Faqja kryesore e muzikës Lista e plotë e artistëve Te gjitha albumet TOP-40 Kenget TOP-20 albumet Ndihmë
Muzika Top
   
Menu
  Festivali i kenges ne RTSH, nje zhgenjim i madh  
Festivali i këngës, një bllof i RTSH, ekskluzive nga edicioni i 42-të

Braktisja dhe shtërzimet e fundit të Pali Kukes

Dhurata Hamzai

U ngjitën mbrëmë në skenën e Pallatit të kongreseve, 15 këngë konkurruese të natës së dytë së festivalit të 42 të këngës në radiotelevizion. Regjisori i këtij festivali sipas përshkrimit figurativ që i bëri punës së tij, po shtërzon mes mundimesh e dhimbjesh për ta mbajtur në jetë këtë aktivitet me rëndësi kombëtare. Vizioni i tij është që ta afrojë sa më shumë me publikun këngën që ajo të ruajë emocionin e krijuar në vite, por duket qartë se institucionet shtetërore si RTSH dhe MKSRS interesohen shumë pak për këtë festival dhe fatin e artistëve që kanë mbajtur gjallë dinjitetin e festivalit kombëtar të këngës.

Zërat më të njohur si kompozitori i më shumë se 14 edicioneve Shpëtim Saraçi e bashkëshortja e tij këgëtarja Mira Konçi kanë braktisur festivalin. Kanë qenë me fat në këtë rast vetëm talentet e "Etheve të së premtes" të cilët kanë udhëtuar që nga ai edicion me regjisorin Pali Kuke drejt e në një festival të përmasave të mëdhaja. Shqetësimi i madh për teknikën muzikore i drejtorit artistik Alfred Kaçinari, përjekjet e mundimshme të Kukes për të ndezur zjarrin e skenës, prononcimet e shou-men-it të spektakleve Adi Krastës që do braktisë përfundimisht prezantimin e këtij festivali për t'iu drejtuar më pas gazetarisë, janë shenjat e një braktisjeje gjigante.

Por megjithatë me humor dhe shfaqje baleti duke mbajtur pranë edhe publikun për të votuar, regjisori Kuke ka gjetur, edhe pse i vetmuar, një vizion të ri edhe për këtë edicion.

Pas kësaj ç'do të bëhet më tej me festivalin, prezantuesit, regjisorët e drejtuesit e radiotelevizionit që e kanë thesarin e tyre këtë veprimtari?! - Të gjitha këto do të tregohen në intervistat e mëposhtme të marra nga vetë organizatorët e këtij festivali.

Me çfarë strukturash të reja do të vijë një edicion i ri për vitin 2004. A do të endet ky festival mes zhgënjimit të Saraçit për përfaqësimin e fituesve në një festival europian apo mes figuracionit të Kukes që të lë të kuptosh se sa kujdes duhet për një fëmijë të porsalindur, siç duhet trajtuar, sipas tij, çdo edicion i këtij festivali.



Flet per "Tema" Adi Krasta: Nuk do të prezantoj më

Kritikat e mia më të egra për festivalin

Zoti Krasta keni deklaruar se nuk do të merrni pjesë herë tjetër në festiaval. Cili është shkaku?

Po ju ku e dëgjuat?!... Nata e parë e festivalit është traumatike për prezentatorin. Festivali vetë e ka këtë ngarkesë. Thatë se cili është shkaku. Dëgjo, unë e kam thënë edhe njëherë tjetër se nuk do të drejtoj më festivale, dhe në fakt realisht e pata vendosur se nuk do të drejtoja më. E pata konsideruar misionin e tij të mbyllur. Festivalet janë skena të shkëlqyera por ato unë nuk i gjej të përshatshme për prezentatorët që janë të përgatitur për këta lloj programesh ciklike, duhet një lloj kantilen për festivalin, duhet një lloj pompoziteti. Mua nuk më shkon, këtë përshtypje kam.

