Faqja kryesore e muzikës Lista e plotë e artistëve Te gjitha albumet TOP-40 Kenget TOP-20 albumet Ndihmë
Muzika Top
   
Menu
  Eno Koço publikon jetën artistike të nënës së tij, Tefta Tashko Koço  
Eno Koço me një vepër studimore dhe dy CD me përmbledhje muzikore të Tefta Tashkos dhe vepra të panjohura të klasikëve të muzikës shqiptare të para viteve ‘40

Eno Koço, me tri thesarë
Alma Mile

Ka kuptuar se mund të japë më tepër edhe në fushën e studimeve e jo thjesht me një bagetë në dorë. Ka botuar edhe më parë disa libra, por këtë herë vjen me tri thesarë, një përmbledhje me këngët e nënës së tij, të madhes Tefta Tashko Koço, një përmbledhje me vepra të panjohura të kompozitorëve shqiptarë të para viteve ’40 dhe një libër me studime e artikuj, të titulluar “Shostakoviç dhe Kadare”. Promovimi i albumeve muzikore e ka sjellë dirigjentin Eno Koço në Tiranë. Pa pasur nevojën e titujve të mëdhenj, njëri prej tyre prezantohet thjeshtë “Tefta Tashko Koço” dhe përmbledh regjistrime të sopranos të realizuara në Itali në vitet 1937 dhe 1942 me shoqërinë diskografike “Kolumbia”. Janë këngë të njohura, që janë transmetuar edhe më parë, si “Kroi i fshatit tonë”, “Zare trëndafile”, etj., por që publiku i ka dëgjuar të ngjyrosura me atë timbrikën e veçantë të kohërave, me zhurma, kërcitjet e disqeve, me një lloj “denatyrizimi sonor”, siç e quan Koço. Dirigjenti tregon se janë bërë dy herë kaseta, ku me mjetet dhe mundësitë e kufizuara janë bërë disa pastrime zëri, ndërsa tani, me sponsorizimin e “Vodafone” dhe “Credins Bank”, në Londër janë bërë ndërhyrje me mjete shumë më të avancuara teknike. “Zëri është pastruar, frushet janë eliminuar në maksimum, por padyshim pa cënuar ngjyrën e kohës, është ruajtur timbrika dhe kualiteti i zërit, është punuar me frekuencat dhe parametra të tjerë sonorë që kanë të bëjnë me raportin mes zërit dhe orkestrës. Orkestra italiane, duke mos njohur ritmikën shqiptare, i kanë interpretuar ato disi ndryshe. Gjithsesi mbeten po ato regjistrime të bëra në ato vite, por të sjella në kushte nga më cilësoret e mundshme”,- shpjegon Koço. Albumi përbëhet nga dy CD, ku në njërën janë përfshirë 20 këngë, nga 42 që ishin regjistruar fillimisht, ndërsa tjetra është me muzikë klasike, 5 të huaja dhe të tjerat repertor klasik shqiptar. “Jo pa qëllim i kam përfshirë aty, pasi këngë të tilla si “Çelni ju moj lule”, është interpretuar në formën e një arieje, po kështu edhe “Fryn veriu në mal të thatë” me vargje të Poradecit. Këtu është edhe kënga e njohur “Kur më vjen burri nga stani”,- të cilën njerëzit e njohin si këngë popullore, po që në fakt hyn në repertorin klasik”,- vazhdon Eno Koço, duke shtuar se në këto CD gjenden këngë qytetare të veriut, Shqipërisë së Mesme dhe më pak të vendlindjes së saj, Korçës. “Jam i bindur se nuk do të ketë ndonjë boom shitjesh, ndoshta do të mbetet thjesht si një relike, por evokon diçka”.

