mikrofonash”, - thotë Tasellari, duke shtuar se qëllimi i tyre është të organizojnë një koncert madhështor dhe t’i ofrojnë publikut diçka me vlerë. Sipas tij, edhe më parë kanë ardhur këngëtarë e artistë, që kanë interpretuar 2 apo 3 këngë në aktivitete të ndryshme, ndërkohë që ky koncert, i cili zgjat më shumë se 2 orë është i pari në llojin e vet.
Vitin e kaluar Bregoviç ka pasur një tur në vende të ndryshme të Evropës. Ngjalli shumë interes në Francë dhe së fundmi, në muajin dhjetor në Itali ku u shfaq me orkestrën e tij mahnitëse “Weddings and Funerals Band” (Banda e martesave dhe funeraleve) mes tingujve të “Maki Maki”, “Cocktail Molotov”, “In the Death Car” apo “Kallashnikov”. Goran Bregoviç fillimisht ka prekur veshin muzikor të të gjithëve me kolona zanore të filmave, të regjisorit boshnjak Emir Kusturica. Më pas ka vazhduar me muzikë për teatrot, baletet dhe incizime të tjera. Para kësaj ai ka kërkuar lirinë në Jugosllavinë e marshallit Tito, përmes kitarës elektrike dhe grupit rock “White Button”. E më pas stacioni i fundit i tij, ky i sotmi, është eksperimentimi i asaj që ndonjëherë ia përkufizojnë si “ciganizimi i Ballkanit”, pra mpleksja e kulturave etnike përmes Europës, ku barrierat e dikurshme zëvendësoheshin nga ura kulturore. Ky ishte eksperimenti i njeriut shumëngjyrësh: serb nga nëna, kroat nga i jati, ortodoks, por me bashkëshorte myslimane. Dhe rezultati është një muzikë-ylber që lind në Bosnjën e Bregoviçit, por zgjatet në Meksikën e mariaçëve, xhazin e Nju Orleansit, Spanjën e flamenkos, orientalizmat turke. Në bandën e Bregoviçit nuk është vetëm muzika që të tundon me diversitetin e saj, janë edhe muzikantët, edhe kostumografia. Kështu, mbetet i pazevendësueshëm ndikimi që ka ky 55- vjeçar sllav kur luan muzikën e tij, me orkestrën e tij e cila ngërthen lumturinë dhe dhimbjen, dashurinë dhe urrejtjen, lindjen dhe vdekjen.

Filmi
Palma e artë e Kusturicës

Kur flitet për Bregoviçin, sigurisht që mendja të shkon menjëherë tek filmat e regjisorit Emir Kusturica, kolonat zanore të të cilëve mbajnë firmën e tij. Mjafton të përmendim “Koha e ciganëve”, “Ëndërr Arizona”, “Underground”, fitues i “Palmës së artë” në vitin 1995 në Festivalin e Filmit në Kanë. “Ajo çka më pëlqen tek filmat e Kusturicës është fakti që ai e tregon realitetin ashtu siç është”, - shprehet Bregoviç. Krahas Kusturicës, ai ka bashkëpunuar edhe me regjisorë të tjerë, si me Patrice Chereau në filmin “Mbretëresha Margot”, fitues i “Palmës së artë”në vitin 1994 po në Kanë.

Koncerti
Data 1 dhe 2 prill
Vendi Pallati i Kongreseve
Biletat 15, 20, 25 mijë lekë të vjetra
Vendi i shitjes Pallati i Kongreseve, Teatri Kombëtar, Akademia e Arteve
Këngët “War”, Dreams”, “In the death car”, “Lubenica”, “Lost lamb Scherzzo”, “Se nevo si”, “St. Bartholomy night”, “Santus Deus/ Pater Noster”, “Natura”, “Maki, maki”, “Policia”, “Underground Tango”, “Hop, hop, hop”, etj.
Surpriza 4-5 këngë polifonike shqiptare
Kohëzgjatja mbi 2 orë

