Faqja kryesore e muzikës Lista e plotë e artistëve Te gjitha albumet TOP-40 Kenget TOP-20 albumet Ndihmë
Muzika Top
   
Menu
  Xhana Nanini jep një intervistë për publikun shqiptar  
Adhuron sot e kësaj dite Janis Joplin, por hoqi dorë nga jeta “alla Joplin”, duke parë se në këtë formë nuk mund të ecej përpara. Një artiste që me zërin dhe muzikën e fortë rock përcjell filozofinë e jetës me një klithmë njerëzore

Xhana Nanini: Kam dashur të vij prej kohësh në Shqipëri
Elsa Demo

Kur dëgjon Xhana Naninin të këndojë kupton se cila është përmasa e vërtetë e barazisë gjinore në botën e artit. Një artiste që mund të krahasohej dhe me homologun më të talentuar mashkull. E ftuar natën e ndarjes së çmimeve të artit dhe kulturës “Kult 2005”, Nanini ka interpretuar tri këngë, njërën të cilave live, “Maschi”, “Bello e imposibile” dhe këngën e re “Amandoti” nga disku i fundit “Perle” i hedhur në qarkullim në janar të këtij viti.
49-vjeçarja erdhi për herë të parë në Shqipëri vetëm për një natë, megjithëse për publikun tonë ajo është e njohur vite të shkuara. Dy net më parë, në skenën e “Pallatit të Kongreseve” ajo ka përcjellë të njëjtën energji që ka treguar qysh në fillimet e karrierës 30-vjeçare. Zë i ngjirur me forcën për të krijuar imazhe, për ta trupëzuar muzikën, për ta prekur tingullin, për të pranuar se Nanini është një artiste koshiente për magjinë që zotëron, dhe rrugën që ndjek për t’ua dhënë të tjerëve atë që krijon. Nanini injoron dhomën e grimit, parukierët, stilistët, lëvizjet e monotone koreografike, frikën se sa sy po e ndjekin. Ajo vjen në skenë pa ndihmën e asnjerës prej këtyre, e bindur se rruga për tek skena nuk është të shfaqurit, por izolim nga të gjitha këto. Ndryshe nuk do të prodhodhej ai zë që vjen tek ne si imazhi obsesiv aq mirë i rezonuar nga rrathët e “Britmës” së piktorit Edward Munch.
Këngëtarja italiane, Xhana Nanini, u lind më 1956 në Siena. Debuton për herë të parë në vitin 1976. Nëntë vjet më vonë me këngën “Fotoromanza” fiton Festivalbarin. Më 1987 pasi këngët e saj pushtojnë tregun zvicerian, gjerman dhe austriak, del përmbledhja “Meshkuj dhe të tjerë” disk i shitur në një milion kopje. Më 1994 laureohet për letërsi e filozofi me tezën “Trupi në zë”- “Marrëdhëniet trup-zë në një perspektivë të antropologjisë muzikore”. Në vitin 2000 punon për kolonën zanore të filmit vizatimor italian “Momo në pushtimin e tempullit”, pasi deri atëherë kishte kompozuar muzikën e filmit “Sconcerto Rock” i regjisorit Bernardo Bertolucci dhe kishte debutuar si aktore në filmin e Gabriele Salvatores “Ëndërr e një nate vere” në 1983, njëkohësisht kishte realizuar muzikën e filmit. Në 2002 del albumi “Aria” dhe në 2005 “Perle” ku janë përfshirë dy piano dhe harqet e kuartetit “Solis String Quartet”.


Intervista

Përse e pranuat ftesën për këtë vizitë të shkurtër në Tiranë?

Duhej të kisha ardhur prej kohësh në Tiranë, për të parë dhe njohur nga afër shqiptarët, për të njohur dhe skenat këtu, për të cilat miq të mi më kanë folur shumë mirë. Nuk e kam pasur asnjëherë rastin dhe tani që erdhi thashë, e po mirë, po shkoj.


Sot do të këndoni dhe një këngë të albumit tuaj të ri. Çfarë ka të veçantë ky disk në krahasim me të tjerët?

Në ndryshim nga të tjerët, ky është i veçantë për arsye se për herë të parë kam bërë një disk me instrumente akustikë. E pranishme është pianoja. Unë kam interpretuar prej shumë vitesh në piano, por duke u marrë me muzikën rock nuk i kam rënë më, sepse përkundër pianos më duhej banda. Kështu që ky disk është bërë me një kuartet harqesh dhe dy piano. Këtu janë përfshirë disa pjesë të shkruara më parë dhe disa krejt të panjohura, të rralla që askush nuk e dinte se ekzistonin. Për mua ky disk paraqet një këndvështrim të ri timin.


Keni kompozuar edhe muzikë filmi, madje para disa vitesh edhe për një film vizatimor. Ç’ju lidh me këtë gjini?

Më pëlqen kinemaja, është një lloj muzike e imazhit. Eshtë e lehtë për mua të bëj muzikë filmi, pra të bësh një këngë dhe të kesh vizionin e diçkaje. Kinemaja është gati, ndjenjat janë më të lehta për t’u zbërthyer, parë dhe ndier.


Çfarë do të thotë për Xhana Naninin të jetë një rockstar në kohët moderne, pas një karriere që ka nisur në mesin e viteve ‘80?