Në valën e thashethemeve për famën tuaj si shoumen, kur bëjnë një krahasim midis Adi Krastës dhe Ardit Gjebresë thuhet se "Adi Krasta ka një prirje më shumë për gazetarinë". Është e vërtetë kjo?

Nuk e di nëse thuhet ky thashethem apo jo, por unë vetë gjatë gjithë ekzistencës sime kam qenë në kontakt me Radiotelevizionin, kam qenë një gazetar prodhues. Unë kam bërë vazhdimisht programe në radio për gjithçka. Kam bërë programe televizive shou, shumë gjëra që ne kemi mundur të kuptojmë diçka mes komunikimit njerëzor thjesht për ndonjë njoftim për ndonjë këngë, apo për ndonjë balet, etj., etj., domethënë unë jo vetëm i jam drejtuar kështu gazetarisë, por kam përshtypjen se jam ulur këmbëkryq në gazetari. Kjo është mënyra e të ekzistuarit tim.

Megjithatë me emrin e madh festival, duket se regjisori Pali Kuke, jua ka prishur mendjen.

Ç'do të thoshit nëse ju vetë do të prezantonit një spektakël! Ah, Pali këtë herë ma kërkoi në mënyrë eksplicite që unë ta drejtoja festivalin, edhe pse ai e dinte se unë nuk doja.

Çfarë ju premtoi për këtë?

(Qesh). Jo nuk më premtoi, ma kërkoi në emër të miqësisë dhe është një konstante shumë e fortë, kur dikush ta kërkon në emër të miqësisë. Sepse edhe unë i kërkoj ndere në emër të miqësisë atij dhe ai është shumë i gatshëm që të vërë veten në sakrificë dhe ta plotësojë dëshirën time dhe nuk do të ishte normale që unë t'i bëja naze.

Ishte Zerina Kuke që po ju përkëdhelte më shumë në ditët e festivalit, e bëtë këtë sakrificë më shumë për të?

Po miqësia ime më e madhe në në të vërtetë është me Zerinën. Unë jam shoku i saj. Në të vërtetë Pali ka qëndruar shumë larg ndaj meje dhe unë dhe për një kohë kam qenë larg ndaj Palit, por me kalimin e viteve ne po bashkëpunojmë dhe kemi zbuluar një miqësi të mirë me njëri-tjetrin.

Atëhere pse keni vendosur të kaloni plotësisht në profesionin e gazetarisë?

Po gazetaria është një mënyrë të shprehuri, një hulumtim, është një mënyrë e të shprehurit të vetes, është të marrësh seriozisht një ngjarje njerëzore, të analizosh, të jesh i pavarur etj., por më shumë për mua gazetaria është një mënyrë për të transmetuar një mesazh, apo një informacion, nga ngjarja, nëpërmjet teje duke dhënë një mesazh, një opinion të pavarur.

Atëhere po t'ishit një gazetar, çfarë do t'i kishit kritikuar këtij festivali?

Këtij festivali do t'i kisha kritikuar ashpërsisht mosmarrjen vesh të reparteve me njëri-tjetrin. Këtij festivali do t'i kisha kritikuar egërsisht faktin që një institucion si Radiotelevizioni shqiptar e trajton produktin e vet më të madh, sikur të ishte i njerkës. Këtij festivali do t'i kisha kritikuar pamundësinë për të dhënë më të mirën në skenë. Këtij festivali do t'i kisha kritikuar faktin që e ka lënë jetim Pali Kuken, që ai vetë të vdesë për ta zgjidhur personalisht gjjthçka që do të duhej të zgjidhej në grup, me anë të një solidariteti artistik. Këtij festivali do t'i kisha kritikuar me forcë që ka një drejtor ekzekutiv i cili nuk është dukur absolutisht as edhe njeherë të vetme gjatë gjithë kohës pregatitore të këtij programi.

Quhet?

As emrin nuk ia dimë. . .