Programi
War
Dreams
Lost lamb scherzzo
So nevo si
St. Bathplomy Night
Sanctus Deus/ pater noter
Aven ivenda
Natura
Maki, maki
Te kuravle
Sex
Policia
Underground tango
Hop, hop, hop
Ringe, ringe raja
Lubenica death
In the death car
Ederlezi
Mjesecina (moonlight)
Kolo
Rasle tijve
Underground cocek
Bulgaria traditionnal
Caje sukarije
Weddings and funerals
Kalasnikov
Belly button of the world


Muzika e Bregoviç, ide për një film shqiptar

Ndoshta muzika e tij mund të jetë pjesë e një filmi shqiptar. Sigurisht, kjo është vetëm një ide e mirë, megjithatë mbetet vetëm e tillë, deri në këto momente. “Aktualisht kam një projekt të ri për një film me Gjergj Xhuvanin dhe kam menduar t’i kërkoj për të realizuar muzikën e këtij projekti, por asnjë bisedë nuk është bërë ende”, shprehet kështu Tasellari. Sipas tij, do të ishte shumë mirë nëse muzika e tij do të ishte pjesë e një filmi artistik shqiptar, të cilin e ëndërron kushdo.


Historia e muzikantit serbo-kroat

Goran Bregoviç ka lindur në Sarajevë nga një nënë serbe dhe baba kroat. Pas disa vjetësh studime për violinë, Gorani formon grupin e tij të parë “The Uhite Button” në moshën 16-vjeçare. Kompozitor dhe kitarist pranon dashurinë e tij të papërmbajtur për rock n’roll. Pas 15 vjetësh në këtë grup, Gorani u kthye në idhullin e muzikës së llojit të tij në vendet e Evropës Lindore. Arti i tij është shumë i njohur jo vetëm në Ballkan, por edhe në të gjithë Evropën e larg saj. Në fund të viteve ’80 Bregoviç mori kohën që i duhej për të kompozuar në një projekt të rëndësishëm, filmin e Kusturicës “Times of the Gypsies” (Kohë ciganësh), dhe të përjetonte ëndrrën e tij të fëmijërisë: të jetonte në një shtëpi të vogël në breg të Adriatikut. Pas luftërave në Jugosllavi, kjo ëndërr u thye dhe ai e realizoi në Paris. Megjithatë bashkëpunimi i tij trevjeçar me regjisorin e njohur, boshnjak Ermir Kusturica, kanë përjetësuar edhe mjaft filma të tjerë si “Underground”, film me të cilin ka fituar “Palmën e Artë” në vitin 1995, “Arizona dream” etj. Ndërsa pas tre vjetësh bashkëpunim Kosturica gjeti një tjetër bashkëpunëtor për filmin e tij “Macja e bardhë, macja e zezë”. Koncertet e tij kanë qenë të shumta, ku shënohen në Romë, në Shën Pjetër, ku është pritur nga mbi 500 mijë vetë, më pas në Meksikë, Amerikë, Kanada dhe gjithë Evropën pa fund. Koncerti i tij në Tiranë shënon të parin aktivitet live dhe të përmasave të tilla, pavarësisht ardhjes në kryeqytet të këngëtarëve të njohur Mango, Xukero, Notis Sfakanakis, etj.

