Intervista me fituesit e çmimit të parë në Fest 44
|
|
Flet kompozitori i këngës fituese të Fest 44, Klodian Qafoku
“Tani ambicia jonë për Festivalin Evropian” Emri: Klodian
Mbiemri: Qafoku
Datëlindja: 08.03.1980
Vendlindja: Skrapar
Vendbanimi: Tiranë
1999- 2003, Akademia e Arteve, Fakulteti i Muzikës, dega Kompozicion, pranë klasës së dr. Prof. Vasil S. Tole
2002, çmim të parë në konkursin e kompozitorëve të rinj “Çesk Zadeja”, Tiranë
2003, pjesëmarrja si kompozitor në Festivalin e Muzikës së Re në Prishtinë
2004, çmim të tretë po në të njëjtin konkurs
Aktualisht jep mësim si pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve dhe punonjës shkencor në Institutin e Kulturës Shkencore
Eshtë vetëm 25 vjeç. Quhet Klodian Qafoku. Ka përfunduar Akademinë e Arteve të Bukura për kompozicion dhe po në këtë degë sot është pedagog. Por vetëm njëzet e katër orë më parë ylli i tij u ngjit në zenit. Është fituesi i çmimit të parë në Festivalin e 44-t të Radiotelevizionit. Duke qenë autor i kompozimit të këngës është një status i jashtë zakonshëm për moshën e tij, por mbi të gjitha për talentin. Mjafton të themi që për herë të parë është pjesëmarrës në një eveniment të tillë, siç është Festivali i Këngës në Radiotelevizion dhe për herë të parë merr një çmim të parë. Ky djalosh nuk flet shumë, por duket se talentin e ka me shumicë. Por, në një intervistë dhënë ekskluzivisht për “Tirana Observer”, Klodi veç emocioneve, shprehet për ambicien aktuale, për të momentalisht mbetet paraqitja me dinjitet në Eurovizion.
Si ndodhi bashkimi i kompozitorit Qafoku me këngëtarin Ejlli?
Fillimisht ideja ka qenë krijimi i një kënge bazuar mbi iso-polifoninë shqiptare, e cila mbetet një trashëgimi e madhe kulturore, që kohët e fundit ka marrë dhe çmimin e UNESCO-s”. Kështu, për rrjedhojë të frymëzimit tematik folklorik, më lindi ideja që këtë këngë t’ia besoja këngëtarit Luis Ejlli, në bashkëpunim me autorin e tekstit dr. Flori. Në realizimin e produksionit të këngës meritë të veçantë ka studio “Muza”, me producent Edi Balilin, i cili më ka ndihmuar gjatë realizimit të këngës, gjithashtu dëshiroj të falënderoj të gjithë ata artistë që janë bërë pjesë e realizimit si: kitaristi A. Gjici, zërat e korit, Fabi, Armaldo, Ermali. Dua të theksoj se pa performancën e shkëlqyer që bëri grupi polifonik në skenë, kënga nuk do të kishte kuptim. Një falënderim të veçantë dua të bëj për të gjithë stafin, organizatorët e RTSH-së, gjithashtu falënderoj edhe jurinë prestigjioze, përshëndes dhe dirigjenten e këngës, Shpresa Tafajn dhe orkestrën e RTSH-së.
Si e prisni pjesëmarrjen në Eurovizion?
Pas fitimit të çmimit, mbetet pjesa më e vështirë, pasi përfaqësimi i këngës në Eurovizion duhet të jetë sa më dinjitoz në bashkëpunim me RTSH-në. Uroj që të gjithë shqiptarët kudo që janë të mbeten me të njëjtin entuziazëm si në festival.
Si e vlerësoni konkurrencën?
Nuk e prisja këtë çmim, pasi në festival u paraqitën dhe shumë këngë të bukura. Konkurrenca ishte mjaft e fortë, sepse merrnin pjesë shumë personalitete të muzikës shqiptare. Për mua ishte hera e parë dhe jam munduar që t’i përmbahem karakterit të këngës shqipe. Një ndihmesë të veçantë në shfrytëzimin e lëndës folklorike e kam dhe nga Instituti i Kulturës Popullore, ku unë jam punonjës shkencor.