E keni mbushur skenën e festivalit me batuta humoristike nga Gagaçi. A nuk mund të kishte një gjetje tjetër. Nuk të duket humori pak banal?

Pyetja që bëni është shumë e saktë, por kam përshtypjen se operohet me nënkuptime banale, por më duket i shëndetshëm. Unë e kam këtë përvojë edhe tek BBC ku humoristi duket më pak i pasjellshëm se tek Salsano "gagaçi", por marr atë që do të thotë... varet si merret... ju mund të keni të drejtë.


Në fillim thatë se festivali është shumë i rëndësishëm dhe serioz, ndërsa nga ana tjetër duket sikur "mëkohet" ose ushqehet me serum me detaje të një spektakli?

Unë kam përshtypjen se vetë koha ka evoluar. Unë jam një prezentator festivali dhe jam shumë i largët që me konceptimin e tij dhe me sjelljen e tij në skenë, në këtë mes hyjnë regjisori, vizioni i tij dhe organizatorët e festivalit, të cilët sa për të dhënë mend janë jashtëzakonisht. Por jetojmë në vitin 2003, por edhe po ta trajtosh vetëm si konkurrim ai do të ishte i thatë, prandaj ka lindur nevoja e veshjes me skenat e një spektakli.

Dhe ju zbuluat "gagaçin" për ta veshur mirë festivalin?!

Zbulimi i Gagaçit ka qenë krejt i rastësishëm në edicionin e "Etheve të së premtes mbrëma". Dhe kam përshtypjen se për Salsanon vetë ka qenë një zbulim shumë interesant që ai mund të jetë një gagaç shumë i mirë në këtë drejtim interpretativ. Çdo gjë tjetër është përpunuar për të arritur elemente artistike në këtë gagaçëri.



Shpëtim Saraçi: pjesëmarrja në Festivalin Europian, një gënjeshtër e madhe

Braktisa festivalin se nuk paguhet krijimtaria ime

Pse ju, kompozitori i përhershëm i festivaleve dhe fitues i çmimeve të para, nuk merrni pjesë në këtë edicion... as ju dhe as bashkëshortja juaj, këngëtarja fituese e çmimit të parë Mira Konçi?!

Arsyeja është shumë e thjeshtë, vitin e kaluar kam qenë pjesëmarrës edhe tek festivali edhe në Televizionin shqiptar, dhe duke menduar se kam marrë pjesë kaq shpesh, vendosa të bëj një pauzë.

Ju është dukur si privilegj i padrejtë oferta e vazhdueshme në këtë festival?

Jo, nuk është aty fjala. Thjesht unë medoj se një pauzë është e nevojshme.

Cili është mendimi i juaj për edicionin e 42-të? Çfarë perspektive ka, çfarë arritje shënon më tepër?

Në qoftë se është e vërtetë gjithë kjo tymnajë që ka vite, është një gënjeshtër e vazhdueshme, - që fituesit do të marrin pjesë në Festivalin europian, jam unë i pari që nuk e besoj këtë. Fatkeqësisht ne jemi mësuar që të shohim gjithmonë figura drejtorësh që dalin nëpër televizione, nëpër media të ndryshme dhe bëjnë deklarata të tilla si kjo që përmenda dhe nuk ka kush t'ua heqi veshin dhe t'u thotë që ti e the këtë, pse nuk e realizove këtë. Unë kam dëgjuar këtu e tre vite të shkuara që kënga e festivalit të Radiotelevizionit shqiptar duhet të shkonte në Festivalin europian. Kjo është është përgjegjësia e drejtuesve. Apo çfarë është këtë unë nuk e di, por unë di të kuptoj shumë mirë se këngëtarët kanë nevojë për t'u stimuluar. Kanë nevojë që të kenë mundësira që të integrohen normalisht në Europë dhe të mos mendojmë që në Europë të integrohemi jo vetëm me ekonomi etj., por të integrohemi edhe me art, kulturë e sport e më the e të thashë.