25 mars 2006


Goran Bregoviç aromë ballkanike në Tiranë

Folk dhe ritme shqiptare në krijimet e tij muzikore

I duket e çuditshme që do të vijë në Tiranë. Dhe këtë e thotë vetëm pak ditë para se të ngjitet në skënën e Pallatit të Kongreseve. Këngëtari i njohur serbo – kroat Goran Bregoviç për herë të parë do të sjellë muzikën e tij për publikun shqiptar në datat 1 dhe 2 prill . I ftuar nga “Media Art”, pritet që të bëjë një performancë të vërtetë muzikore në Tiranë. Ndonëse është i njohur me muzikën shqiptare, ky do të jetë një hap për ta sjellë muzikën e tij për publikun shqiptar. Deri tani nuk ka ndodhur. Shkëmbimet artistike midis Shqipërisë dhe Serbisë kanë qenë inekzistente. “Shipëria është një territor nga i cili unë kam rrëmbyer shumë. Është i vetmi vend ku unë “vjedh” muzikë dhe nuk është çudi nëse do të dëgjonit që unë të këndoja një këngë tuajën”, shprehet Bregoviç në një intervistë para se të mbërrijë në vendin tonë. Do të këndojë live 28 krijime së bashku me një formacion të madh muzikor. Në një spektakël që do të zgjasë më shumë se dy orë në Pallatin e Kongreseve. Pas këngëve të tij ritmike qëndron orkestra “Weddings and Funerals Band” (Banda e martesave dhe funeraleve) me 45 instrumentistë dhe këngëtarë. “Natën e parë do të luaj me një formacion të madh muzikor. Janë rreth 45 vetë ku përfshihen kori i meshkujve, tre këngëtare femra, një bandë frymore etj. Pra një orkestër sinfonike e përshtatur për muzikën time. Do të interpretoj edhe disa nga kompozimet e mia për kinemanë. Në mbrëmjen e dytë do të jem vetëm me bandën time muzikore dhe do të ketë këngë të repertorit tim”, shprehet Bregoviç.
Ritmi ballkanik
Këngët e Goran Bregoviç nuk i përkasin vetëm vendit të tij. Për këtë edhe ka një publik të gjerë që i pëlqen dhe blen disqet e tij. Shqiptarët i njohin këngët e tij “Maki, maki”, “Policia”, “Underground Tango”, “Hop, hop, hop” etj, edhe pse asnjëherë ai vet nuk e ka prekur skenën shqiptare. Ka “vjedhur” pak nga të gjitha motivet duke ia nënshtruar këtë edhe përpunimit me teknikën moderne. Vet e pohon me të fortë se këngët e tij janë frymëzime ballkanike. Në formulën e muzikës së tij përzjehen xhazi, ritmet sllave, meksikane, motive turke dhe vokalitet bullgar, sinfoni të shenjta ortodokse dhe tingujt modern të pop-it. Si është muzika e tij? “Muzika ime? Është një përzierje, lind nga një bazë ballkanike ku kryqëzohen tre kultura, ortodokse, katolike dhe myslimane” është shprehur ai gjatë turit të sukseshëm që pati në Itali. Një sukses të madh ka patur edhe në Francë ku disqet e tij janë shitur në 100.000 kopje. Kompozimet e tij, një miks midis folkut ballkanik dhe përpunimit teknologjik kanë pushtuar Europën edhe falë bashkëpunimit me regjisorin Emir Kurturica. Kolona zanore e filmave “Il tempo dei gitani” e “Underground”, i cili në vitin 1995 u shpall fitues i “Palmës së artë” në Festivalin e Filmit në Kanë.
Rruga e një këngëtari
Sot ai është i njohur për ritmet e tij ballkanike, një përzierje motivesh folklorike dhe rymash moderne. Por nuk ka nisur kështu. I lindur në Sarajevë nga një nënë serbe dhe një baba kroat, Goran Bregovic krijoi grupin e parë rrok kur ishte 16 vjeç. Për rreth 15 vjet punon me grupin e quajtur “White Button”. Prodhojnë 13 albume të shitur në 6 milion kopje. Në ato kohë rroku kishte një rol shumë të rëndësishëm në jetën e tyre. Ishte e vetmja mundësi për të shprehur publikisht pakënaqësitë pa rrezikuar të përfundoje në burg. Turnetë e pafundme do ta kthehenin në atë kohë Bregoviç në idhullin e rinisë jugosllave. Për të plotësuar dëshirën e prindërve të tij, Goran ndjek studimet për filozofi e sociologji. Sot ndoshta do të ishte një mësues në qoftë se suksesi i madh i diskut të tij të parë nuk do të kishte vendosur ndryshe. Ndërsa sot ka një bandë të madhe “Ëeddings and Funerals Band” (Banda e martesave dhe funeraleve) dhe gëzon akoma suksesin e muzikës së tij.

