Këngëtarja Alida Hisku i rikthehet këngës e skenës pas 2 dekadash
|
|
Këngëtarja e njohur flet për albumin "Kthimi"
Alida Hisku: Tani në një duet me tim bir Albinin
Alida Hisku, është kthyer bashkë me të birin në skenë. Këngëtarja e njohur në albumin e saj "Kthimi", ka edhe një duet me djalin e saj Albinin, që u largua 4-vjeç nga Shqipëria. Është një kthim i shumëfishtë i saj. Kthimi tek kënga pas dy dekadave e gjysmë, pikërisht aty tek e la, për ta vazhduar me dinjitetin e një këngëtareje të formuar, që mban vulën e pjekurisë së shpirtit nëpër vite, ku ajo e ruajti si thesarin më të shtrenjtë të saj. Kthimi tek skena me të cilën u rrit që kur e ëma e merrte për dore në Teatrin e Operës dhe Baletit…, por që u dëbua nga regjimi monist me ato lloj intrigash që dinin vetëm ata. Ajo kthehet tek spektatorët shqiptarë, që i ka ëndërruar e kujtuar me nostalgji e lot për vite me radhë, kthehet për të vazhduar këngën e bukur dhe origjinale të muzikës së lehtë shqiptare, kthehet tek bashkëpunimet me kolegët e saj të vjetër që ja mbështetën hapin qysh në fillesën e saj, duke i dhënë siguri për zërin dhe talentin e lindur. Kthehet tek dashuria e pasioni për këngën me të cilën u rrit dhe për ta vazhduar kështu traditën familjes së saj, kthehet në skenat e atdheut, atje ku dhe ndihet plotësisht vetvetja.
Si e ruajti Alida zërin dhe si ka mundur të kthehet përsëri tek kënga?
Ishte fati që ma rezervoi këtë sfidë, e unë nuk jam e vetme që u përballa me të, shumë artistë të tjerë në vendin tonë e provuan, ndaj kjo këngë iu takon të gjithëve që patën këtë fat. Kjo situatë e jetës sime më bëri që të përballem e të luftoj me vështirësitë e saj, në të gjitha anët e udhët nga më hodhi fati. Besoj se të qash të kaluarën, është dobësi për çdo njeri. Shumë gjëra kanë zënë rrënjë të thella në shpirtin tim, sepse nuk më rrëmbyen vetëm pasionin e këngën, por edhe rininë, ekzistencën time si njeri, më rrëmbyen pjesën më të bukur të jetës sime, dhe përse?! Këto 24 vjet, e plagosur nëpër rrugët e fatit, duke tërhequr pas edhe dy fëmijët e vegjël në labirintet e botës, kanë lënë shumë gjurmë e janë të çjerra të kohës që kanë gërvishtur e vulosur mjaft plagë në qenien time. Është hera e parë që po tregoj e filloj të qahem për çfarë kam kaluar dhe s´dua të më rrëmbejë zemërimi. Në këtë rrugë, që më është dukur dyfish e gjatë, përveç problemeve e peripecive, kam luftuar edhe me vetveten që të ruaja individualitetin tim, ta shtrëngoja atë fort e të mos e lëshoja në asnjë minutë, pavarësisht nga situatat. Unë rrjedh nga një familje me traditë e talent muzikor. Jeta ime nuk ka pasur fillim karriere në këtë apo atë moshë. Që e vogël më merrte nëna ime mbrapa skenës në Teatrin e Operës dhe Baletit, e më vonë nga mosha 4-5 vjeçare më kanë aktivizuar si figurante në role fëmijësh. E kështu unë u rrita me këtë skenë si fatose e më pas në festivalet e pionierit, të rinisë dhe kur isha vetëm 13 vjeçe fillova të këndoj në festivalin e këngës së Radio Televizionit Shqiptar. Më vonë kuptova se unë dhe skena ishim shkrirë në një, e ishim bërë të pa ndara. Ma rrëmbyen skenën. Mirëpo në zemrën dhe shpirtin tim rridhte ai gjak që deri më sot nuk ndryshoi ngjyrën e vetë asnjëherë. Ky gjak ruajti të pastër atë betim dhe amanet për t'u kthyer përsëri tek skena mëmë, tek ai publik që më dha të vetmet momente të bukura të rinisë sime shumë të shkurtër dhe, me që isha moshe e re dhe e dehur nga suksesi, nuk arrita ta gëzoj me gjithë forcën. Kudo tërhiqja me vete betimin e pa mbaruar dhe ndjehesha borxhlie përpara popullit tim dhe skenës shqiptare, aq të dëshiruar. Unë mbaja betimin e betimi më mbante mua, kështu mbajtëm njeri-tjetrin të freskët e të fortë për t´ja dalë një ditë në krye dhe për ta salduar atë çarje në jetën time.
