Faqja kryesore e muzikës Lista e plotë e artistëve Te gjitha albumet TOP-40 Kenget TOP-20 albumet Ndihmë

   
  Eurovizioni: … dhe fituese është Greqia!  
Ashtu siç pritej nga parashikimet, Helena Paparizou, që përfaqësonte Greqinë, fitoi edicionin e 50-të të Festivalit të Këngës në Eurovizion. E sigurtë në skenën e aktivitetit, që këtë vit u zhvillua në Kiev të Ukrainës - duke pasuar fitoren e Ruslanës një vit më parë - Paparizou ofroi një spektakël në harmoni me pesë balerinë, me këngën “My number one”. Grekja, e rritur në Suedi, arriti të merrte nga sistemi i televotimit nga çdo skaj i Europës, 230 pikë, e shkëputur me 38 pikë nga vendi i dytë, Malta.
Ardi PULAJ

Megjithëse në skenën e Eurovizionit, u panë flamuj të shteteve të ndryshme, publiku atje mirëpriti me duartrokitje dhe brohoritje të 24 këngët që u prezantuan në finale. Por pavarësisht kësaj, siç komentoi edhe një nga korrespondentët e BBC-së nga Kievi, televotimi tregoi edhe një herë se Eurovizioni nuk është vendi ku Europa të tregohet e bashkuar. Skandinavët i dhanë vota njëri-tjetrit, ndërsa votat ndërmjet vendeve të Ballkanit ishin më të fuqishme se kurrë. Audienca nuk ishte e kënaqur për disa vota, si përshembull kur Greqia i dha Qipros pikët maksimale, 12, edhe pse ishte diçka që pritej. Turqia gjithsesi shkaktoi entuziazëm kur i dha 12 pikë, kundërshtares së saj të hershme, Greqisë. Irlanda e shpëtoi nga 0 pikëshi konkurrenten e Mbretërisë së Bashkuar. Ky edicion ishte një zhgënjim i madh për ata që cilësohen si kontribuesit më të mëdhenj të “Eurovizionit”: Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania nuk arritën të pozicionoheshin më mirë se sa fundi i tabelës së klasifikimit. Gjithsesi për shkak të kontributit të tyre, këto vende vitin tjetër kanë një vend në finale.


Folklor, Bollywood dhe “gjyshe me daulle”

Këtë vit Eurovisioni ishte i dominuar nga daullet, elementët folklorikë dhe performanca për të tërhequr sa më shumë vëmendjen e publikut, siç ishte prezenca në skenë e një “gjyshe me daulle” nga Moldavia. Këngëtarja britanike Javine, përcolli tinguj të influencuar nga Lindja e Mesme; Turqia krijoi atmosferën e filmave të Bollywood-it në Indi. Ndërsa rock-u u prezantua me përfaqësuesit e Norvegjisë, Wig Wam, që kishte si protagonist një këngëtar transvestit.
Shqipëria, duke u bazuar tek tradita e saj, i përcolli publikut europian dasmën shqiptare. BBC komentoi se Shqipëria ishte larg kreut të tabelës, por gjithsesi e argëtoi publikun. Kjo, megjithë komentet e mëparshme në internet të gazetarëve që mbulonin Eurovizionin, se koreografia e “Nesër shkoj” linte shumë për të dëshiruar, sidomos me violinat false.


Ledina Çelo, pak pikë nga bashkatdhetarët

Shqipëria në Kiev nuk pati të njëjtin fat si në vitin 2004. Këngëtares Ledina Çelo me këngën “Nesër shkoj”, ndryshe nga Anjeza Shahini një vit më parë, i munguan pikët e bashkatdhetarëve të saj në Europë. Ata që kishin mundësi t’i jepnin një pozicion më të mirë këngës shqiptare në Eurovizion, këtë vit munguan. Përjashtohet këtu Maqedonia që i dha Shqipërisë 12 pikë, Zvicra dhe Greqia që dhanë 10 pikë dhe Serbia e Mali i Zi (votat e shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Malit të Zi), 8 pikë për “dasmën shqiptare”. Bosnja dha 5 pikë, Austria 3, Kroacia e Turqia 2, ndërsa Franca 1. Komunitetet e shqiptarëve në vendet e tjera të Europës duket se qëndruan larg televotimit. Në edicionin e ardhshëm që do të zhvillohet në Athinë në 2006, Shqipëria nuk do të prezantohet direkt në finale, por do të konkurrojë në gjysmëfinale.

Spektakli më i madh në Europë

Pavarësisht se Eurovizioni ka edhe kundërshtarët e tij, që thonë se muzika që transmetohet aty është shumë larg tingujve dhe teksteve që njerëzit në mbarë botën degjojnë aktualisht, ai është një nga ngjarjet më të rëndësishme europiane. Këtë vit Eurovizioni i Kievit u ndoq nga afro 120 milionë teleshikues.
Nuk duhet harruar fakti që grupe të njohura si suedezët “ABBA”, morën një mbështetje të madhe nga Eurovizioni. Kënga e tyre “Waterloo” që fitoi në vitin 1974, sipas sondazheve, tashmë cilësohet si kënga më e mirë në historinë e Eurovizionit.
Të gjithë fans-ët e festivalit të këngës në “Eurovizion”, do të kenë edhe një surprizë. Meqenëse këtë vit ishte edicioni i 50-të, European Broadcasting Union, organizator i Eurovizionit, ka vendosur që në këtë përvjetor, të zhvillohet në tetor në Danimarkë një spektakël special, ku pjesëmarrësit e fesitivaleve në vite do të rivijnë në skenë. Teleshikuesit mund të votojnë për këngën më të mirë të të gjitha kohërave në Eurovizion.

*Prezantues dhe gazetar në TV Alsat

Veshja