Oliverta Lila
28 mars 2006




"Dyndje" për biletat e koncertit të Goran Bregoviç

Posterat ne trungjet e pemeve te kryeqytetit, apo muret e institucioneve kulturore qe njoftojne koncertin e kegetarit serb, Goran Bregovic, ne datat 1 e 2 prill ne Pallatin e Kongreseve, e kane bere te tyre. Qe prej disa ditesh eshte shume e veshtire te gjesh nje bilete per te pare koncertin ne platete A dhe C e D. Tani kane mbetur veten biletat 1500 lekeshe te pjeseve anesore te salles se madhe te Kongreseve, por edhe ato ne nje numer te paket. E kushdo qe e kishte lene per dje blerjen e biletes, duhej te mjaftohej me nje vend ne ndenjeset anesore te Pallatit te Kongreseve. Kjo pritej, pasi entuziasem i madh u shkaktua qe prej njoftimit te ardhjes se tij ne Tirane, per nje koncert nen shoqerine e orkestres se marteses dhe asaj te vdekjes. Ndersa prej sporteleve ku shiten bileta, ne Akademine e Arteve, Teatrit Kombetar e Pallatit te Kongreseve, adhuruesit e Bregovicit largohen duke shfryre. Muzika e tij, sikunder edhe eshte shprehur kahera kengetari serb, eshte muzike qe ka lindur prej Ballkanit. Ai e ka cilesuar token e ballkanasve si "toke misterioze, ne te cilen takohen tri kultura: Ortodokse, katolike dhe myslimane". Ai ka krijuar tinguj edhe per kolona zanore filmash, ku permendet filmi mr. Emir Kusturice "Tempo dei Gitani" apo edhe "Underground".

29 mars 2006



Bregoviç ne Shqipëri

Nga Underground-i në skenë…

Natyrisht nuk isha i pari qe kisha genjyer per ardhjen e Goran Bregovic ne Shqiperi. Keshtu qe mjaft prej miqve te mi nuk u vura faj qe nuk me besuan as mua. Sidoqofte, ata qe munden te shikojne nje fotografi ku une dhe Bregovic kishim pozuar sebashku ne Castel Sant’Elmo te Napolit, me siguri genjyen miq te tjere. I vetmi qe s’do te na linte me te genjenim, ishte vete Goran Bregovic…

Ne shtator 2005 sebashku me Arjan Sukniqin morem vesh se ne nje nga ditet e Bienales se Napolit, ishte i ftuar edhe ballkanasi i famshem, Goran Bregovic. Per dy ore pa pushim artiste, por edhe gazetare nga e gjithe Evropa e bombarduan me pyetje. Vetem une- duke qene i bindur se askujt ne ate auditor kozmopolit nuk do t’i interesonte pyetja ime- preferova ta merrja pergjigjen vetem per vete. I rrethuar nga dhjetera blic-e fansash pergjate korridoreve te ngushta te keshtjelles, Bregovic-it i mjaftoi vetem prezantimi me nje gazetar shqiptar, per te dhene pergjigjen e nje pyetjeje qe, per profesion apo kortezi, do te ishte e fundit ne radhe: “Po, do te vij ne Shqiperi. Kam pasur ndermend dhe mund te vija edhe keto dite. Por ju jeni me Zgjedhjet, apo jo?!… Megjithate, mund ta shkruash, shume shpejt do te jem ne Tirane”. Natyrisht, une nuk shkrova asgje. Me mire- mendova- te mbetem genjeshtar vetem me miqte e mi.

