Saimir Pirgu - Pavaroti i ri Shqiptar
|
|
Merr pjesë në festivalin operistik të Salzburgut, hap sezonin e shfaqjeve në Vjenë dhe udhëton për në skenën japoneze. Tenori shqiptar 23 -vjeçar, Saimir Pirgu, cilësohet nga media austriake si një “Pavarot i ri”
Pavaroti i ri vjen nga Shqipëria A.Mile
“Kush nuk e ka dëgjuar më parë, do të ketë mundësi ta njohë. Ka pasur shumë nga ata që e kanë konsideruar 23-vjeçarin “Pavaroti i ri”, të tjerë e kanë quajtur një “Anton Darmota”. Kështu do të shkruhej në faqet e një prej revistave kulturore më të rëndësishme austriake “Buhne” (“Skena”), për tenorin e ri shqiptar. Çmimi i akorduar nga ministri i Kulturës së Austrisë, përfshirja e tij në Teatrin e Operës së Vjenës dhe së fundi, pjesëmarrja në festivalin më të madh operistik në botë, në Salzburg, nuk mund të kalonte pa u vënë re prej mediave. Djaloshi nga Shqipëria, Saimir Pirgu, ka qenë së fundmi një ndër personazhet më të rëndësishëm të faqeve kulturore, jo vetëm në shtypin austriak, por edhe atë francez e italian. “Salzburger nachrichten” (“Lajmëtari i Salzburgut”), “Kurier”, “Opera”, “Le figaro”, “Corriere della sera” kanë veçuar mes zërave të Salzburgut, edhe djalin nga Elbasani, i cili u prezantua në këtë festival me rolin e Ferrnandos, tek opera e Moxartit, “Cosi fan tutte”. “Saimir Pirgu, 23-vjeçari shqiptar, është një prej zërave më të mirë, i cili po shkon drejt majave operistike. Ai do të interpretojë në teatrin “Staatsoper” të Vjenës, rolin e Fentonit në operën e Verdit, “Falstaf”,- shkruan gazetari austriak Derek Weber në revistën “Buhne”, i cili i ka marrë Pirgut edhe një intervistë. Krahas talentit të të riut, “Buhne” nuk ka harruar të përmendë edhe qytetin e tij industrial, prejardhjen nga një familje pa asnjë lidhje me muzikën, si dhe festivalet e fëmijëve në kohën e regjimit komunist. Ndërkohë, “Lajmëtari i Salsburgut” e vlerëson Pirgun si një nga zërat e rinj më premtues.
Pas pjesëmarrjes në Festivalin Ndërkombëtar Operistik, që zhvillohet në vendlindjen e Moxartit, në Salzburg, Pirgu ka interpretuar në operën verdiane “Falstaf”. Kjo vepër ka shënuar dhe hapjen e sezonit operistik të teatrit vjenez, ndërkohë që ai ndodhet në një turne në Japoni, së bashku me trupën e Vjenës, pranë së cilës do të interpretojë gjatë sezonit operistik 2004-2005. Vetëm pak muaj më parë, Sekretari i Shtetit i Kulturës dhe Medias në Vjenë, Franz Morak, i ka dorëzuar tenorit shqiptar, çmimin “Eberhard Wacher”, i cili prej vitit 1997 u jepet për arritje të shkëlqyera, artistëve të rinj më të mirë në fushën e interpretimit të roleve operistike. Këtë vit, kjo medalje që mban emrin e tenorit të njohur austriak, Eberhard Washer, iu dha tenorit Pirgu për rolin e Nemorinos te “Elisir d’amore”, vënë në skenën e operës së Vjenës.
Nga Elbasani në Vjenë
Saimir Pirgu ka lindur në qytetin e Elbasanit në vitin 1982. Mësimet e para të muzikës i ka marrë në qytetin e lindjes, në instrumentin e violinës dhe më pas ka vazhduar studimet për kanto në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Kryen studimet e larta në Balzano të Italisë, nën drejtimin e mjeshtrit italian Vito Brunetti. Gjatë vitit 2001 ka fituar disa çmime, si atë të “Këngëtarit të ri më të mirë” në Bolonja, që i hapi rrugën për çmimet prestigjioze në aktivitetet ndërkombëtare “Caruzo” në Milano dhe “Tito Skipa” në Leçe. Gjatë vitit 2003, ka interpretuar disa role pranë Teatrit të Operës së Romës dhe suksesin më të madhe e ka korrur në shkurt të këtij viti, në operën e Moxartit “Cosi fan tutte”. Pasi fiton një bursë studimi nga fondacioni “Karajan” në Vjenë, për herë të parë, në prill të këtij viti luan në skenën vjeneze, në operën “Elisir d’amore”. Për herë të parë në Shqipëri, ai u prezantua sezonin e shkuar, me veprën e Donizettit “Elisir d’amore”.
22/09/2004
----------
Saimir Pirgu

Faqja e tij në internet:
www.saimirpirgu.com
Diskutimet dhe komenete për këtë temë mund ti lini në forum.
|
|
|
|