Faqja kryesore e muzikës Lista e plotë e artistëve Te gjitha albumet TOP-40 Kenget TOP-20 albumet Ndihmë
Muzika Top
   
Menu
  Eda Zari dhe kritiket muzikore  
Kritika muzikore gjermane vlerëson albumin e fundit “Statement” të këngëtares shqiptare dhe bandës së saj, gjatë koncertit për “Natën botërore”. “Një shembull i përkryer i zhanrit të saj, duke qënë një princeshë në skenë”, shkruan revista “Folker”

Etno- xhaz nga Shqipëria, Zari në sytë e kritikës
“Një gjë mund të thuhet qysh në fillim. Ai që pas një koncerti të Eda Zarit shkon në shtëpi, është i sigurt se ka dëgjuar muzikë të mrekullueshme, ka vallëzuar, ka ëndërruar, ka derdhur lotë e ka qeshur. Dhe kjo ka qënë një arsye fare e thjeshtë: Eda Zari dhe muzikantët e saj këndojnë dhe luajnë me një perfeksion të vërtetë. Aty në skenë qëndrojnë gjashtë muzikantë, që me të vërtetë bashkë bëjnë muzikë që zotërojnë stile të ndryshme dhe kuptojnë se duhet të bëjnë diçka të vetën.” Kështu koncerti i mbajtur korrikun e kaluar nga këngëtarja shqiptare Eda Zari dhe banda e saj, në “Natën botërore” në Bilefeld të Gjermanisë, ka qenë në qendër të kritikës muzikore. Nga zyra e atasheut kulturor në ambasadën tonë në Berlin, përcillen këto vlerësime shkruar në një prej revistave speciale muzikore siç është “Folker”.
Eda Zari ka sjellë në skenë me shumë sukses zërin e saj të formuar klasik të kombinuar me dashurinë e saj për xhazin modern. Dega për të cilën ajo ka studiuar nuk është e zakonshme, është diplomuar në Universitetin e Arteve të Këlnit për koloraturë, soprano lirike. Teknikisht, kjo kërkon një nivel shumë të lartë të kënduari. Megjithatë, Eda Zari nuk do të portretizohet këtu si soprano por si këngëtare, aranxhuese dhe komponiste e cila interesohet si për muzikën xhaz dhe pop ashtu dhe për muzikën tradicionale të vendlindjes së saj.
“Statement” është albumi i saj më i fundit muzikor, një album ky maramendës, i pjekur aq sa dhe i freskët, i aranxhuar në mënyrë përfekte, një produksion i shkëlqyer, kombinim i balancuar me finese i xhazit dhe popit me këngën polifonike dhe ritmet e vendlindjes së saj”,- shënon kritiku i “Folker”, Luigi Lauer. “Mbizotërimin e xhazit e plotësojnë instrumente të shumtë tradicionalë, ndërsa për përforcimin e polifonisë është ftuar si mysafir nderi familja Lela nga Përmeti. Kjo këngë nga ana optike është e papërsëritshme: ajo i jep një shembull të përkryer zhanrit të saj, duke qënë një princeshë në skenë”, përfundon Lauer.
Në koncertin e klasit të lartë të këngëtares shqiptare, kritikës nuk i ka shpëtuar pathosi dhe trishtimi që muzika dhe zëri i Eda Zarit i shkrin në dozën e duhur, por që nuk mungojnë asnjëherë. Një trishtim që mund ta ketë vetëm muzika që vjen nga larg, nga origjina të thella që tingëllojnë si nota të çuditshme në kontaktin me modernen dhe përcillet tek një publik që është ngopur në një farë mënyre me eksperimentimet e sotme muzikore deri tek ajo dixhitale. Ndërsa revista “Westphalische Zeitung” e Bilefeldit, dhe autori i shkrimit mbi koncertin e Zarit, Peter Fliegel shënon: “Këta muzikantë