S’kaluan vecse pak muaj dhe pikerisht sonte, Goran Bregovic mberrin ne Shqiperi. Ose me mire, mberrin “Live”, sepse muzika e tij ka vite qe shetit shtepive dhe rrugeve te fqinjit te vjeter ballkanas. Per vite e vite me radhe askush si ai s’kishte mundur qe shtate notat e pentagramit t’i bashkonte ne ate menyre, aq sa per te kaluar “pa vize” neper vende, me kufij apo shpirtra te ndare. Dhe neser ne kryeqytetin shqiptar, per here te pare “Underground” i tij i famshem nuk do te mund te shqiperohet me perkthimin normal te kesaj fjale. Sepse ne skenen e Pallatit te Kongreseve, Bregovic do te dale mbi siperfaqe, pikerisht ne realitetin ballkanik te 2006-es. Ne Ballkanin qe, sikurse te gjitheve ne, edhe ate, s’eshte se fati e ka marre perhere me te mire.

Vetem ne shtator te 2005-es mesova se babai i Bregovic-it paskesh qene nje kolonel i ushtrise te ish- Jugosllavise. Nje ushtarak qe ne kohen e lire (atehere s’kishte lufte) i binte violines dhe kerkonte qe edhe djali i tij te dashuronte kete vegel. Por violinisti i vogel, kerkoi dicka tjeter, sepse “edhe ne Ballkan femrat donin vetem kitaristet dhe grupet rock”. Nje histori qe vazhdon me ato qe dihen: “Bijelo Dugme” deri te “Arizona Dream”. Por pak e dine se i famshmi Bregovic humbi gjithcka gjate konfliktit ne ish- Jugosllavi, shtepine, pronat dhe per pak, edhe profesionin e tij. Per te rifilluar me pas gjithcka nga e para, duke kompozuar muzike deri edhe per reklama sapunesh. Eshte vetem njeri prej nesh ne Ballkan, me baba kroat, nene serbe dhe grua myslimane, pavaresisht se quhet Goran Bregovic. Ndoshta prandaj ardhja e tij “Live” ne Shqiperi deri sot merrej gjithmone si nje genjeshter.

Nga Edmond Laci
31 mars 2006



Bregoviç elektrizon Tiranën

Ekzaltimi i publikut te Pallatit te Kongrsese, ne naten e dyte te koncertit te Goran Bregovicit u ndje qe ne minuatat e para kur ai shkeli ne skene. Cdo levizje e muzikantit shkaktonte brohortitje ne salle, saqe edha ata qe mbanin veshur frak nuk munden te mos perkundeshin nen ritmet e nxehta ballkanike. Ndersa ritmet e kenges "Get dhe money" nuk ka pyetur per moshe, por kane ngritur ne kembe edhe thinjoshet. Per gjithe kenaqesine qe publiku i dhuroi naten e pare, ai nuk mundi te mos perseriste se sa "I lumtur" ishte qe gjendej ne Tirane dhe falenderimet nuk munguan, e pas tyre duartrokitjet. Disa prej kengeve te nates se pare, banda e Bregovicit i solli edhe mbreme, ne naten e dyte te koncertit te tij ne skenen me te madhe te Shqiperise. Disa qetesuese, te tjera te ngjallin edhe trishtim ndersa shumica e kengeve qene ndezese. Kryebashkiaku Edi Rama e Rudina Magjistari duket se nuk u mjaftuan me kenget e nates se pare, ndaj per te mos humbur te rejat e nates se dyte nuk i munguan rradhes se pare te salles se Kongreseve. E te tjera kenge si "In the death" apo hitet e ciganeve kane mundur t'i elekrtizojne me lehtesi politikanet e artistet, gazetaret e analistet shqiptare. Thuhej se suksesi i ishte i garantuar qe pa filluar ende koncerti, madje para se muzikanti serbo-kroat te mberrinte ne Tirane, por tani qe 2 netet e koncerit te Bregovicit kane mbaruar, suksesi s'ka se si te vihet ne dyshim. Keshtu ai largohet nga Shqiperia me kenaqesine e suksesit ndersa shqiptaret mbeten me shijen e mire te ritmeve ndjellese ballkanike.

3 prill 2006


Veshja