Interviste me kengetaren e harruar Adriana Ceka
|
|
Interviste me këngëtaren e karrierës në festivalet e këngës Adriana Ceka
Më kanë humbur 60 këngët e mia Dhurata Hamzai
Dikur motivet lirike të këngëve të saj ishin edhe ritmet tona rinore, niste një stinë e bukur, një festë, një dashuri me vargjet e këngëve të saj. Është fillim shkurti, ndërsa mimozat kanë çelur... Ritmi i një kënge të largët e të harruar të vjen në mendje krejt befasisht: "Ku ta gjej mimozën vallë ku ta gjej/ Ajo çel veçse njëherë/ Në blerim të saj u njohëm ne/ Unë një fjalë dhe ti në sy më pe/. Folëm ne dhe zogjtë këngën e lanë/ Zemra zemrën ndjeu pranë"... Ku ta gjej Adriana Cekën autoren e kësaj kënge! Nuk u desh shumë që të më kujtohej portreti i asaj që këndonte lirika në festivalet kombëtare të këngës në RTSH. Natyrisht që do ta gjeja në kujtesën time së bashku me brezin e këngëtarëve të rinj të pas viteve '75, si Liliana Kondakçi, Kozma Dushi, Ema Qazimi, Lindita Theodhori, Afërdita Zonja, Ermira Babaliu, Irma Libohova. "Ka qenë vërtet një brez këngëtarësh që nuk përsëriten më. Këngëtarë që këndonin me emocione që shquheshin për zërin, për interpretimin. Unë mendoj se ka qenë një brez i sakrificës në fushën e muzikës" thotë Adrina Ceka për këngëtarët e brezit të saj, të cilët një nga një e brakstisën selinë e festivalit kombëtar. Pse ndodhi kjo? Këngëtarja rrëfen ndryshimin mes dy kohëve... kur punohej 2 muaj për një këngë. Ajo rrëfen se asnjëherë nuk ka marrë këngë jashtë natyrës së saj. Unë nuk këndoja dot këngë të forta si ato që kishin partishmëri edhe pse shpesh ato ishin pretedente për çmime të para. Unë mund ta nxirrja si zë, mund ta këndoja, por s'mund ta jetoja këngën. Natyra melankolike e këngëve dhe natyra e brishtë më tërhiqte.
Zonja Adriana ju punoni pranë Ansamblit artistik të Ushtrisë?
Ansambli i Ushtrisë shkrihet dhe në '94-ën, së bashku me një grup të vogël, por shumë të mirë ne u caktuam për të dhënë shfaqje në ushtri.
Po më parë cili ka qenë aktiviteti juaj artistik?
Unë e kam filluar aktivitetin tim për muzikën e lehtë shumë herët që në shkollë të mesme në vitet '70, por në festival kam filluar të këndoj në vitin 1975 që ka qenë festivali i 15-të në Radiotelevizion. Kishte në atë kohë një brez shumë të mirë këngëtarësh dhe që konkurronte atëhere e famshmja Vaçe Zela.
E megjithatë shumë vite më vonë ju filluat të zhdukeshit nga skena e festivalit kombëtar. Të kujtohet si ka nisur kjo braktisje, kush iku i pari?
Natyrisht që gjithsecili ka pasur një arsye të vetën, por unë mendoj se ka një arsye kardinale që e shkaktoj këtë braktisje - mosinteresimi i organizatorëve për të tërhequr të vjetrit, me pretekstin se ju ikët, u plakët tani. Vërtet që një festival duhet të promovojë zëra të rinj, por unë mendoj se festivalit kombëtar nuk duhet t'i mungojë kurrsesi zëri i profesionistit, zëri i përpunuar. Dihet që këngëtari sa më shumë të këndojë aq më shumë perfeksionohet.
Po sot flitet për "mrekullitë e zërit" për këngëtarë shumë të rinj?
