Faqja kryesore e muzikës Lista e plotë e artistëve Te gjitha albumet TOP-40 Kenget TOP-20 albumet Ndihmë
Muzika Top
   
Menu
  Rikthehet në Tiranë Festivali Evropian i Këngës  
Rikthehet pas gjashtë vjetësh përsëri në Tiranë Festivali Evropian i Këngës për Fëmijë. Një festë gjigande, mbledh fëmijët nga e gjithë bota në Shqipëri.
Nga më të vegjlit deri te adoleshentët, do të kenë mundësi të marrin pjesë në edicionin e dytë të Festivalit Evropian të Këngës për Fëmijë. Në fakt është një rikthim, pasi edicioni i parë i këtij festivali, i organizuar nga Fondacioni Kulturor që mban emrin e kompozitorit të njohur, "Fehim Ibrahimi" është organizuar në vitin 1998. Sipas kompozitorit dhe drejtorit të festivalit, Nestor Kraja, "festivali tashmë ka mbërritur në edcionin e dytë pas shumë e shumë vitesh që është zhvilluar i pari. Pikërisht në këtë edicion ne do të sjellim mbi bazën e përvojës dhe rezultateve të rëndësishme të organizimit të Festivalit të Parë Ballkanik të Këngës për Fëmijë, në vitin 1996 dhe Festivalit të Parë Evropian, të zhvilluar në vitin 1998 një tjetër festival, atë të vitit 2004". Edicioni i dytë i Festivalit Evropian të Këngës për Fëmijë do të zhvillohet më 28-31 Maj në Tiranë. Festivali organizohet në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve, Bashkinë e Durrësit dhe Radio Televizionin Shqiptar.

"Në këtë festival janë të ftuara të gjitha vendet e Evropës, që nga Portugalia e deri në Rusi, që nga Islanda e deri në Maltë", shpjegon Kraja. Sipas profesorit të muzikës në Akademinë e Arteve, fondacioni u ka drejtuar ftesa shumë institucioneve ndërkombëtare, të cilët fillimisht i kanë përgëzuar për ftesën e më pas do të konfirmojnë përfaqësinë e tyre. Ndërsa përsa i përket kritereve që këngëtarët e vegjël duhet të plotësojnë, Kraja shpjegon se, "çdo vend do të përfaqësohet nga dy këngëtarë të vegjël, njëri në moshën 5-8 vjeç dhe tjetri në moshën 9-14 vjeç. Ata do të këndojnë këngë të kompozuara nga autorët e vendit të tyre, sipas moshave". Një aspekt i rëndësishëm në këtë festival është edhe debutimi i aspirantëve për çmim, pasi ekzekutimi i tyre do të jetë "dal vivo", po kështu edhe kori që do të shoqërojë këngëtarin, ndërsa shoqërimi instrumental do të jetë i regjistruar.

Të tria netët e këtij Festivali do të organizohen si spektakël. Në spektaklet do të përzgjidhet ajo çka është më e mira nga debutimi i fëmijëve të sferës së artit. Sipas organizatorëve të tij, "ky festival do të ndikojë pozitivisht në shkëmbimin e kulturave, mendimeve dhe ideve nëpërmjet artit". Në këtë festival janë të fuar të gjitha vendet e botës, shumica prej të cilave e kanë mirëpritur ftesën, ndërsa kanë konfirmuar edhe pjesëmarrjen. Festivali do të zhvillohet në tre netë, ndërsa për debutimet më të mira do të ndahen tre çmime.

Nuk do të mungojnë çmimet në edicionin e dytë të Festivalit Evropian të Këngës për Fëmijë. Në të do të ndahen katër çmime si: Grand Prix "Feim Ibrahimi", Çmimi i parë, Çmimi i dytë dhe Çmimi i tretë. Sipas drejtorit artistik të festivalit, Nestor Kraja, "çmimet janë për këngëtarët, por Festivali do të organizohet në kuadrin e një feste të madhe, duke e konsideruar garën si një lojë e këndshme dhe tërheqëse për harenë e përgjithshme të kësaj feste". Kështu vetë gara mbetet në radhë të dytë. Me një ekip drejtues të përbërë nga emra të njohur të muzikës shqiptare, si Nestor Kraja, Robert Radoja, konsulent, Agron Aliaj, koreograf, Zhani Ciko, konsulent, Jorgo Papinjgji, skenarist, Merita Spahija, piktore skenografe, nën koreografinë e Kozeta Bakiut, me Tatjana Sina, dirigjente kori nën drejtimin e kompozitorit Shpëtim Saraçi me koordinator Naim Kërçukun dhe me regji të Pirro Milkanit, të gjithë konkurrentët do të vlerësohen nga një juri profesioniste.

Sipas organizatorëve të festivalit, "duke njohur mirë kulturën në Shqipëri, duke njohur nivelin e saj të zhvillimit në fushën e muzikës për fëmijë, duke njohur pozicionin gjeografik dhe duke i shërbyer idesë se, fëmijët, e ardhmja e shoqërisë, nuk duhet të ndjejnë mure ndarëse me pjesën e Evropës së Bashkuar, mendojnë se organizimi i këtij festivali në Shqipëri është një proces i natyrshëm dhe tepër i motivuar". Ky festival do t'u japë mundësi fëmijëve të njihen midis tyre, të krijojnë shoqëri si të barabartë dhe të shkëmbejnë kulturat, mendimet, dëshirat e idetë nëpërmjet artit, për një Evropë të së nesërmes së bashkuar e të lirë. Nga ana tjetër, ky festival është dhe dëshmues i kulturës shqiptare dhe i mundësive tona organizative edhe në rrafshet ndërkombëtare. Kështu mendohet që festivali, nëpërmjet reklamimit disa javë përpara fillimit në mediat e ndryshme, do të ndiqet nga të gjithë fëmijët shqiptarë me një jehonë të madhe edhe jashtë kufijve të vendit.

Loziana Ibrahimi
Panorama, 23-01-2004


Veshja