Faqja kryesore e muzikës Lista e plotë e artistëve Te gjitha albumet TOP-40 Kenget TOP-20 albumet Ndihmë
Muzika Top
   
Menu
  Doruntina Disha, fiton "Ethet…" e Norvegjisë  
17-vjeçarja nga Prishtina sfidon 500 konkurrentë
Ka qenë ndër të vetmet pjesëmarrëse shqiptare që kon-kurronte mes të rinjve norvegjezë. Megjithatë fati e ka ndjekur deri në fund. I ka sfiduar të gjithë, duke u shpallur si këngëtarja më e mirë.
Anila Mema


Doruntina Disha, 17-vjeçarja nga Kosova, pak kohë më parë është renditur në krye të listës së të konkursit "Power Star", dublim i "Etheve të së premtes mbrëma", zhvilluar në Oslo. Eshtë ky një konkurs muzike i zhvilluar nga "Power Hit", një prej radiove më të njohura në Norvegji. Disha ka lindur në Prishtinë dhe jeton në Oslo që prej vitit 1992 bashkë me familjen e saj. Aktualisht ndjek klasën e parë në gjimnazin e përgjithshëm. Miqtë e saj tregojnë se është nxënëse e shkëlqyer. Në një nga gazetat më të lexuara në Norvegji e më gjerë, "Dagbladet", këngëtarja shqiptare, pas fitores së çmimit të parë në spektaklin "Ethet…", është cilësuar si një yll i ri i muzikës pop-rock.

E vogla që "çmendte" Norvegjinë
Që në moshën dyvjeçare, dëshira e saj ka qenë të këndonte dhe të kërcente pafundësisht, kur vinte rrotull nëpër shtëpi. Më pas është angazhuar me koret e të vegjëlve, kur mblidheshin për raste festash. Pas mbërritjes në Norvegji, Doruntina është dalluar si zëri më i mirë mes bashkëmoshatarëve të saj. Megjithatë, ajo tregon se ka shumë miq që ia duan të mirën. Një prej tyre ka qenë dhe shoqja e saj, e cila e ka regjistruar për të qenë pjesëmarrëse në audicionin e parë të "Power Star", që mbahej në qendrën Linderud në Oslo. "Unë nuk dija asgjë. Një shoqja ime më kishte regjistruar pa më thënë fare. U paraqita me këngën e Celine Dion, "My Heart will go on", dhe u kualifikova", tregon Doruntina Disha. Në audicionin e dytë është prezantuar me këngën "I love rock`n`roll" të Brytney Spears, duke e mposhtur skenën me paraqitjen e saj, debutim ky që u duartrokit. "Ishte diçka e papritur dhe e pabesueshme për mua", tregon ajo.

Nata finale
Prezantimi i saj në natën finale të spektaklit, në qytetin Drammen, 40 km larg Oslos, ishte i befasishëm. "Aty Doruntina ishte pa konkurrencë. Shkëlqeu mes 10 konkurruesve finalistë dhe përvetësoi mbi 5000 shikues. Edhe pse ishte vetëm një vogëlushe e panjohur për ata, ajo i entuziazmoi shikuesit me interpretimin e një kënge të Shakirës. Lëvizjet e saj të përsosura skenike e "hutuan" jurinë e "Power Star", e cila më pas nuk e pati aspak të vështirë ta shpallë fituese. Vendimi i jurisë u prit mjaft mirë nga publiku norvegjez artdashës", shkruhet në "Dagbladet". "Ky është një konkurs që organizohet çdo vit në Norvegji. Natyrisht që në një konkurs me traditë duhet të kesh një kombinim cilësish që të futesh në mesin e më të mirëve, për më tepër të fitosh. Unë jam përpjekur shumë për të marrë pjesë në këtë konkurs dhe më në fund u shpërbleva", shprehet Doruntina për gazetën norvegjeze "Dagbladet". Përveç zërit karakteristik dhe melodioz ajo është shumë e lirë në skenë. Përveç këngës, di të kërcejë shumë mirë dhe lëvizjet e saj janë pritur mjaft mirë nga publiku dhe juria e kësaj gare të madhe për të rinj.

Kënga e parë
Pas suksesit të saj si fituese e çmimit të parë në konkursin "Power Star", Doruntina Disha nuk u ka shpëtuar dot tendencave të fundit. Ka ditur të kapë momentin. Ashtu sikurse edhe shumë këngëtarë të tjerë të moshës së saj, ka rendur të realizojë singëlin e parë. Titullohet "Dream World". Eshtë këngë ritmike, shumë e gjallë dhe me një videoklip të goditur, i cili është pritur shumë mirë nga publiku. Aktualisht kënga e saj e parë renditet ndër më të suksesshmet duke u bërë hit për të rinjtë në Norvegji. Pas saj Doruntina ka nxjerr dhe CD e parë, e cila është cilësuar si një nga albumet më të preferuara të verës së sivjetshme. "Pas fitores kam marrë disa oferta për kontratën e parë. Por më shumë më pëlqeu kompania "Dream Factory" me të cilën tashmë kam lidhur një kontratë trevjeçare. Një muaj pasi lidha kontratën me të kam nxjerr singëllin e parë, i cili është në shitje", tregon Disha për mediat norvegjeze. Megjithatë këngëtarja që premton një sukses në të ardhmen vazhdon të hedhë hapa të sigurt në karrierën e saj të re muzikore. Sapo kanë nisur planet për koncertet e saj të ardhshme. "Unë dhe kompania ime kemi marrë ofertën për të marrë pjesë në një festival me këngëtarë të rinj në Nicë të Francës, në prillin e vitit të ardhshëm", tregon ajo.

Kortezi e Panorama


Veshja