Faqja kryesore e muzikës Lista e plotë e artistëve Te gjitha albumet TOP-40 Kenget TOP-20 albumet Ndihmë
Muzika Top
   
Menu
  "A kanë ujë ato burime" ngjitet në qiell  
Homazh për një Zonjë të nderuar

Këto ditë Mjeshtri i Madh i Punës dhe Artisti i Merituar Laver Bariu, do të mbushë 77 vjet, por ky ka për të qenë përvjetori më i trishtuar në jetën e tij, përvjetori më i dhembshëm e më i vetmuar, që e ka goditur mu në zemër. Nëse do të kishte mundësi dhe do të guxonte të merrte edhe njëherë klarinetën e tij në dorë, magjia e kabasë së shpirtit të tij do të ishte një mrekulli që rrallë kush mund ta krijonte në botë se kabatë e tij janë pjesë e dhimbjeve që nuk i janë ndarë në këtë jetë që nga fëmijëria e gjer tani që po mbush të tetëdhjetat!!
Para dy ditësh ai u nda dhe përcolli për në Parajsë bashkëshorten e tij të nderuar e të respektuar Kanon, zonjën Kano, që ai e thërriste me një emër të veçantë si rrallë ndokush: Mama. Në pamjen e parë vdekja e saj është një gjë e zakonshme që gjithkujt i ndodh në jetë, por për usta Laverin është një gjë më shumë se tragjike. Ajo nuk ishte vetëm bashkëshortja e tij, ajo ishte frymëzimi i tij, ishte kasaforta e tij, ishte dashuria e tij, ajo qe më shumë se kushdo tjetër shok, mik, bashkëvujtës, udheheqës. I dinte dhe i kurdiste aq bukur kabatë e ustait që ato tingëllonin herë me derte e herë me valle.

Kano Nurka tani prehet e qetë në varrezat e qytetit e rrethuar nga kurora me lule e përcjellë me shume dashuri e respekt nga qindra qytetarë e të afërt, nga fëmijet e saj të mrekullueshëm, por me vete me siguri ka marre një brengë të madhe: kush do të sajdisë tani me kaq durim e kaq mirë bashkëshortin e saj.

Ishte ajo dhe vetëm ajo që usta Laveri kur dilte nga shtëpia ishte tepër shik e spic, i hekurosur e stolisur sa i shkëlqente gjitheçka. Ishte ajo që i zgjidhte këmishat e kullarot, kostumin e pallton, e të dukej një zotni i vërtetë, ishte ajo që e dinte shijen, guston dhe nazet e ustait dhe ia përgatiste ato ushqimet me aq shije e finesë sa ajo dhe vetëm ajo dinte t’i përgatiste si një nikoqire absolute.

Ajo ishte një kasaforte e vërtetë e aheve, derteve dhe sekreteve të ustait, burrit të saj. Mund të ndodhte që Laver Bariut t'i vinte një letër nga larg, apo donte të dergonte një letër apo kërkesë diku, ti ia përgatisje dhe ia bëje gati për ta hedhur në postë, por jo, ai nuk e hidhte, ti mund t’ia lexoje dhe ai qe dakord, por jo, do t’ia lexonte dhe njëhere ajo, Kanoja-mamaja e tij, vetëm tek ajo kishte një besim absolut. Ishte pikërisht zonja Kano,( dhe nuk është rastësi se edhe në ato vite te shkuara kur kjo fjalë qe harruar, usta Laveri i thoshte gruas së tij në shtëpi e ne muhabet zonja Kano) që ruante me një fanatizem absolut gjithçka që shkruhej nëper gazeta e revista për burrin e saj, për usta Laverin. Ajo kishte një kuti të vecante ku veç gazetave kishte fotografi, fletënderi, titujt, dekoratat, eh sa shumë në kohë të ndryshme dhe i ruante me fanatizëm dhe nuk ia jepte kujtdo, pasi e dinte dhe e ndjente se ai, burri i saj i jetës me të cilin qe njohur vite e vite më përpara, nuk i takonte vetëm asaj, por u takonte edhe të tjerëve, shoqërisë, popullit që i këndonte aq bukur.

Më ndodhte që ta takoja shpesh rrugës apo edhe në shtëpi, Ajo të befasonte me atë rregullsinë e saj, me atë ecjen pak fodulle, me atë trupin e drejtë edhe në këtë moshë, në të 78 vjetët e saj. Ndodhte që e merrje në telefon për të kontaktuar me ustanë, mund të ishe i njohur apo i panjohur, shok, mik gazetar, politikan, regjisor filmi apo drejtues spektakli( eh sa telefona kanë rënë në shtëpinë e usta Laverit) ajo merrte informacion me hollësi gjer në detaje me shumë edukatë dhe ia sqaronte burrit te saj apo i mbante shënim në një fletore të veçantë.