mund të luajnë gjthçka, rok të fuqishëm, xhaz të këndshëm, balada zemërmbërthyese dhe melodi tradicionale të thjeshta shqiptare. Eda Zari në këngën e saj ka një diapazon jashtëzakonisht të gjerë, që nuk e vë në skenë si qëllim në vete, por ajo shpalos pikërisht atë çka secila këngë meriton. Ka një prani vezulluese kur këndon dhe një modesti freskuese kur në pauzat ndërmjet këngëve i drejtohet publikut. Tashmë mund të “tërhiqen” sirtarët dhe gjithçka mund të përshkruhet me klishetë e zakonshme.”
Eshtë një bandë e tërë në të cilën spikasin individualitete instrumentistësh. Një pianist që interpreton xhaz, xhezbandisti që “godet” pa pushim, perkursionisti i përgjigjet me ritme afrikane, klarinetisti që përdor instrumentin me një elegancë të mahnitshme dhe basisti bën atë që mund të bëjë më mirë: ai qëndron i përqendruar dhe i vëmendshëm dhe pastaj jep një goditje pulsante. Dhe mbi të gjithë “dallgëzon” zëri i Eda Zarit. “Që nga ky diversitet del një e tërë, kjo i atribuohet faktit që muzikantët i përkasin njëri-tjetrit, ata ndryshojnë pa u lodhur stilin, kur kjo është e nevojshme. Aty në koncert improvizohet shumë, ndonjëherë të dy xhezbandistët kryqëzohen me njëri-tjetrin, pianisti bën edhe ai të vetën, vetë Eda Zari të befason kur ajo e fut klarinetistin në një mizanskenë tjetër dhe kur basisti tregon se çfarë mrekullish mund të bëjë njeriu në bass”,- shkruan Fliegel. Mund të vërehet lehtë se këta muzikantë qëndrojnë së bashku në skenë, sepse kjo u jep atyre gëzim. Dhe ky gëzim shkon nga skena në sallë, për shembull, kur Eda Zari e shoqëruar vetëm nga klarinetisti, interpreton një melodi shumë të thjeshtë tradicionale nga vendlindja. Dhe njeriu e beson fjalën e saj, sepse në koncert ai njihet dhe me një anë tjetër të kësaj artisteje të madhe. Ajo është miqësore, jo imponuese, ajo të flet me pasion për muzikantët, për gëzimin që ndien ajo kur nga elementë të ndryshëm muzikorë mund të bëjë diçka të vetën: një grua që ecën në rrugën e vet, e përqendruar dhe e vetëdijshme, që nuk i vë shumë veshin kritikës. Ajo thotë se pothuajse nuk lexon fare kritikë, meqënëse ajo ka dalë në skenë qysh në moshën 4 vjeçe. Ajo thotë se është kritikja më e mirë dhe më e fortë e vetvetes. Dhe kjo është e vërtetë. Muzika e papërsëritshme dhe kënga prekëse e Eda Zarit nuk janë rezultat i producentëve dhe strategjive të çfarëdoshme të marrëdhënieve publike. Ato burojnë nga shpirti dhe përvoja e saj e gjatë në vite.
Pas koncertit, njeriu kthehet në shtëpi me mirënjohje dhe i kënaqur, duke shpresuar se së shpejti do të ketë rastin të dëgjojë sërish këtë zë në Bilefeld.
Ndërsa publiku shqiptar do të ketë rastin të njihet drejtpërdrejt me Zarin në muajt e ardhshëm, pasi ajo ka planifikuar disa koncerte në atdhe dhe në Kosovë.
Më 30 gusht Eda Zari dhe banda e saj janë të ftuarit e nderit krahas 17 bandave të tjera në “Ballon Popullore” të Berlinit me rastin e përvjetorit të radios Multi Kulti dhe Rundfunk Hous Berlin, ky koncert do të jepet në “Haus der Kulturen der Welt”, qendra më e madhe kulturore e Berlinit.


Veshja