Klasikët shqiptarë para 1940-s
Nga Noli tek Martin Gjoka

Ndërsa për kompozitorët e pas viteve ’40 është folur e shkruar me shumicë, për ta nuk dihet thuajse asgjë, nuk figurojnë nëpër enciklopedi dhe veprat nuk u janë ekzekutuar asnjëherë. Në diskun “Klasikë muzikorë shqiptarë” Eno Koço përmbledh vepra të panjohura të kompozitorëve Martin Gjoka, Thoma Nasi, Murat Shehu e Fan Noli. “Qëllimi ka qenë tu bëj të njohur njerëzve se ç’ka ndodhur në gjysmën e parë të shek. XX, ku kompozitorë shqiptarë, muzikantë e këngëtarë që kanë jetuar brenda e jashtë Shqipërisë, kanë kontribuar për bazat e muzikës klasike, të kultivuar. Përshtypja ka qenë që në Shqipëri ka pasur vetëm muzikë popullore. Kjo nuk është e vërtetë, pasi ka pasur një muzikë intelektuale, një bazë ku janë mbështetur pasardhësit, ashtu si edhe ka ndodhur me artet e tjera, si në pikturë, letërsi, etj”,- thotë Koço, i cili për më shumë se 20 vjet ka punuar për mbledhjen e partiturave në Arkivat e Shtetit, të Radio Televizionit Shqiptar e të Teatrit të Operës e Baletit. Sipas tij, arsyet e harresës së këtyre njerëzve dhe veprave kanë qenë nga më banalet. Martin Gjoka ishte prift katolik, Nasi kishte bërë një himn për mbretin Zog, Shehu kishte emigruar në Amerikë dhe për njerëz me këtë jetëshkrim nuk ishte e lehtë të flisje para viteve ’90, e aq më pak të ekzekutoje veprat e tyre. Por mungesa e interesimit është shfaqur edhe për poemën sinfonike “Skënderbeu” të Nolit, e cila u ekzekutua vetëm një herë në vitin 1980. Sipas Eno Koços, me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut, dy vepra të diskut “Klasikë muzikorë shqiptarë” marrin vlera të veçanta. Njëra prej tyre është simfonia e Martin Gjokës “Dy lule mbi vorr të Skanderbegut”, e shkruar me një stil lirik, poetik, me një melodi të rrjedhshme, pa konflikt dhe “Skënderbeu” i Nolit që nis me pushtimin nga turqit, thirrjen e muhedinit dhe mbaron me një himn bizantin fetar, që e nxjerr Skënderbeun si mbrojtës të krishtërimit. Ky kompaktdisk është realizuar në Rusi, në Shën Petersburg, në shtëpinë diskografike, “Kailas”, me ndihmën e Igor Wojewodzkit, i cili kishte mësuar diçka mbi këta kompozitorë përmes internetit.


Në këtë studim Koço heq paralele mes krijimtarisë dhe jetëve të dy figurave

Kadare dhe Shostakoviç, regjimi në mes

Nuk i është dashur të tregojë historira pa fund. I shërbyen jetët e dy gjenive, për të treguar një gjysmë shekulli. “Studentët janë interesuar të dinë se ç’është bërë në Lindje gjatë komunizmit, ndaj u kam folur atyre për Shostakoviçin dhe Kadarenë, njëri kompozitor, ndër më të famshmit e ish-Bashkimit Sovjetik dhe tjetri një nga shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave në Shqipëri, jetët e të cilëve kishin ngjashmëri të mëdha”, thotë Eno Koço, i cili ka botuar një përmbledhje me artikuj e vrojtime mbi artin muzikor shqiptar, me titullin “Shostakoviç dhe Kadare”. Në artikullin me këtë titull, botuar këtë vit në revistën londineze “The musical times”, ai bën një paralelizëm mes dy figurave, duke i trajtuar në rrafshin e marrëdhënieve me udhëheqësit, administratën, krijimtarinë, se si u duhej të shkruanin përmes rreshtave. “Kadareja zgjidhte të kaluarën për të evokuar të tashmen, përmes gjuhës së Ezopit, kurse Shostakoviç gjente mënyra të tjera përmes tingujve për të shprehur frikën, pasigurinë. Kanë qenë të mbështetur nga administrata shtetërore, por nga ana tjetër kanë vuajtur thellësisht, pasi u është dashur të shkruajnë në një ambiguitet”,- vazhdon Koço. Sipas tij, në fund të viteve ’80 kritiku rus, Solomon Vollkov shkruan librin “Trashëgimia”, ku tregon se sa ka vuajtur Shostakoviç dhe e quajtën revizionist, pasi ai guxoi të thoshte se veprat e kompozitorit kishin kuptime të fshehura. Më pas doli një tjetër brez kritikësh, që u quajtën anti-revizizonistë, që ishin kundër Vollkovit, sipas të cilëve Shostakoviç i ka shërbyer regjimit. “Kjo ka ndodhur edhe me Kadarenë, për të cilin edhe sot ka përplasje mendimesh. Në këtë leksion nuk mbaj qëndrime, por nxjerr ngjashmëritë mes këtyre njerëzve të mëdhenj që kanë jetuar nën regjimet totalitare dhe i kanë shërbyer emancipimit të vendeve të tyre, me muzikën dhe letërsinë e pavdekshme”,- thotë Koço. Jo më kot për ilustrimin e kësaj vepre, Koço ka zgjedhur tablonë “Vajza me freskore” ,1968, e një piktori që jetoi dhe krijoi gjithë jetës në Kolumbi dhe që kurrë nuk pati mundësi ta vizitojë Shqipërinë me instalimin e regjimit. Është Artur Tashko, vëllai i Tefta Tashko Koços.


Veshja