Rock-u ka evoluar shumë në këto 30 vitet e fundit, ka kaluar nga rock-u i viteve 70, në atë muzikën elektronike në vitet 80, tek sintetizatori dhe instrumentet që kanë zëvendësuar pjesërisht ato të viteve 70, të antimodës.
Pas viteve 90-të, pra pas revolucionit muzikor të “Nirvana”-ve në Amerikë, të grupeve që i rimorën këto lloj instrumentesh dhe interpretonin atë që iu vinte në mend, muzika pati një rikthim tek të qenurit më organike, pra sikur kishte më shumë dëshirë për të interpretuar me instrumente. Në rastin tim, në albumin “Perle”, janë të gjithë instrumente të vërtetë, madje dhe në albumin e ardhshëm ku kryesore është kitara, ndoshta sepse kjo është kërkesë e momentit që po qarkullon kudo nëpër botë, pra të shfrytëzosh dhe të prekësh instrumente të vërtetë.


Thuhet se albumi juaj i fundit të paktën për nga titulli “Perle” ka diçka të ngjashme me këngëtaren e viteve ‘70 Janis Joplin. Edhe albumi i saj i fundi mbante titullin “Pearls”. Ka ndonjë shpjegim për këtë?

Janis Joplin është idhulli im. Kur erdha të jetoj në Milano, pra kur u largova nga vendlindja ime Siena, nuk e njihja rock-un dhe në shtëpitë diskografike e trajtoja këtë zhanër si shumë klasik, por me një zë shumë rock, pra ishte pak e çuditshme. Atëherë gjeta një producent sipas të cilit unë i sillja ndër mend Janis Joplin. Bleva një disk të sajin. E dëgjova këtë këngëtare dhe më ndriçoi. Dëgjova të gjitha disqet e saj me teknikën e “zërit të zi” të të kënduarit, pak bluz, dhe mësova të gjitha pjesët e saj. Atëherë këtë e ndieva si shkollën e përshtatshme të muzikës.


Në të kundërt, veç muzikës, jeta juaj ka donjë gjë të ngjashme me atë të Joplin-it… ajo bënte një jetë bohemësh.

Unë kam hequr dorë nga të qenurit e alkoolizuar (qesh)….Ma… le pere non le faccio, (gjoksin nuk e ndryshoj).
E njihja Janis Joplin qysh fëmijë dhe më vinte keq që kishte vdekur. Doja ta harroja, nuk doja të kisha të njëjtin fund si ajo, edhe pse fillimisht blija gjithë pijet që ajo pinte, eksperimentoja, si me suasion comfort për shembull, por hoqa dorë. Kështu nuk ecet përpara. Në fakt duhet një limit. Nëse do jetonte Janis Joplin kush e di ku do të ishte në këtë epokë.


Po limiti në art ku dhe cili është sipas jush?

Është komercializimi. Ky është një limit, edhe pse asnjëherë nuk i dihet deri ku arrin, këtu unë fus edhe mekanizmat e prodhimit të tingullit, mekanizmat e ndërhyrjes tek tingulli. Kështu që sot të gjithë janë artistë, madje njëri është më artist se tjetri. Mendoj se komunikimi përmes zërit varet nga ai që e ndërton këtë raport me artin, dhe në raport me artin duhet komunikimi. Nëse arrin të komunikosh ke bërë atë që duhet.


Një këngëtare që është e interesuar edhe për filozofinë…

Po, kam studiuar filozofi duke jetuar. Po të shkosh në universitet nuk mëson asgjë. Filozofia e vërtetë mësohet në rrugë.

Megjithatë ju jeni laureuar dhe keni marrë edhe gradën Dr.?

(Qesh) Po, jam edhe Dr. Jam laureuar sepse më interesonte shumë antropologjia nga këndvështrimi i traditave popullore. Teza ime konsistonte në kërkimet e muzikës së traditave popullore. Ashtu siç mund të mendohet se çdo vend ka bluzin e vet, zbulova se nina-nana në Toskana, ngjan shumë me nina-nana-t në Ballkan. Kështu pra me muzikën folk e cila është shumë afër bluzit, kontakti mes nesh është shumë i afërt. Kur e kam bërë këtë kërkim për Universitetin zbulova se muzika jonë nuk është shumë larg nga e juaja, nga muzika shqiptare. Është e mundur që atë pjesë të Ballkanit ta gjesh edhe në mjedisin italian, pra një bashkësi gjuhësh që i përkasin një të shkuare, por nga e cila janë formuar të gjitha gjuhët. Shkurt zbulova se çdo vend ka bluzin e vet.

Kjo ishte me pak fjalë filozofia që ju keni gjetur duke shkuar në rrënjët e muzikës folk, po filozofia juaj si këngëtare cila është?

Para së gjithash, të jemi gjithmonë vetvetja, të shkosh në thellësi të vetes, të mos kesh censurë, t’i tregosh gjërat ashtu siç janë.

Përse nuk i frekuentoni skenat e festivaleve?
Të San Remos?

Të San Remos…
Nuk e kam bërë kurrë, nuk ia kam dalë dot mbanë (qesh). Sot festivali i San Remos nuk mendoj se përfaqëson një fluturim për ata që janë të njohur, për atë që kërkon të njihet, sigurisht. Kjo është një rrugë e ngushtë e të vështruarit të muzikës. Unë kam hyrë në muzikën evropiane me këngët e mia, përse duhet të mbërthehem pas një festivali San Remoje.

Muzika juaj përjetohet si një britmë njerëzore, ju ç’provoni kur e këndoni?

Unë këndoj. Mund ta ndiej edhe kështu si një britmë, por di se jam unë që e këndoj.


Kortezi e Shekulli


Veshja