Dhe tek pinin kafenë e mbasdites dilnin në ballkon dhe kujtonin, shokët, miqtë, fëmijet që i kishin larg, porositë etj. Rrallë ndodhte këto vitet e fundit që ustai të dilte mbasdite për ndonjë kafe, jo ai do ta pinte me Kanon atje në ballkonin e shtëpisë duke degjuar kengen e Vjosës. Kishin e shprehnin një dashuri të veçantë dhe mbase kjo ndjenjë kaq e madhe e goditi disi shpejt, më shpejt se ç'duhet. Ka ndodhur kur bisedoje me usta Laverin për këngën "A kanë ujë ato burime" se si ka lindur kjo këngë që u be kaq shpejt masive e kendohet kudo e kurdoherë, dhe ai të përgjigjej në intimitet dhe jo të gjithëve, “këtë këngë e kam krijuar për Kanon, kur ishim te rinj,“ ndaj në të
dallgëzon dashuria për jetën, për bukurinë e vajzës permetare, për krojet që rrjedhin e për gjithçka të bukur tek njeriu.

Shpesh jam munduar të meditoj me vete dhe them: A do të ishte Laver Bariu, ky që është një artist kaq i madh e me emër, nëse në krah nuk do të kishte një zonje kaq të dhene pas tij sa Kanoja. Mendoj se Jo!

Është pikërisht ajo që ka frymëzuar perlat e tij, është ajo që ka qetësuar shpirtin e tij të trazuar, është ajo pikërisht që kabate e tij të kenë kaq marraze e kaq derte.

Më kujtohet në ato vite e vite më parë, kur usta Laveri punonte roje në një park të tregtise dhe duhej të vinte në prova në shtepine e kulturës. Ishte pikërisht ajo Kanoja e mirë qe linte punët e shtëpisë, linte fëmijet dhe shkonte e qëndronte atje tek kafazi i Laverit, bënte rojen sa të vinte ustai nga provat e kulturës. E kush
mund ta bënte këtë kaq mirë e me kaq devotshmeri sa ajo!!!

Dhe ndodhte që ustai një burre me huqe (e kush qe artist e nuk pati huqe, nuk u vonua në orët e natës e nuk ktheu ca gota) ishte ajo që qetësonte këtë det të trazuar e plot dallgë dhe pastaj e bënte të trishtohej si fëmijë. Dhe ishin pikërisht këto motive të asaj që ka bërë kjo grua e thjeshtë e njërës prej lagjeve të vjetra të Përmetit që Laver Bariu të bëhej një artist i madh. Nëse Kanoja do të ishte dikush tjetër, ne nuk do të kishim atë fat që të shijonim ato perla kaq të bukura që kanë dalë nga shpirti i trazuar i këtij gjeniu të këngës popullore.

Por vdekja një ditë do të vijë, dhe ajo erdhi, por prapa mbeti imazhi i një gruaje të nderuar e të respektuar, të nje gruaje fisnike por me shpirt artisti që diti të frymëzojë një artist prandaj ajo me thjeshtësinë e përkushtimin ndaj burrit të saj nuk do të harrohet lehtë dhe këto rreshta janë një homnazh për dashurinë, për thjeshtësinë, për besnikërinë, për t’i dhënë kurajo edhe bashkëshortit të saj që të përballojë ketë dhembje që rëndon me shumë se Guri i Qytetit apo Mali i Dhëmbelit.

Niko Mihali


Shënim nga Albo: Duke qenë se unë u linda dhe u rrita për 18 vjet në një pallat dhe në një kat me familjen e usta Laverit dhe me Zonjën Kano, desha t'i përcjell publikisht nga larg ngushëllimet e mia dhe familjes sime ustait dhe fëmijëve të tij familjarisht. Dikush ka thënë se "Pas një burri të suksesshëm qëndron një grua!", por Kanoja nuk ishte thjeshtë grua, ajo ishte Zonjë grua, e dashur me të gjithë dhe asnjëherë nuk e ngriti qoftë edhe njëherë zërin në jetën e saj. Fjalët nuk mund ta përshkruajnë dhimbjen që duhet të jetë duke përjetuar usta Laveri. Sa herë të dëgjoni në seksionin tonë të muzikës këngën përmetare "A kanë ujë ato burime", sillni ndërmend edhe burimin e frymëzimit të asaj kënge, Zonjën e nderuar, Kano Nurka.


Veshja