Violinistja Anila Kraja nxjerr albumin e saj të parë
|
|
Artistja shqiptare që prej 10 vjetësh jeton në Itali, ka regjistruar albumin e saj të parë në duet me pianisten koreane Huh Yong Jeong
Tinguj zemre, nga violina e Krajës “Muzika që po dëgjojmë, flet për muzikën e shpirtit. Prej jehonës që lind nga ky takim pasqyrohet universi i zemrës njerëzore”. Kritika e Daisaku Ikedës e ka vlerësuar me bujari, ashtu si shtypi vendas, ai italian, e ka pritur albumin e violinistes shqiptare Anila Kraja, e cila prej dhjetë vitesh jeton në Romë. E ka quajtur “Heart Strings” (Tinguj zemre) dhe për këtë regjistrim Kraja ka bashkëpunuar për disa duete me pianisten koreane Huh Yong Jeong. Violinistja ia dedikon Heart Strings “të gjithë njerëzve që e duan jetën dhe që, në sajë të muzikës, duhen edhe më shumë”.
E gjithë rruga e saj ka qenë në ngjitje. Studion violinë që në moshën 6 vjeç me mjeshtrin Robert Papavrami dhe pedagogen Rajmonda Koço. Diplomohet në Akademinë e Arteve në Tiranë me rezultate të shkëlqyera. Instrumentiste në teatrin e Operas dhe Baletit dhe pedagoge në Akademninë e Arteve të Tiranës. Në Itali perfeksionohet në Akademinë Umbria me mjeshtrin E. Perpich dhe në kursin e muzikës së dhomës pranë Akademisë Chigiana me mjeshtrin Ricardo Brengola. Koncertet në Kampidolio, në Pallatin Barberini për nder të presidentit të Republikës së Shqipërisë, koncerti në Monte Vibio pranë Todit për inaugurimin e veçantë të teatrit më të vogël të botës, e deri në Festivalin Kombëtar të Muzikës Bashkëkohore në Romë etj.
Ndërsa Huh Yong Jeong është artiste e re e talentuar e lindur në Chon (Korea e Jugut). Fillon të studiojë piano në moshë 6-vjeçare, duke vazhduar të studiojë në Romë në Konservatorin Santa Cecilia në udhëheqjen e mjeshtrit F.De Cesare. Pasi diplomohet në Seul në vitin 1993, vazhdon studimet dhe laureohet në Konservatorin e Santa Cecilias. Ka ndjekur shumë kurse e Master-Class me mjeshtëra të shquar. Ka një aktivitet të dendur koncertor me orkestra të ndryshme në vendin e saj dhe në Itali. Eshtë fituese e konkursit BLA Grand Priz 2003 etj.
“Nuk është e rastit që së fundi ka regjistruar CD-në e saj me titullin Heart Strings (Tinguj zemre), që duke dashur të përkthejë muzikën në fjalë është një sintezë heterogjene e stileve, melodive, që nga 600-a e J.S. Bahut (shfaqet edhe Gunò me Ave Marinë e tij) deri në 900-ën e Williams (muzika e filmit Shindier’s List), që nga meloditë e Glukut tek virtuoziteti i tejskajshëm i Fluturimit të brumbullit të Rimsky-Korsakovit, duke e kaluar harkun e saj përtej kufijve muzikorë të zakonshëm, me detaje dinamike që ngjajnë me ultratingujt e shpirtit”. Është ky vlerësimi që kritika vendase ka dhënë për violinisten shqiptare me rastin e daljes së “Heart Strings” E lindur në Tiranë, ajo rrjedh nga një familje artistësh, i vëllai Nestor Kraja, kompozitor dhe daja i saj koreograf, Agron Aliaj, në moshën 10-vjeçare del në skenën e koncerteve. “Ja, nëse instrumentat muzikore do të kishin shpirtin e tyre, Anyla do të qe shpirti i violinës, shpirti i saj melankonik, esenca e saj e pakapshme, gotitjet e saj perkusive dhe njëkohësisht shushuritëse, e padukshme dhe njëkohësisht prezente. Një formë abstrakte energjie që i jep jetë ndjenjave më të fshehta e që përshkon rrugën më direkte nga veshi deri në zemër. Një hark i ngjeshur mirë nëpër tela, plot vibracione dhe emocion, e njëkohësisht i fortë gati të bëhet, në mënyrë patradoksale, materie.”
Anyla Kraja ka fituar në Itali në prill të vitit 2004 “Premio Ciociaria”, çmim që i është akorduar njëkohësisht Ministrit të Brendshëm, Shkëlqesisë së tij, Pisanu, prezantuesit të RAI-t Fabricio Fricit, kryekirurgut prof. Mikele Galiuçi, gazetarit Luka Xhurato. Ky çmim i cili që prej 30 vitesh i jepet më të mëdhenjve, që nga Menem-i, president i Republikës së Argjentinës, e deri Gorbaçovit, që nga don Gelmini tek austronauti Guidoni, nga presidenti Sandro Pertini tek Alberto Sordi, Pipo Baudo, Nino Manfredi, Mara Verner, Mauricio Kostanco e plot personaliteteve deri tek papa Gjon Pali II.
E pakënaqur, “rrezikon” të bëhet ambasadore e FAO-s (Food and Agriculture Organization of the United Nations) titull të cilin e mbajnë sot Carla Fracci, Gina Lolobrigida, Rita Levi Montalcini Dionne Warëick, pas performancës entuziaste që ajo bëri në zyrat qëndrore të Romës, përpara kryetarëve të shteteve, ambasadorëve, përfaqësuesve të trupit diplomatik, përveç 1200 personave të tjerë të mbledhur për Ditën Botërore të ushqimit, në një heshtje religjoze gjatë lojës së saj. Pas Marta Argerich, pianistja më e madhe sot, llogaritet si një nga muzikantet që kanë arritur të dalin nga anonimati drejt një publiku të gjerë duke reflektuar shpesh talent edhe përmbi burrat.
|
|
|
|