Kur nis të këndosh në moshë të re, zotëron një dëshirë pak të lehtë që të bësh përshtypje. Unë në fillim kisha dëshirë të këndoja, të vishesha bukur për skenën etj.. Kështu është çdo i ri. Më vonë pasi këto dëshira plotësohen edhe me pak preokupim lidhja me anën profesionale të muzikës sa vjen e bëhet më e ngushtë, më e fortë. Nuk dua të paragjykoj të rinjtë, por pikërisht unë tashti e ndjej se unë di të këndoj, të shpreh emocionet e mia, di ta zotëroj këngën me të gjitha elementet e saj.
Ju doni të thoni se të rinjtë jepen më tepër pas anës së jashtme dhe efektit, se sa brendisë së një kënge?
Është e natyrshme sepse për t'i zotëruar ose kuptuar emocionet të paktën për çdo njeri duhet të kalojnë disa vite në fillim unë kujtoj se me sa gëzim e prisja festivalin që e të ngjitesha në skenë me flokë të bukur, sandale e fustan të bukur. E dija se shikuesit do të komentonin për disa ditë me radhë se i kishin bërë flokët artistët, çfarë kishte veshur Adriana, Parashqevia, etj.. Por ndryshe nga të rinjtë e sotëm atëhere kishim shumë pngesa. Një varëse kisha vënë unë në një festival dhe regjisorja Vera Grabocka erdhi dhe "ma shqeu" nga qafa. "Ç'është kjo!? Skandal, kujt ia vë ti këtë varëse...?!"
Cili ka qenë festivali i fundit ku ju keni interpretuar?
Festivali i 28 i këngës në RTSH, kam kënduar për herë të fundit një këngë të Kujtim Laros dhe më kujtohet fare mirë se pasi unë bëja provat për natën e parë, ku për çudi regjisorja Vera më thotë "ua skandal, prapë ti në festival, boll këndove ti, le të këndojnë të tjerët tani". Unë atëhere isha shëndoshur pak pas lindjes së djalit. Në atë kohë filluan të rrallohen edhe këngëtarët e tjerë profesionistë dhe nëse merrte pjesë dikush, ishte ndonjëri që ishte menduar të merrte edhe çmimin. Që nga ajo kohë unë mendoj se përcaktohej paraprakisht se ky 'X' do e marrë çmimin. Që nga ai çast unë e ndjeva se nuk duhet të shkoja më. Kjo ishte e para arsye që unë unë jam shkëputur përfundimisht nga festivali i Radiotelevizionit.
Megjithatë me shpirt jetoni me këto festivale, cila gjë e bukur ju mban lidhur?
Tek të gjithë festivalet që kam qenë pjesëmarrëse kam kujtime të bukura, ndoshta çmim të parë s'kam marrë asnjëherë. Por çmime të dyta, çmime për të rinj, çmime të anketave muzikore, gjithashtu unë merrja çmime në dekada maji. Gjithmonë unë jam vlerësuar me çmim "Për këngëtaren më të mirë" dhe unë mendoj se janë këto kujtime që më mbajnë lidhur.
Sa ju kanë kushtuar në jetë këto arritje?
Më kanë kushtuar sakrifica të mëdha të miat, të familjes sime gjithashtu, të bashkëshortit që më ka kuptuar pasi edhe ai është artist, por më herët kanë qenë edhe sakrificat e prindërve të mi. Prindërit kanë sakrifikuar për mua, kanë qenë të dy punëtorë në kombinat e kanë dashur këngën. Babai im këndon shumë bukur dhe që të vogël më ka marrë përdore më çonte e më merrte në koncerte pastaj e vazhduan këtë traditë vellezërit e mi, të cilët aktualisht merren me muzikë. Por më tepër se këto unë kam bashkëpunuar edhe me artistë që sakrifikonin për këngën, kam bashkëpunuar me kompozitorin Kujtim Laro që për mua është një nga kompozitorët më të mirë. Ka qenë kënga e parë e Kujtim Laros "Djepi i trimërisë" që unë kam kënduar duet me Muharrem Herrin. Ai këndonte bukur dhe unë tani nuk e di ku është. Kemi patur bashkë shumë duete të bukura, në tre katër festivale. Disa nga këngët e Kujtim Laros bëheshin shumë shpejt motive rinore, "Kur zemrat rrahin si një zemër" një këngë që edhe kam marrë çmim dhe kam pasur si dublante Irma Libohovën.