Cila është e veçanta e albumit tënd të parë?
Momenti im i shumëpritur i rikthimit është një episod i rëndësishëm. Ndoshta ky album nuk do të pritet siç e meritoj, megjithatë për mua do të ngelet unik, sepse është albumi i jetës sime. Aty kam dhënë shpirtin dhe momentet që më kanë dhembur aq shumë".
Kënga "Kthimi", me të cilën kam titulluar edhe albumin, është fabula e vetë jetës sime, që në formë balade përcjell gjithë filozofinë e një realiteti të dhimbshëm, por me një rikthim plot shpresë.
Ky album është një vazhdimësi e karrierës sime artistike, por edhe një vazhdimësi brezash. E veçanta e albumit nuk qëndron vetëm në faktin që janë krijime të reja e të mirëfillta, por bazuar në një koncept e skenar, ideuar nga vetë unë, në formë dialogu bashkëbisedoj me dëgjuesin. Inspiruar gjithnjë nga ritmet dhe magjia e muzikës së bukur shqiptare, albumi fillon me prolog, ku bëhet një përshkim i shkurtër muzikor i jetës që kam kaluar, duke demonstruar fuqishëm akumulimin e shpirtit tim artistik si dhe ndjesinë si nënë dhe njeri. Ndërsa epilogu, interpertuar nën tingujt melodioz të pianos, qetëson dëgjuesin, duke e falënderuar për dëgjimin e shoqëruar me premtimin për t'u parë së shpejti.
Poezitë, gërshetuar me melodinë, sjellin tema të problemeve dhe momenteve sociale që has çdo ditë në shoqërinë e sotme shqiptare, ku çdo grup moshe që dëgjon CD-në gjen veten.
Na tregoni diçka rreth realizimit artistik të albumit?
Incizimet dhe realizimi i CD-së kryesisht është bërë në një studio muzikore private në Orleon Francë. Tekstet e këngëve ja besova bashkëpunëtores së hershme, mikes së rinisë, veteranes së muzikës së lehtë shqiptare, Zhuliana Jorganxhi. Ndërsa 23 vjeçari i talentuar, Leonard Sojli, krijoi e përshtati aq bukur melodinë mbi vargjet e derdhura me finesë nga poetja Jorganxhi. Vlen për t'u theksuar si e veçantë në këtë bashkëpunim, fakti që orkestrantët janë francezë, edhe për vetë kompozitorin Sojli këngët e lehta shqiptare ishin po ashtu diçka e re, pasi u largua në moshë të vogël nga Shqipëria dhe edukimin muzikor e mori në Francë. Shpreh kënaqësi dhe respekt për këta djem muzikantë që arritën të realizojnë perfekt melodinë e ritmin e vendit tim. Gjithashtu në këtë album janë autorë të dy këngëve edhe Erand e Iris Sojli. Ndërsa djali im i dytë, Albini, i cili ishte 4 vjeçar kur u largua nga atdheu, me dëshirën e tij të madhe, për herë të parë do këndojë shqip para publikut, duke më shoqëruar në duet. Ky album, në një farë mënyre është edhe një transmetim brezash, që qëndron themelisht në traditat e trashëguara dhe talentin e familjes time. Si çdo nënë, edhe unë, në kushte të tjera nga nëna ime, jam munduar të zhvilloj tek fëmijët e mi talentin e muzikës dhe sidomos këngës shqiptare. Kjo ishte edhe dëshira e fëmijëve, që të çonin më tej atë që mua ma privuan. Punën që kam bërë me fëmijët në këtë drejtim, do ta lë ta vlerësoj vetë publiku. Por sido të rrokulliset jeta, talenti nuk zhduket.
Si e mendoni përballjen me tregun muzikor dhe botën e spektaklit shqiptar?