Thuhet këtu në mjedisin e këtij festivali se ky edicion është lënë pa mbështetje nga ana e Radiotelevizionit, është lënë si i njerkës dëgjoj shprehimisht. Cili është mendimi juaj?

Të them të drejtën unë nuk kam informacione të plota se cila është marrëdhënia e Radiotelevizionit shqiptar përgjithësisht me festivalin, por më mirë do të përdor një gjuhë më të sigurt për të treguar diçka që di, atë të shifrave që ne të mos mbajmë së fundi qëndrime të prera ndaj drejtuesve apo institucioneve, faktet flasin më tepër. Unë mendoj se ka ardhur koha të ndryshojë koncepti, në qoftë se për buxhetin e festivalit ndahen 200 milionë lekë të vjetra, është krejtësisht absurde që 21 milion të shfrytëzohen vetëm për krijimtarinë. Duhet ta dijë mirë gjithë publiku që për çmimin e parë të festivalit luhen vetëm tre milion lekë të vjetra. Është komplet qesharake, biles biles mund të them se është tragjike, kur këto tre milion lekë të vjetra llogariten duke u hequr tvsh-ja, dhe përveç kësaj ndahen në katër pjesë, ku katër pjesët janë këgëtari, kompozitori, autori i tekstit dhe anunçatori.

Dhe çmimet që janë fituar janë ndarë rregullisht në katër pjesë?

Po dhe akoma më qeshrake është kur kënga fituese këndohet nga dy tre këngëtarë. Dhe ne gjithmonë jemi mësuar ta pranojmë këtë fakt, ta tolerojmë. Unë mendoj se tashmë i ka ardhë fundi kësaj metode. Unë di që në San Remo që në kohë të vjetra, ose në festivale cilësore që dëgjoj andej këtej, di që fituesi i San Remos të paktën siguronte jetën për një vit. Mendoje se sa mund të sigurohet jeta për një vit këtu me 300-400 mijë lekë të vjetra që mund të marrë fituesi i këngës dhe mendoni se ç'korrupsion mund të bëhet për të korruptuar juritë. Për të ushqyer thashethemet se çfarë po korruptojnë e kë po korruptojnë, kjo është qesharake. Unë mendoj se kënga fituese e Radiotelevizionit shqiptar duhet të marrë minimalisht sa një futbollist kur fiton në një ekip që merr edhe 10 mijë dollarë. Këtu mendoj se prezenca dhe puna e Radiotelevizionit është në një hendek total.

Pas kësaj që folët për vlerësimin e këngës sa kujdes është bërë nga Radiotelevizioni shqiptar për kompozimin që është veçanërisht një krijimtari?

Për këtë pjesë veçanërisht në Radiotelevizionin shqiptar është bërë kujdes. Si me thënë është importi më i fuqishëm i muzikës së lehtë shqiptare. Janë 42 e ca vite festival. Unë për vete kam 14 vite që marr pjesë.

Përmendët në këtë rast vite të gjata pune dhe shifra shpërblimi, me sa duket Shpëtim Saraçi nuk do të bëjë më art falas?

Art falas, jo unë tani mendoj se njeriu shumë gjëra s'duhet t'i bëjë falas. Ka momente që njeriu vetë gjykon dhe mendon se duhet të bëjë një bamirësi, por që të vazhdosh të krijosh dhe t'i falësh Radiotelevizionit shqiptar një krijimtari të tërë që në fund të fundit as që e çan kokën për ty...

A e keni ju si familje artistësh të njohur M.Konçi e Sh.Saraçi një projekt për një koncert recital që mund t'ju dhurojë të ardhura?

