Miriam Cani, deputimi i parë për publikun shqiptar
|
|
U paraqit në festival me një këngë të Alfred Kaçinarit, të titulluar “Shko”
Miriam, 100% shqip
Eshtë ende 20 vjeç, megjithatë brenda 3 vitesh ka marrë pjesë në 400 koncerte, ka shituar 2,3 milionë CD dhe janë shkruar 400 artikuj nëpër gazeta. Ajo është Miriam Cani, apo thjesht Miriam, vajza nga Elbasani, e cila prej 15 vitesh jeton në Gjermani. Kur u largua nga Shqipëria ishte vetëm 5 vjeç, megjithatë ajo thotë se ndihet shumë shqiptare dhe këtë kërkon ta tregojë edhe me pjesëmarrjen e saj në Festivalin e Këngës në RTSH. Miriam Cani, është një nga vajzat bukuroshe të grupit “Preluders”, që ka çmendur jo vetëm të rinjtë gjermanë, por edhe kudo në Evropë. Pasi ka marrë pjesë me grupin në disa aktivitete në Shqipëri, Miriam rikthehet, por këtë herë në festivalin e RTSH-së, me një këngë të Alfred Kaçinarit, të titulluar “Shko!”. Në skenën e festivalit ajo është shfaqur e veshur si Sheherezade dhe e shoqëruar nga dy balerinë me ngjyrë, që i ka marrë me vete nga Gjermania. Ndërsa nëse do të fitonte në Festivalin Evropian do paraqitej bashkë me vajzat e grupit, të cilat i do fort. Prej tri vitesh së bashku me to, ajo ka zhvilluar turne gjithandej, por siç thotë Miriami në elbasançe “siç e kemi ne gocat, ndonjëherë edhe zihemi, por pas 5 minutash pajtohemi sërish e çdo gjë është në rregull”. Edhe pse lodhet, i duhet të lëvizë vazhdimisht nga një qytet në tjetrin, ajo nuk thotë kurrë “Boll!”. “Muzika është jeta ime, - thotë Miriam, e cila adhuron Mariah Carey, Alisia Keys e Beyonce. “E gjithë dita është e mbushur nga mëngjesi deri në mbrëmje. Megjithatë nuk pendohem asnjëherë për rrugën që kam zgjedhur, sepse shoh rezultate. Sa më shumë që kalon koha, aq më mirë bëhemi, aq më shumë njerëz njohim, më shumë vende shëtisim. Eshtë diçka me të cilën nuk ngopesh kurrë. Bota është kaq e madhe!” E rrethuar nga ky aktivitet intensiv dhe nga njerëz që e adhurojnë Miriam Cani thotë se ndihet mirë në vendin ku jeton. Ka marrë një kulturë gjermane, megjithatë “në zemër jam 100% shqiptare”. Në shtëpinë e saj flitet shqip, dëgjohet vazhdimisht muzikë shqiptare e duke qeshur ajo thotë se në shtëpi gatuhet a la shqiptarçe, groshë, petulla... Ndonëse është bërë e njohur këto vitet e fundit, ajo merret me muzikë që në moshën 13-14 vjeçare, kur i ati e dëgjoi tek këndonte në dhomën e saj. Fillimisht i bleu një piano, ndërsa më vonë, nisi studimet me mësues gjermanë për të mësuar të fshehtat e muzikës.
Sa i përket muzikës që bëhet në Shqipëri, ajo thotë se kërkohet edhe më shumë. “Nuk krahasohet me zhvillimin në Gjermani. Kërkohen ndryshime jo vetëm nga ana teknike, por edhe tek njerëzit, kërkohen ide, për gjëra të reja, ndoshta për njerëz që vijnë nga jashtë që sjellin një stil të ri. Edhe qëllimi dhe ëndrra ime është të sjell një stil tjetër, të sjell muzikën timë në Shqipëri”, - thotë këngëtarja. Sipas saj, vitin që vjen “Preluders” nxjerrin një album të ri, i cili paraprihet nga një këngë e re që del në muajin janar dhe janë planifikuar disa turne.
A. Mile
|
|
|
|