Flet fituesi i çmimit të parë në Fest 44, Luis Ejlli
“Në Eurovizion do paraqitem denjësisht, 100 herë më mirë se këtu”
Në dy edicionet e fundit të Festivalit në Radiotelevizion ai nuk ka zbritur më poshtë se dy vendet e para. Flasim pikërisht për Luis Ejllin, fituesin e edicionit të dyzet e katër të Festivalit në Radiotelevizion. Luisi është vetëm një djalosh njëzetvjeçar, “produkt” i “Ethet e së premtes mbrëma”. Me performancën e tij e të grupit shoqërues, Luisi elektrizoi sallën dhe i rrëmbeu çmimin e madh atyre artistëve që mund të quhen legjenda të skenës së festivalit. Në një intervistë për “Tirana Observer”, Luisi shprehet se në Eurovizion do të paraqitet 100 herë më mirë se në Festivalin 44.
Si e pritët momentin e marrjes së çmimit?
Të jem i sinqertë, të gjithë pjesëmarrësit e prisnin të fitonin dhe sigurisht që emocionet ishin të pranishme që në prova e deri në momentin e shpalljes së çmimit. Të mos i bëj qejfin vetes, merita më e madhe dhe duartrokitjet më të forta e më të sinqerta i shkojnë kompozitorit Klodian Qafokut, i cili ka tre–katër muaj që punon pa ndërprerje dhe pa pushim për realizimin e kësaj kënge, duke marrë parasysh dhe faktin që është pjesëmarrja e tij e parë në festival. Gjithashtu, falënderoj edhe autorin e testit dr. Florin, i cili jo vetëm që më ndihmoi me tekstin, por dhe më ndihmoi me fjalët e tij inkurajuese pas kuintave.
Si e përjetoni faktin e pjesëmarrjes ne Eurovizion?
Nuk e kam provuar kurrë në jetën time që të marr mbi shpatulla flamurin shqiptar dhe ta çoj atë jashtë kufijve tanë. Po ta marrim nga ana personale, është një kënaqësi dhe një privilegj i jashtëzakonshëm, por po ta marrim nga një tjetër anë mund të quhet edhe “detyrim” që duhet të kryhet. Meqenëse unë nuk kam qenë kurrë me kombëtaren e Shqipërisë dhe nuk e kam provuar se çdo të thotë kjo gjë, do të mundohem me sa kam parë dhe dëgjuar në Eurovizion të paraqitem denjësisht, 100 herë më mirë se këtu dhe ta çoj sa më lart punën e grupit, gjithashtu dhe flamurin shqiptar.
Shumë prej pjesëmarrësve në “Ethe” janë bërë pjesë e fuqishme e skenave shqiptare, si e shpjegoni këtë fakt?
Ne na ka ndihmuar shumë puna që kemi bërë tek “Ethet” dhe për mua, personalisht, mbi të gjitha më ka shërbyer të kënduarit direkt. Kjo gjë më pëlqen jashtëzakonisht shumë dhe po ta keni vënë re nuk marr pjesë nëpër festivale që këndohet me play back. Unë vetëm te të kënduarit live gjej veten time dhe transmetoj emocione.
Dr. Flori, autori i këngës fituese të Festivalit të 44
Një pjesë shumë e rëndësishme e fitores së këngës fituese është padyshim edhe autori i tekstit të këngës, dr. Flori. Dr. Flori njihet si një ndër pjesëtarët më aktivë të grupit të mirënjohur "West Side Family", por koha e ka treguar se ai është gjithashtu edhe mjeshtër i teksteve të këngëve, e madje dhe i muzikës. Dr. Flori ndeshet mjaft mirë në lidhje me "rrokjen" e çmimit të parë në Festivalin e 44-t në Radiotelevizion. "Nuk ka dyshim që ndihem mjaft i kënaqur, pasi ky festival është një kompeticion kombëtar dhe madje këta dy vitet i fundit i kalon kufijtë tanë për të shkuar në Eurovizion". Kështu shprehet dr. Flori, në një prononcim për "Tirana Observer". Ai i uron Luisit dhe gjithë stafit realizues të këngës fat dhe sa më shumë vullnet, pasi deri në Eurovizion është një rrugë e gjatë dhe e vështirë që i pret. Kjo padyshim kërkon një punë të palodhshme dhe një vullnet të hekurt, thekson dr. Flori.
Kortezi e Tirana Observer
|
|
|
|