Projektet janë gjithmonë të hapura, por problemi i artistëve shqiptarë është varfëria. Njerëzit ndoshta mendojnë se është e thjeshtë të dalësh tre minuta në skenë, por anjëherë se dinë se sa djersë derdhet për të realizuar ato minuta. Asnjëherë nuk e dinë se sa emocione shkatërrohen asnjëherë nuk e dinë se sa ditë harxhohen për atë punë dhe unë mendoj se ka ardhur koha që jo vetëm unë por të gjithë artistët të rivlerësohen.

3. Flet Pali Kuke, festivali, vera në bodrumin e RTSH-së

Kuke, lehona e festivalit: Më kanë plasur ujërat

Sa ju kanë ndihmuar institucionet shtetërore RTV dhe MKRS në këtë aktivitet të madh kombëtar?

Kanë qenë në krye të këtij aktiviteti gjigant, duke u nisur që nga fondet, 200 milion lekë të vjetra, fond i konsiderueshëm ky, më kupton, goxha! Ndërsa se sa ka ndihmuar MKRS nuk e di se nuk na kanë ardhur akoma "ndihmat e saj", por Radiotelevizioni shqiptar "e ka margaritarin e çmuar".

Me sa pamë në ditën e parë të festivalit, Pali Kuke duket "i vetëm e trim në luftë". Do ta braktisësh, apo do të rrish në frontin e vështirë të festivalit kombëtar të këngës?

Unë po të ishte për ta braktisur, do ta kisha braktisur që dje në ditën e parë para festivaliy pra.

Pse nuk ju ndihmuan, ka pasur gjëra që nuk shkojnë?

Jo, po siç ndodh këtu në Shqipëri, ka shumë puseta pa kapak si kjo që është këtu në rrugë dhe mund të biesh direkt e të thyesh kokën. Por ndoshta kështu është festivali, prandaj kemi ankth e emocion, sepse edhe një gjë e vogël, një kapak pusete në qoftë se s'vihet mirë në rrugë, mund të na shkatonte disfatë.

Si e kaluat dje "kapakun e pusetës"?

Mendoj se e kaluam me sukses dhe mendoj se ishte një spektakël që u duatrokit.

Po ju thatë se megjithatë dje do ta kishit braktisur?

Apo thashë, por ja që dje gjithë gjërat kanë shkuar vaj dhe mua nuk më ndodhi gjë. Sepse për mua festivali është si ai bodrumi ku mbahet vera që ka çdo shtëpi nëse e prodhon vetë. E për mua bodrumi i Radiotelevizionit pasurohet me myshk, me ingrasi, me errësirë që vera të bëhet akoma më e mirë. Pra duhen të gjitha kushtet që vera të bëhet më e mirë nga viti në vit.

Dukeni e nevrikosur, me sa duket me ketë vizion i keni hapur punë vetes.

Jo vetëm që i kam hapur punë vetes, por kam vendosur që megjithatë gjithmonë të punoj.

Dhe tani që jeni kaq i lodhur e nervoz thoni se punët shkojnë mirë, po sikur t'ju servirja kritikat që kam dëgjuar për festivalin tuaj?

Unë kam më shumë kritika se ti. Që kur e polla, unë kam hipur në kaluç më përpara dhe më plasën ujërat e gjakrat... Festivali im është si ai fëmija fillimisht i gjakosur që e kapin nga këmbët, e pastrojnë më vonë, por puna është a qan ai me të gjitha mushkëritë dhe pas kësaj thuhet se puna shkon shumë mirë.

Dhe ju e krahasoni festivalin me një fëmijë?

Jo me një fëmijë, por me një foshnje që sapo lind aty në skenë.

Është ky një mllef i shprehur pas lodhjes suaj të madhe në këto ditë?

Jo, po mundohem të flas me sa më shumë figuracion për t'i dhënë festivalit ngjyrime sa më të bukura, që të kuptohet se çfarë është ky festival e se duhet të jetojë. Të lutem shkruaji kështu fjalët e mia e jo t'i deformosh. Kur them që festivali është bodrumi ku mbahet vera e një institucioni nuk mund të them figurë më të bukur se kaq...


Veshja