Pasioni për të realizuar diçka të veçantë ka bërë që fillimisht të mos e mendoj këtë gjë. Tani që ka përfunduar CD-ja dhe informohem rreth kësaj çështje nga miqtë e mi në Tiranë, ndjej disi një frikë. Mund të ndodhë që publikut mos t'i bien fare në dorë, pasi këngët e mija nuk janë këngë "tregu", ndërkohë që ky biznes funksionon më së miri me këngëtarët e rinj. Ndaj unë mund të jem jashtë mode. Pra, di që arti atje është kthyer në komercial, por unë shpresoj që të gjej një studio të tillë muzikore, ku punojnë muzikante të mirëfilltë e mes biznesit të tyre, të dinë të respektojnë edhe vlerat artistike të një këngëtareje që ka si qëllim përcjelljen e artit të bukur të këngës. Po nisem duke shpresuar se këtë herë s´do më tradhtojë fati, duke besuar në shoqërinë e sotme shqiptare, në qendrat kombëtare të artit e kulturës… Po nisem drejt popullit tim që di të mirëpresë e nderojë vlerat e çdo artisti që jeton jashtë, e që bashkë me të renë në këngë, sjellin dhe mallin për ta! Sigurisht që ky është hapi im i parë, pasi është punë që më ka kushtuar kaq shumë energji, kohë dhe patjetër dhe mijëra euro. Pas kësaj, po aq e madhe është edhe dëshira të bëj një turne nëpër Shqipëri e më gjerë.
Nuk e njoh mekanizmin e organizimit të koncerteve në Tiranën moderne, por unë po nisem drejt saj me besimin dhe shpresën që të mos bie nën vorbullën e pazarllëkut, pasi ky fenomen dëmton artin shqiptar në përgjithësi, por edhe këngën time, ku dua t'i qëndroj besnike traditës. Uroj që këto fjalë të mijat të bien në veshin e njerëzve dashamirës apo tek admiruesit e mi të dikurshëm, për të më ofruar një ndihmesë apo vëmendje sado simbolike për realizimin e kësaj ëndrre shumëvjeçare.
A do e shohim këngën tuaj në videoklip?
Videoklipet tashmë janë bërë kërkesë e kohës dhe sigurisht që të plotësojnë shumë si artist. Këtë radhë unë kam përgatitur një minivideoklip. Nëse më ndihmon fati dhe kam sukses këtë herë, dëshiroj që të gjitha këto këngë t'i hedh në një videokasetë, dhe meqë këngët janë tërësisht shqiptare, dua që edhe filmimet t'i bëj në ambientet dhe natyrën e vendit tim të mrekullueshëm.
Çfarë do t'i ofrosh në të ardhmen spektatorit shqiptar?
Tani ka ardhur koha e ëndërruar që të këndosh pa censurë e pa diktat, krejt e lirë, ashtu siç e ndjen dhe dëshiron. Sigurisht në qoftë se CD-ja e parë do të mirëpritet, po them atë që ma ndjen shpirti im: "Unë kam lindur në skenë dhe atje dua të vdes!"
Ky është edhe motivi i karrierës sime artistike! Albumi i parë përcjell një mesazh dhe ka disi një skenar, por në të ardhmen jam e bindur që ky boshllëk do mbyllet e, duke qenë në lëvizje të vazhdueshme me jetën artistike në vendlindje, do krijohen raporte të reja, madje edhe terminologjia ndryshon, kështu që do ma diktoj koha që këngët e albumit tjetër të jenë më të thjeshta e me ritëm që të kapen e pëlqehen nga një masë sa më e madhe njerëzish.
Vleresime për këngët e reja të Alida Hiskut
Vaçe Zela
Artistja e madhe Vaçe Zela, duke dëgjuar këngët e albumit të ri të Alidës në shtëpinë e saj në Bazel të Zvicrës, tha: "Je e vetmja që do vazhdosh rrugën time, duke dhënë një freski të re në stilin e këngës së lehtë shqiptare. Me këtë rilindje, je shumë më në formë se atëhere kur e ndërpreve këngën e bukur shqiptare"!
Dhora Leka
Kompozitorja e këngëve partizane, zonja Dhora Leka shprehet: "Kjo CD është një perlë për ata që e duan dhe e kuptojnë muzikën shqiptare. Jam e sigurt që ky album do të ketë një sukses të jashtëzakonshëm"!
Nga Gjermania, Mereme LLUBANI
|
|
|
|