Cili ka qenë motivi i kësaj kënge?
Kënga nis me fjalët "Gjethet pikonin, mbrëmja e kaltër ish". Në fillim ishte zor ta pranonin metaforën poetike "gjethet pikonin". Mua më pëlqente shumë kjo figurë letrare me këtë këngë jam cilësuar si një nga zërat më të bukur. "Gjethet pikonin, mbrëmja e kaltër ish/ Era, era e vjeshtës më zgjon kujtimin e dashurisë/ Fjalën të dua zemra ma tha për ty..."
Pëveçse ju këndonit këngë lirike, duket se nuk ju ka munguar dëshira për cilësinë poetike të tekstit të këngës?
Më shumë kërkuese kam qenë ndaj tekstit se ndaj muzikës, sepse e dija që melodinë e kishte bërë një kompozitor i mirë si Kujtim Laro, por muzikës së bukur doja që patjetër t'i rrinin fjalët mirë. Unë punoja shumë me poetët. Xhuliana Jorganxhi më ftonte edhe në shtëpinë e saj. Punonim me orë të tëra në piano, derisa fjala pavarësisht nga komponentët e tjerë të sillte veçanërisht emocionet e saj. Unë i thosha asaj, nuk më vjen këtu fjala, nuk më vjen mirë këtu, deri sa fjala të vinte ngrohtë në këngë.
Cilat kanë qenë komplimentet që keni marrë gjatë jetës tuaj artistike?
Ato kanë qenë të një natyre të çuditshme, në vend që të më thoshin diçka me fjalë, të rinjtë kur unë kaloja në rrugë fërshëllenin shpesh fjalët e këngës sime. Besoj se nuk ka kompliment më të bukur.
Pas largimit nga festivali i këngës a keni gjetur një mënyrë tjetër për të mos u larguar nga publiku?
Unë nuk kam hequr dorë asnjëherë, sepse jam vazhdimisht në kontakt me një publik shumë të ri që është ushtari dhe gjithmonë dhe janë një moshë 18-19 vjeçarë. Publiku im janë edhe ta që sa më shohin në rrugë thonë ah, Adriana Ceka, dhe sidomos ata të rinj e të reja që edhe më pyesin, pse s'del të këndosh më!
Në sa festivale kombëtare keni qenë pjesëmarrëse?
Afërsisht 13 festivale.
Dhe ju keni ndërkohë 13 apo 14 këngë të përpunuara si pasurinë tuaj artistike, ose më shumë po të kujtoj edhe edicionet e koncerteve të pranverës.
Kam të regjistrura 60 këngë e më shumë... (Ndërkohë lotët i mbushin sytë, kërkon ndjesë dhe nuk i largon dot lotët)
...Kanë qenë edhe dekadat e majit, kanë qenë anketa muzikore që bëheshin çdo të diel, s'kishte muaj që unë të mos kisha ndonjë këngë.
Ju keni 60 këngë të regjistruara në RTSH dhe nuk keni asnjë album tuajin muzikor?
Asnjë gjë (përsëri sytë i skuqen nga lotët) edhe kur kam shkuar më thonë se nuk jepen e janë inçizime të dobëta; se këngët pas viteve '70-'80 nuk jepen, janë në arshivë etj., etj.. Duhet të paguash diçka që t'i tërheqësh dhe unë e kam lënë këtë gjë. Mbase është edhe faji im, por unë në shtëpi nuk kam as një kasetë të thjeshtë me këngët e mia. Ndonjëherë unë shoh nga TVSH këngë të kolegëve të mi. Kur shikoj Kozma Dushin, Liliana Kondakçiun etj., dhe them se "Hë se kënga ime do të jepet më vonë...".
Kortezi e gazetes "Tema"
|
|
|
|